Një shans dhe mundësi për zërin e qeverisë së re
Sadedin Çeliku
Siç është bërë e ditur nga data 23-25 Shtator zoti Edi Rama është ftuar nga ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton të marrë pjesë në samitin e këtij forumi. Qysh në fillim dua t’ju bëj me dije se ftesat nuk ju drejtohen në asnjë rast kryetarëve të partisë dhe asnjë rangu tjetër njehsuar me të.
Iniciativa “Global Clinton” është një fondacion e forum ekonomik i themeluar në vitin 2005 nga z. Clinton në përbërje të së cilës ka stafe të specializuara e të aftë të orientojnë e sugjerojnë probleme të ndryshme që lidhen me zhvillimin e të gjitha vendeve anë mbanë globit. Është e rëndësishme të theksojmë se problemet kryesore që diskutohen në këtë forum lidhen dhe me sfidat që po kalojnë popujt dhe vendet e ndryshme në botë. Mbështetjen dhe rimëkëmbjen e ekonomive botërore, mbrojtjen e shëndetit global dhe luftën kundër HIV/AIDS-it, luftën kundër dhunës e krimit të organizuar, luftën kundër trafikimeve të ndryshme e veçanërisht të qenieve njerëzore, luftën kundër korrupsionit, krimit në ekonomi e impaktet negative.
Fondacioni analizon dhe sugjeron probleme që lidhen me çështjen e drejtësisë dhe konsolidimin e këtij sistemi, nxit çështjet e punësimit, reduktimin e varfërisë, çështjen e emancipimit të grave e të përfshirjes së tyre në biznese, politikë, e në të gjithë jetën shoqërore. Analizon çështjet që lidhen me mjedisin, energjinë, financave, tregtisë, konkurrencës, probleme ekonomike dhe mjaft probleme të tjera që shqetësojnë sot mbarë botën. Në forumin e radhës, i cili është ftuar dhe zoti Edi Rama, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon, Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim, Mbretëresha e Jordanisë Rania Abdullah etj..
Ky forum ka përcaktuar qartë objektivat dhe strategjitë problemore afatshkurtra dhe afatgjata që lidhen me fenomenet e sipërme. Forumi bën dhe vlerësime të njerëzve të shquar, talenteve që angazhohen në këtë luftë dhe jep dhe çmime. Çmime të tilla kanë marrë mjaft personalitete të shquara nga vende të ndryshme.
Ftesa drejtuar z. Edi Rama është vlerësim i rëndësishëm, jo për vetë Ramën si individ, por një vlerësim i veçantë në llojin e vet, për vendin dhe Shqipërinë. Problemet që do të ngrihen atje në atë forum koincidojnë me programin e qeverisë së re. Sigurisht problemet që do të dalin janë një vlerë e shtuar për vetë programin qeverisës, po të kemi parasysh se vendi ynë ka mjaft fenomene e plagë të cilat do duhen kuruar e shëruar shpejt e pa humbur kohë.