Sherr në Kinë për dekoratën te Muri Kinez
Flamuri u mahnit dje nga diploma që mori ai burri te Muri Kinez. Sa herë që kthehej nga Kina, ai burri ishte gjithmonë i mahnitur, por kësaj here arriti të marrë dhe vlerësimin e autoriteteve kineze. I entuziazmuar, Flamuri thirri në telefon Ridvanin t’i shpjegonte rëndësinë e saj.
- Po ç’të të them unë o byrazer, - i tha Ridvani. - U nisëm njëherë tok të gjithë, shkuam në majë të Murit. Ishte hata bre, s’kisha parë pamje aq të bukur sa aty. Sa u ngjitëm ne, na u afruan ca çupka kineze të vockla dhe na zgjatën nga një diplomë.
- ǒështë kjo? - u thashë unë.
- Diplomë, - thanë ato, - që jeni ngjitur në Mur. Shkruani emrin tuaj këtu, - thanë, - dhe na jepni dhjetë dollarë.
- Sa moj?! - i thashë. - Dhjetë dollarë?! T’ëmën, paska lojtur kjo! Po ne jemi 7 veta, pse o unë do paguaj 70 dollarë kot këtu? T’ëmën, kur janë bërë dhe kinezët kapitalistë, - thashë.
Më dëgjoi ai burri që po grindesha me kinezkat dhe u afrua.
- Çfarë ke Ridvan? - tha.
- Po ja o, këto kinezkat na kërkojnë nga dhjetë dollarë që u ngjitëm në Mur.
- Po mos është taksë, - Ridvan, - më tha.
- Jo mo, është për kujtim, - i thashë, - po pse dhjetë dollarë. Shumë shtrenjtë bre, jemi 7 vetë.
- Ridvan, qenka ide e mirë, - tha. - Jepi dhjetë dollarë për mua dhe ju zbrisni poshtë. Po e bëj një foto për këtë.
Ashtu e bëmë. U lut dhe Gridi, tha: “Të marr dhe unë një diplomë, meqë jam dhëndër në Kinë”, po s’e la më ai burri.
- Jo, - tha, - se më prishet lajmi. Ta bëjmë lajmin vetëm për mua. Jo, se shpërndahet lajmi pastaj që marrin të gjithë nga këto diplomat.
Ashtu e bëmë o byrazer. Pagova dhjetë dollarë unë, dhe doli ai burri me foto të diplomës, e nxori Gridi. Pastaj u ngjitëm gjene dhe pamë për qejfin tonë. Erdhën gjene ato çupkat me diploma në dorë, po s’i morëm. Boll nga një për shtet, i thashë. Kur të vijnë shtetet e tjera, merruani.
Pastaj zbritëm poshtë. U mblodhën tre gazetarë kinezë dhe i kërkuan përshtypje për Murin atij burrit. E filloi ai avazin. “Transformimet e mëdha të Kinës janë madhështore. Sa herë vij, gjej një Kinë të re, të zhvilluar, që konkurron me vendet më të zhvilluara të botës. Kjo do të thotë që udhëheqja komuniste kineze ka një vizion të hapur dhe të qartë për të ardhmen e Kinës”. Gazetarët kinezë ngelën pa mend bre. Kur u hodh njëri e i tha:
- Zoti Berisha, Muri Kinez është vërtet një mrekulli e Kinës, po nuk e ka bërë Partia Komuniste e Kinës, e ka bërë Perandori…
- E di, - tha Berisha, - por vizioni juaj për ta shndërruar këtë në një destinacion turistik është ide e madhe. Unë pashë vajza të shkathëta në majë të Murit që të shisnin një diplomë për dhjetë dollarë. Një shpirt i madh i tregut të lirë. Në shenjë respekti dhe unë e mora një të tillë, dhe ua tregoi atyre.
Gazetari kinez i “Xinhua” u vrenjt në fytyrë.
- Zoti Berisha, gabim që keni marrë diplomë me dollarë. Ata janë kapitalistë, ne japim diplomë falas për mysafirë të qeverisë. Gabim shumë. S’i vë qeveria ata. Janë privatë, janë kapitalistë, gabim shumë.
E kur na prishi terezinë kinezi, ke parë ti. U nxeh dhe ky burri e m’u hakërrye mua. “Ti na e bëre, - tha, - se nuk pyete. Për ne qenkan pa leka.”
- Po si o pa leka, i thashë. Po të merrnim të gjithë pa leka, ç’kuptim kish diploma jote?
Filloi të turfullonte, pastaj iu kthye Gridit.
- Je dhe dhëndër në Kinë, as këto rregulla nuk di. Paskemi shkaktuar incident, se kemi blerë diplomë te Muri, kur na takonin falas.
- Unë pyeta, - tha Gridi. - Na takon nga një diplomë sipas rangut. Mua nuk më takon, se më quajnë të tyrin. Unë duhet të bëj një deklaratë garancie që nuk lejohet të bëj dy fëmijë, se shkel ligjin kinez.
- Mos e respekto. Kemi ligjet tona. Tani kemi karta identiteti nga më të mirat në botë. Vendosu fëmijëve emër shqiptar dhe s’kanë për ta kuptuar kurrë.
Shpëtuam nga sherri, se filloi të merrej me Gridin. Pastaj shkuam tek ai kulti i Budës. U thamë kinezëve na çoni tamam te Buda në Tibet, po ku dëgjonin ata. Gjene na çuan te ca kulte të Budës që i kishin bërë vetë për turistë. Kulte false bre. Shkuam aty, dhe ai burri premtoi se do kthehej më vonë si turist. Një gazetar kinez, që s’na ndahej, me emrin Van Hua Chi, e pyeti:
- Me siguri, pas 28 qershorit, zoti Berisha, se atëherë do keni boll kohë, se do jeni në pension?
- Kohë do të kem plot, - i tha ky burri, - se do t’i kem punët në vijë, pasi mandatin e dytë e kemi shumë të qartë ç’do bëjmë. Mos mendo se do dal në pension pas datës 28. Por do të jemi më të qetë. Se s’do kemi as opozitë atëherë.
- Aha, kuptova, - tha Vani. - Do jemi njësoj.