Një shënjtor për mamanë
Albana M. LIFSCHIN
Gjëja më e çvidhosur për mua, kur erdhëm në fillim në Amerikë, ka qënë "Shën Valentini" i parë. Atë mbrëmje im bir më kërkoi 100 dollarë, se "reston e kishte vetë". Ia dhashë e vështrova nga vajza. Edhe ajo po pispillosej në pasqyrë, gati për të dalë.
- Po ti, moj, ku do vesh? Edhe ti je Valentinë sot?
- Jo, nuk jam Valentinë, por e kemi lënë të shkojmë në një restorant me shoqet , o Ba!
- Domethënë, edhe ti do para.
- E po si thua, mos të shkoj? Vetëm një pesëdhjeçe dua… ë, të keqen!
Më kërkonte 50-çen çupa, sikur të qe 50 lekë më të Shqipërisë dikur e jo 50 dollarësh me të Amerikës, që më binte bretku për t'i bërë.
Djali e vajza ikën e unë mbeta vetëm me time shoqe.
- Po ne ç'do të bëjmë, o grua? - Thashë se mos ndoshta donte edhe ajo të dilnim në ndonjë lokal jashtë për Shën Valentinin. Po gruaja ime është ëngjëll, gjithmonë m’i lexon mendimet
- Eh, neve s'na duhen para "për të bërë dashuri", do të rrimë në shtëpi. Kam kaq punë këtu rrotull. Të kujtohet ajo shprehja: "Sa ditë e bukur sot për të larë lëveret?”
Doemos më kujtohej. Ia kisha treguar sime shoqeje atë barcaletë që ditët e para të fejesës tek shkonim lart, nga kisha. Atëhere, në kohët tona, u kujtohet edhe ju besoj, po të të thoshte dikush "isha te kisha apo "do shkoj te kisha", nënkuptohej se kishte qënë në takim. Dmth, kishte bërë apo do vente për të bërë dashuri. Mendo kur të thoshin në mëngjes herët në punë: Ore, më duket se të pashë mbrëmë andej nga… kisha. Vërtet?! Pse, edhe ti atje ishe?
Në fakt askush s'shkonte te kisha e Shën Prokopit për të bërë dashuri. Kisha kishte mbetur si godinë e harruar, pa asnjë funksion kulti për njerëzit, por as edhe me ndonjë funksion strehe dashnorësh. Qe thjesht si pikë referimi. Atë kohë kur ne jetonim një jetë pa kisha e xhami, kisha e Shën Prokopit përkthehej si kodra e liqenit ku shkonin rinia. Dhe doemos atëhere s'kishim Shën Valentin e s'na duhej as Valentini as Valentina. Mund te ishte Drita , Meremja, Zana, Valbona… të gjitha rrezatonin dashuri, teksa ngjiteshin nga kodrat dhe kjo ndodhte çdo dite të bukur me diell a me hënë, behar a dimër, sepse dashuria e ka ngrohtësinë me vete.
Mirëpo këtu në këtë vend ku punojmë aq, sa s'kemi kohë të marrim frymë, ekziston një ditë në pik të shkurtit si për të na thënë: ej, sot çlodhuni, o njerëz, e po mundët kujtohuni edhe për një çikë dashuri.
* * *
Kështu, fëmijët e mi dolën dhe ime shoqe, meqë kishte pak kohë, mblodhi gjithë "lëveret" e palara dhe i futi në thesin e lavanderisë, pastaj zbriti në bodrumin e pallatit, ku qenë instaluar ca lavatriçe.
Atë kohë ra telefoni. Ishte Gaqua, komshiu ynë. Jetonte vetëm me nënën në një apartament dy kate më lart nga ne. Qe martuar e divorcuar dhe s'kishte gjë në terezi për t’u martuar së dyti. Fliste nga celulari. Më pyeti se ç'po bënim.
- Hiç, - i thashë, - po rrimë kot. Fëmijët dolën për Shën Valentinin.
- Epo, po ndaloj një çikë aty te ju, - tha ai. E mora me mend po kthehej nga puna atë kohë. “Epo mirë”, thashë me vete , “ja tek po bëjmë edhe një dorë domino.”
Gaqo hyri duke nxjerrë nga një çantë e madhe plastike një buqetë me trëndafila. Unë hapa sytë. Po kjo?
- Është për Shën Valentinin, - tha.
"Gaqoja, më së fundi, e paska mbërthyer një çupë", thashë me vete
- Hë..hajër?
- Jo, mo, jo. I solla për tët shoqe. Ku e ke Dritën?
S'po merrja vesh. Lule nga Gaqua për gruan time në Shën Valentin?
Gaqua e pa habinë time dhe u nxitua të më tregojë se qe shtrënguar ta blente atë buqetë me trëndafila te dyqani pranë punës, se të gjithë kolegët amerikanë ashtu po bënin e ky s'deshte të dallohej si dhija mes dhënve. Tamam, tamam qe pikërisht kolegu i zyrës që, bashkë me buqetën e tij, kishte blerë edhe një buqetë për Gaqon. Gaqua e kishte falenderuar buzë a gaz, duke i thënë se edhe ai e kishte atë buqetë për të ëmën. Por kur qenë ndarë, rrugës për në shtëpi nuk ishte i sigurt ç'të bënte me të. Grua jo, të dashur jo e jo. Kujt t'ja jepte? Nënës 75 vjeçe? T’i kthente trëndafilat? Do ta çudiste luleshitësen. Kështu që mori rrugën për shtëpi me tufën e luleve në duar.
- Pata hall se do të habisja plakën, o vlla. Do më thoshte, hajt, lipsu, s'je kujtuar të më sillje lule kur kemi qënë në Shqipëri e po më sjell këtu.. Edhe për ç'farë pa? Për Shën Valentinin!Të kanë rrjedhur, mor bir?
- Po mirë, o Gaqo, e marrë vesh, po tani do të çuditësh time shoqe?
Gaqoja hapi krahët si fajtor. Qe vërtet një buqetë shumë e bukur me trëndafila të freskët, të kuq.
Unë pashë reth e rrotull. Mbi tavolinën e mesit, Drita mbante një vazo me lule artificiale. I hoqa ato dhe, në vend të tyre, futa në vazo trëndafilat e Shën Valentinit që Gaqua , komshiu ynë i mirë, ia bënte peshqesh aksidentalisht gruas sime.
Trëndafilat bën efekt të çuditshëm tek ime shoqe . Ajo pandehu se i kisha porositur unë si surprizë për të.
- Uaa, ti je i mrekullushem! Ty s'të ka kush! - thirri sa i pa, më zuri për qafe e me puthi në sy të Gaqos.
Jo vetëm kaq, por u kthye me krenari nga ai dhe tha:
- Hë mo, thuaj, gjen një tjetër burrë më të mirë se ky i imi në lagjen e shqiptarëve këtu rrotull? - Dhe i ngriti trëndafilat nga vazoja. Pastaj, me lulet në dorë, i tha Gaqos të na bënte nje fotografi që ta kishim kujtim për Shën Valentinin.
* * *
Të nesërmen, Gaqua më bën një telefon e më thotë: Ore, e di ç'më ndodhi mbrëmë me mamanë, mua? Pasi më shtroi darkën, tha: Po edhe ti, or bir, si s'u kjutove t'i sillje ca lule nënës tënde sot, si gjithë bota. Nga dritarja shikoja njerëzit me lule në duar. Një tufë lule do na kishte zbukuruar shtëpinë. Ja edhe kjo gjitonia jonë, mosha ime, e mbytën mbesat me lule!
Mua më mbeti luga në gojë…
22 Shkurt 2009