Precedenti i keq i KQZ-së partiake
Av. Aleksandër Myrtaj
Kanë kaluar 35 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit dhe ende nuk kemi një rezultat zyrtar të këtyre zgjedhjeve, ashtu si ndodh në të gjitha vendet demokratike të botës, duke përfshirë këtu edhe rajonin tonë! Ky është një shqetësim i ligjshëm i të gjithë votuesve shqiptarë, të cilët hodhën votën sipas preferencave të tyre. “Rezultat i vonuar, rezultat i mohuar”, ky mund të ishte përkufizimi më i saktë për vonesën e certifikimit të këtyre zgjedhjeve, duke krijuar pasiguri dhe duke i hapur rrugën njollosjes së procesit zgjedhor në dëm të imazhit të Shqipërisë edhe për këto zgjedhje.
Fillimisht duhet të pranojmë që më në fund, për fat të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, këtë herë u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme, për sa i takon procesit të votimit dhe numërimit, në përputhje me standardet e vendosura nga ndërkombëtarët. Por mbi të gjitha ashtu siç i meriton dhe i ka hije popullit shqiptar. Por, për fat të keq edhe këtë herë doli një grup plangprishës për të dëmtuar procesin, duke mos lejuar që këto zgjedhje, që deri më tani janë cilësuar si më të mirat e 20 viteve të fundit, të certifikoheshin si të tilla. Është për të ardhur keq që kjo KQZ gjysmake me këta 4 aktorë partiakë të z. Berisha, vazhdon të ndyjë procesin zgjedhor. Këta katër militantë të betuar të z. Berisha me vendimet e tyre të diktuara politike dhe të marra me 4 vota janë absolutisht në kundërshtim flagrant me nenin 24 të Kodit Zgjedhor. Në përsëritje të mendimit tim, ky komision gjysmak, që nga momenti i parë i dorëheqjes së njërit prej anëtarëve të tij, nëse realisht do të tregonin paanshmëri dhe profesionalizëm në ushtrimin e detyrës së tyre, nuk duhej të funksiononin më që nga ai moment. Por si mund të presim vendime të paanshme nga këta zotërinj, të cilët janë duke shkelur ligjin në mënyrë të hapur, ditën me diell në sytë e gjithë shqiptarëve si dhe të miqve tanë ndërkombëtarë, që po na mbështesin me përkushtim në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian?
E gjithë rëndësia e problemit qëndron në faktin se ligjvënësi e ka hartuar Kodin Zgjedhor në mënyrë të drejtë dhe të qartë, për t’u kuptuar jo vetëm nga “profesionistët” partiakë të KQZ-së, por dhe nga njerëzit e thjeshtë, pasi në nenin 24, Kodi Zgjedhor parashikon se të gjithë vendimmarrjen, që KQZ-ja është duke e realizuar me 4 vota (anëtarë), në mënyrë të detyrueshme, duhet ta marrë me 5 vota (anëtarë), pasi vetëm në këtë formë ato konsiderohen të miratuara ligjërisht. Problemi është se kokëfortësia dhe neglizhenca e kësaj situate nga këta zotërinj po krijon një precedent shumë të keq, që mund të sjellë kosto akoma më të rënda në të ardhmen. Edhe pse të gjitha vendimet e marra prej tyre deri më tani, që janë ankimuar në Kolegjin Zgjedhor, janë rrëzuar prej tij, asgjë nuk ka ndryshuar; ata vazhdojnë të marrin akoma vendime me 4 vota pro, pa u trembur për atentatin që janë duke kryer ndaj shtetit ligjore në mënyrë të hapur. Unë mendoj se siç e kanë nisur këta sypatrembur, rrezikojnë të rishpërndajnë edhe mandatet e deputeteve me 4 vota. Por më e keqja është se të gjitha këto vendime të marra prej kësaj KQZ-je gjysmake, janë absolutisht të pavlefshme, dhe ky fakt do ngelet një precedent shumë i shëmtuar, duke na krijuar dhe një praktikë të paligjshme, pasi nuk dihet se si do zgjidhet kjo situatë në të ardhmen.
Çfarë efekti dhe pasojash do të shkaktojnë vendimet e mara prej tyre në këtë formë që nuk ankimohen nga subjektet e interesuar në Kolegjin Zgjedhor? Vetë veprimi i Kolegjit që vendosi të rihapë dhe rinumërojë kutitë e votimit të Qarkut Kukës, duke e kthyer sallën e gjyqit në një ambient KZAZ-je, tregon më së miri se funksionimi i KQZ-së me katër anëtarë, është i kundërligjshëm dhe i paparashikuar nga asnjë prej normave ligjore të së drejtës në vendin tonë. Vendimi i Kolegjit për rinumërimin e dy kutive të cenuara, që faktikisht kjo çeshtje është objekt hetimi nga ana e Prokurorisë, duke mos ia kthyer për rinumërim KQZ-së, siç ka ndodhur në rastet e tjera të praktikës zgjedhore, demonstron nulitetin e vendimeve të këtij Komisioni. Pra në këtë lloj forme, Kolegji Zgjedhore është duke shmangur KQZ-në, sepse nëse këto kuti do të riktheheshin edhe njëherë për rinumërim në Komision, vendimi i tij për miratimin e tabelave përfundimtare për këto kuti do të ishte serish i pavlefshëm, do të hidhte poshtë vendimin e Kolegjit dhe do të prodhonte vendimin e radhës të paligjshëm.
Ky fakt nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e zgjedhjeve të mbajtura gjatë gjithë këtyre viteve të ekzistencës së shtetit demokratik në Shqipëri duke na krijuar kështu një precedent të ri, që thekson sa absurde është gjithçka po ndodh me KQZ-në. E gjithë kjo katrahurë na tregon edhe njëherë se, është e nevojshme dhe imediate të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor për të bërë ndryshimet e domosdoshme dhe për të rregulluar vakuumin ligjor të krijuar në këtë rast, për të penguar ligjërisht dhe në mënyrë të prerë, që kushdo, qoftë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të ndalohet në kohë në marrjen e vendimeve abuzive dhe të paligjshme dhe jo pasi të sjellë pasoja dhe të ndërtojnë një precedent të keq.