Tirana e para Flamurtari bie në tapet
24 herë kampionët e vendit përfitojnë nga autogoli i Veliut për ta futur ndeshjen në hullinë e duhur. Më pas Morina jep goditjen “KO” për vlonjatët e Lutajt, që zhvilluaj një 90 minutësh të dobët
Tirana do të kryesojë për të paktën 24 orë kreun e renditjes, pasi me tre pikët e djeshme, bardheblutë janë ngjitur në kuotën e 9 pikëve, dy më shumë se Bylisi i vendit të dytë, por që ka një ndeshje më pak.
Por kjo pak rëndësi ka, pasi në këtë kampionat ku asnjë skuadër nuk po duket e aftë që të shkëputet në krye, Tirana po lëviz ashtu siç duhet, ndonëse u shokua që në javën e parë nga Teuta. 24 herë kampionët e vendit po tregohen të saktë në sfidat e radhës duke arritur 9 pikë të plota, si asnjë skuadër tjetër deri më tani dhe kjo është padyshim një provë force për kryeqytetasit
Sidoqoftë, skuadra bardheblu, e drejtuar nga trajneri spanjoll Hulian Rubio, ka dëshmuar sërish se është në top-formë dhe po profilizohet si pretendentja numër një për titullin. Pavarësisht se është mjaft herët për ta thënë këtë, askush nuk ka bindur më shumë se bardheblutë, të cilët kanë mundur në javën e katërt një rival potencial, si Flamurtari. Kuqezinjtë e Vlorës janë shfaqur pa shpirt, pa grintë dhe të mpirë në “Qemal Stafa”, çka është bërë edhe më evidente nga loja e mirë dhe mjaft e organizuar e vendësve. Presioni i 24 herë kampionëve të vendit e ka detyruar mbrojtësin Veliu të mos merret vesh si duhet me portierin e vet, Moçka, kështu që kontigjenti i kombëtares kuqezi ka shënuar autogol në portën e vet. Kronometri shënonte minutën e 11-të, ndaj skuadrat kishin mjaft kohë në dispozicion për të treguar veten. Autogoli ishte nga ata të pabesueshmit. Mirëpo, kur pritej që vlonjatët të reagonin pas pësimit të golit, ka ndodhur e kundërta. Ka qenë Tirana, e cila ka vijuar të mbetet në sulm dhe të mos lëshojë aspak terren. Kjo e ka vështirësuar së tepërmi misionin e kuqezinjve, të cilët nuk kanë dalë dot në lojën e tyre. Me rezultatin 1-0 mbyllen 45 minutat e para, ndërsa fraksioni i dytë i lojës ka pasur sërish në evidencë Tiranën. E cila e ka dyfishuar epërsinë në minutën e 65-të me anë të sulmuesit të ri Morina, ndërsa miqtë vlonjatë s’kanë pasur asnjë mundësi të volitshme për të shënuar qoftë edhe golin e nderit. Kësisoji, bardheblutë triumfojnë në një ndeshje delikate për ta, duke u katapultuar në kreun e klasfikimit, në kuotën e 9 pikëve. Trajneri Lutaj kishte deklaruar pak ditë më parë se Flamurtari i tij nuk do të impresinohej shumë nga fusha kundërshtare, ndonëse luante në “Qemal Stafa”. Megjithatë, duket se e keqja atij i ka ardhur ngha të besuarit që ka zbritur në fushën e lojës, që nuk patën për asnjë moment atë nerv që i karakterizon, duke u dorëzuar pa kushte dhe duke e lënë Tiranën që të bënte lojësn e saj, çka solli edhe disfatën.
Superliga – Java IV
Dje
Pogradeci – Dinamo 1-0
Shkumbini – Tomori 6-2
Kamza – Apolonia 0-1
Sot
Kastrioti – Vllaznia 2-1
Laçi – Skënderbeu 2-1
Tirana – Flamurtari 2-0
Të hënën
Teuta – Bylis 17:00
Renditja
Skuadra N F B H Gol P
1) Tirana 4 3 0 1 8-4 9
2) Bylis 3 2 1 0 9-5 7
3) Apolonia 4 2 1 1 4-3 7
4) Vllaznia 4 2 0 2 7-5 6
5) Kastrioti 4 2 0 2 9-7 6
6) Shkumbini 4 2 0 2 11-10 6
7) Flamurtari 4 2 0 2 5-5 6
8) Teuta 3 2 0 1 3-3 6
9) Pogradeci 4 2 0 2 3-7 6
10) Skënderbeu 4 1 2 1 4-3 5
11) Laçi 4 1 2 1 6-7 5
12) Tomori 4 1 1 2 4-8 4
13) Kamza 4 1 0 3 3-5 3
14) Dinamo 4 0 1 3 1-5 1