E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia: Nuk do nënshkruajmë kontratë për central bërthamor me Shqipërinë

Nga B92

Ministria e Ekonomisë e Kroacisë ka hedhur poshtë të premten raportimet në media se vendi i tyre do të bashkëpunojë me Shqipërinë për të ndërtuar një central bërthamor.

Mediet raportuan në fillim të javës se një kontratë për marrëveshjen do të firmosej në fund të këtij muaji.

“Kjo ministri dhe qeveria kroate nuk kanë shpërndarë kurrë asnjë informacion për nënshkrimin e një kontrate në fund të prilli për ndërtimin e centralit bërthamor”, - thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie, firmosur nga zëdhënësi Tomislav Mazal.

“Disa informacione jokorrekte dhe të paplota në disa media kroate, por dhe rajonale, thonë se Kroacia dhe Shqipëria do të nënshkruajnë një kontratë për ndërtimin e centralit”, - tha Mazal.

Ai shtoi se, “ekspertët mund të konfirmojnë se kjo gjë nuk është e mundur, pasi projekte të tilla negociohen dhe planifikohen për vite të tëra”.

Mazal tha se në fund të muajit mars, zv/kryeministri kroat, Damir Polančeč, ishte për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u diskutua dhe për një bashkëpunim të mundshëm për ndërtimin e një centrali atomik në Shqipëri.

Ishte pikërisht atëherë, thotë Mazal, që dy vendet pranuan se në fund të prillit 2009 do nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimin për të ngritur një grup të përbashkët pune që do të sigurojë analiza prej ekspertësh për të shërbyer si bazë për vendime të mëtejshme për projektin.

Gjithashtu u theksua se të dy vendet e shohin projektin si të një rëndësie rajonale, thotë deklarata.

Mazal hodhi poshtë faktin që ministria të kishte shpërndarë informacione se centrali që do ndërtohej do kushtonte 4 miliardë euro.

“Ky është thjesht një spekulim i medieve që nuk mbështetet në asnjë dokument të vetëm”, - përfundon deklarata.

PS: Topalli dhe Berisha po ua bëjnë dhuratë shkodranëve centralin pas mbështetjes 18-vjeçare

Partia Socialiste ka reaguar dje pas shqetësimeve të ngritura në media se një central bërthamor do ngrihet në afërsi të Shkodrës. Zëdhënësja e kryesisë së kësaj partie, Mimi Kodheli, tha se kjo është një shenjë mirënjohjeje e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit për mbështetjen që i ka dhënë Shkodra kësaj partie prej 18 vitesh.

“Dhurata e mirënjohjes e Sali Berishës dhe Jozefina Topallit për Shkodrën, që 18 vjet me radhë i mbështeti pa kursim, është një central bërthamor. Të ndërtosh një central bërthamor në këtë qytet kaq të bukur, është e patolerueshme.

Duke pasur parasysh eksperiencën e hidhur të qeverisë me fabrikën e municioneve në Gërdec, ky projekt krijon veç pasiguri dhe rrezikshmëri. Banorët e Shkodrës nuk e duan këtë central bërthamor në qytetin e tyre dhe askush nuk mund t’i detyrojë ata ta pranojnë këtë projekt”, - tha Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›