E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një sezon pa dhurata, Laçi nënshtron Skënderbeun

Kampionët pësojnë humbjen e parë në këtë sezon dhe duket se janë rikthyer në ecurinë e tyre “normale” të sezoneve të shkuara. Kurbinasit arkivojnë pikët

Skënderbeu duket se është lënë në harresë nga ajo dotë magjike e sezonit të shkuar. Në ndeshjen e luajtur në Laç. Skuadra vendëse ka dalë te goli shumë shpejt, që në minutën e 5-të, me anë të kapitenit të vet, Burhan Emurllai. Ka qenë një goditje dënimi, e ekzekutuar nga shqiptaro-maqedonasi i kurbinasve, e devijuar edhe nga muri mbrojtës i korçarëve, e cila është kthyer në gol për vendësit. Kanë reaguar fuqishëm miqtë, që shtyjnë përpara drejt portës së Vashakut. Mbrojtja vendëse gjendet e presuar, por arrin ta mbajë portën e vet të paprekur. Derisa vjen minuta e 40-të, kur një kundërsulm i bardhezinjve e gjen të papërgatitur prapavijën e kampionëve. Aty ku Dragiceviç i shpëton mbulimit të Vrapit, ndërsa ky i fundit ka vetëm një alternativë, ta pengojë atë në mënyrë të parregullt. Gjyqtari Jemini akordon pa hezitim penallti dhe karton të verdhë për Vrapin. Penalltia ekzekutohet saktë nga Selimi, i cili e dyfishon epërsinë e vendëse për pjesën e parë. Pjesa e dytë e lojës ka nisur në sulm për korçarët, që kanë marrë udhëzime të qarta nga trajneri Duro për të sulmuar e për ta kërkuar golin me ngulm. Dhe e gjejnë atë shpejt, pikërisht në minutën e 51-të, me anë të kapitenit Shkëmbi. Ky i fundit përfiton nga një top i kthyer nga mbrojtja vendëse dhe në pozicion ballor, mbi vijën e 16-metërshit, lëshon një predhë tokazi. Topi përfundon në këndin e poshtëm të Vashakut. Kohë për zhvillime të tjera ka edhe më, në dispozicion të të dy skuadrave, por nuk ka ndodhur ndonjë gjë tjetër me rëndësi. Sepse ka munguar goli, kështu që rezultati 2-1 ka përmbyllur edhe këtë sfidë të luftuar fort, por që u ka buzëqeshur vendasve. Që arrijnë fitoren e parë në këtë kampionat, ndërsa kampionët vazhdojnë të mos bindin sërish.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›