Papunësia, rritet artificialisht me 80 mijë numri i atyre që punojnë në bujqësi
Numri i njerëzve të zënë me punë gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar, periudhë ku sipas qeverisë shqiptare ekonomia u rrit me 9,9%, u rrit me 1,7%, bëjnë me dije të dhëna zyrtare të Institutit të Statistikave. Duke marrë në konsideratë faktin që forca e punës është rritur me rreth 5 mijë e 500 vetë gjatë këtij tremujori, në Shqipëri janë çelur rreth 9 mijë vende pune. Ky tremujor ka të bëjë me tre muajt, ku aktiviteti ekonomik në vend është më i dendur, për shkak se është edhe sezoni i turizmit. Është e qartë se shifra 9,9% e rritjes ekonomike është gjëja e parë që përgënjeshtrohet nga këto të dhëna për numrin e njerëzve të zënë me punë, pasi një rritje ekonomike me 9,9% nuk mund të sjellë 1,7% vende pune më shumë. Megjithatë, ekonomia shqiptare që prej shtatorit ka nisur të përthyejë trajektoren e saj, të cilën gjatë tremujorit të parë të këtij viti e ka bërë në përmasa më të mëdha. Numri i njerëzve të papunë, sipas të dhënave zyrtare në vend, në periudhën e rritjes ekonomike 9,9% ka qenë 142 mijë. Ekonomia shqiptare ka ulur shitjet, ka ulur investimet dhe ka ulur në përgjithësi të gjithë aktivitetin e saj, gjë që vihet re në mosrealizimin e të ardhurave, në uljen e eksport-importeve etj., dhe kjo ka bërë që numri i njerëzve që janë të papunë të jetë rritur. Qeveria shqiptare me anë të Institutit të Statistikave pa ndalur prej vitesh kanë përdorur si mbulesë të numrit të lartë të të papunëve statistikat që vijnë nga bujqësia. Vitin e shkuar kjo prirje u thellua ashpër. Aktualisht, sipas INSTAT, në bujqësi punojnë 568 mijë njerëz. Kjo do të thotë se çdokush në fshat që është i aftë për punë, konsiderohet i punësuar nga qeveria shqiptare. Kjo është arsyeja pse numri i të papunëve në total në vend llogaritet në 142 mijë vetë. Instituti i Statistikave e ka rritur numrin e të punësuarve në bujqësi pak kohë më parë me rreth 80 mijë vetë, në mënyrë që të ulë numrin e të papunëve në shkallë në vendi. INSTAT nuk mendon se në fshat ka njerëz të papunë, nuk mendon se në fshat punohet me stinë, nuk mendon se në fshat ka zona, ku toka mbahet nga vetëm një njeri, ndërkohë që familja ka tre apo katër njerëz të aftë për punë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Çështjeve Sociale, më shumë se gjysma e të rinjve të zonave të fshatit shkojnë në emigracion sezonal, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër. Rritja e shifrave të rritjes ekonomike në mënyrë fiktive nuk ka sjellë rritjen e numrit të njerëzve të zënë me punë. Edhe rritja fiktive e numrit të njerëzve që punojnë në bujqësi, përsëri nuk ka sjellë rritjen e numrit të atyre që punojnë në bujqësi. Rënia e ekonomike ose kahja rënëse e ekonomisë që prej vjeshtës i ka përkeqësuar edhe më shumë këto të dhëna, ndërkohë që zgjidhja kërkohet te mospranimi i gjendjes dhe te fiktiviteti i të dhënave.