Frika bën të vetën, Vllaznia bie në Krujë
Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 2-0 të vendësve dhe të kuqin e Turdiut. Shkodranët nuk përfitojnë nga epërsia numerike duke shënuar vetëm një gol
Mirel Josa i druhej shumë transfertës së Krujës dhe arsyeja u kuptua pas humbjes së djeshme, ku Kastrioti edhe pse me 10 vetë, bën një ndeshje nga ato për t’u mbajtur mend dhe nënshtron shkodranët. Fitorja bëri që trajneri Ramadan Ndreu të mbajë postin në krye të skuadrës së mirëfinancuar dhe të përforcuar me lojtarë cilësorë këtë edicion, sepse para sfidës me kuqeblutë ishte në fije të perit. Krutanët kanë kaluar të parët në epërsi, me anë të Jetmir Sefës, në minutën e 29-të, ndërsa 3 minuta para mbarimit të fraksionit të parë të lojës ka qenë Inkango, ai që ka dyfishuar shifrat. Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë, por vendësit i ka penalizuar me daljen nga loja, me karton të kuq, Turdiu. Pikërisht kjo gjë ka ndodhur në minutën e 43-të, çka do të thotë se Kastrioti e ka luajtur pjesën e dytë me një lojtar më pak se kundërshtari. Mirëpo, kjo s’është shfrytëzuar sa duhet nga Vllaznia, e cila ka gjetur golin e saj të vetëm në këtë transfertë, me anë të Vajushit, në minutën e 60-të, por nuk ka arritur dot t’i barazojë shifrat. Rastet nuk kanë munguar, por Vllaznia nuk ka pasur forcën e duhur goditëse. Rezultati 2-1 për krutanët ka qenë përfundimtari i kësaj sfide, çka i dërgon 3 pikët në llogarinë e skuadrës së Ndreut, ndërsa kuqeblutë e Josës janë kthyer duarbosh në shtëpi. Pas javës së katërt, të dyja skuadrat në fjalë kanë nga 6 pikë në klasifikim. Në javën e ardhshme të kampionatit (më datë 15 tetor, pasi superliga do të ndërpritet për shkak të ndeshjeve të kombëtares kuqezi), Kastrioti do të udhëtojë në Ballsh ku do të ndeshet me Bylisin vendës, ndërsa Vllaznia do të presë Tiranën në kryendeshjen e javës së pestë.