KËNGA E POLIFEMIT
Daut GUMENI
KËNGA E POLIFEMIT
Pas një nate
me gjumë të mbytur në det
qesh dielli majë maleve
i përpushur prej këngës.
Kur derdhet drita
në Shpellat e Himarës
fërrmojnë shkëmbenjtë
me drithmat e zemrës…
…………………………
Edhe me kujtesë të mbytur
nga terri
edhe me kujtësë të trembur
nga tërmeti
edhe me kujtesë të rrahur
nga deti
jam unë Polifemi!
Më hodhën vetëtimat
për të më verbuar
më hodhën detin
të më shkulte rrënjët
më verbuan dhe udhët
nga vijmë e ku vemi,
jam unë Polifemi!
Kur m’i vjedhin dhe dhentë
të m’i kthejnë në peshq
kur m’i gënjejnë qentë e besës
të m’i kthejnë në çakenj,
kthehem e vështroj Atin Diell
në syrin e bukur
dhe ngrihem në valle
të rrah tokën si demi,
jam unë Polifemi!..
.......................................
Pas një nate
me gjumë të mbytur në det
shkrep dielli majë maleve
i përpushur prej këngës…
nga Shpellat e Himarës
del kënga e dhembjes së gurit
për t’i dhënë dhe valës
drithmat e zemrës…
…………………………
vështroj gjithmonë
syrin e bukur të diellit
dhe ngrihem në valle
të rrah tokën si demi,
jam unë Polifemi!..
Himarë, korrik 2008
I LINDUR NGA MJEGULLA
“Dhe i dha frymë baltës
dhe krijoi njeriun...”
Nga Shkrimet e Shenjta
Nëpër mjegullën hapësirë-kohë
njeriu me shtat prej balte
ecën mbi tokë
i trembur nga fundi i udhës.
Nëpër mjegullën hapësirë-kohë
njeriu me shpirt prej drite
ecën mbi tokë
pa u trembur nga fundi i udhës.
Me mendje të përgjumur
me vështrim të lodhur
njeriu me shtat prej balte
llapashitet në batak.
Me qiellin në mendje
me diellin në zemër
njeriu me shpirt prej drite
çel yjet në gjak.
I dalë nga mjegulla
për të humbur në mjegull
njeriu me shtat prej balte
shkroi në baltë të pjekur:
“Dhe e para qe drita”?
I lindur nga mjegulla
për të djegur terrin
njeriu me shpirt prej drite
i priti ëndrrat e fëmijës
siç pret Diellin dita........
NË DITËN E TË SHUMËVE
Në Ditën e Të Shumëve
më ngrohet zemra në pyll
me zjarrin e vjeshtës.
Dhe zjarri i mallit
dhe zjarri i vjeshtës
dhe ecja në pyll
dhe rruga e jetës -
një hap në dritë
një hap në hije.
Ledhatoj lëkurën e çarë
të trungut të pemëve
dhe mbush duart
me gjethet e rëna
si fletë të grisura historie.
Sa pak gjethe
ende të blerta
ka lënë zjarri i vjeshtës
në pyllin e përflakur
me gjethe të arta
me gjethe ngjyrë hekur!
M’i merr nga duart era
gjethet e rëna –
faqe historie
të shkruara nga të vdekurit e gjallë
të grisura nga të gjallët e vdekur…
…………………………………..
Në Ditën e Të Shumëve
më ngrohet zemra në pyll
me zjarrin e vjeshtës.
Tiranë, tetor 2008
NJË THEMBËR DIELLI
I ndamë tok të gjitha
Dheu im
siç ndahen tok të gjitha hallet
me nënën;
më dënuan të të harroj
më dënuan se nuk të harrova
kur ty të dënuan me rrëgjakje të rënda!
Qysh të mos flas me ty
si me vete
Dheu im,
kur dhe në këtë pranverë lirie
që po këndell botën
të shoh si përpiqesh nëpër terr
të shkulësh të keqen tënde
e nuk të dëgjohet një rëngë?
I ndajmë prapë të gjithë tok
i miri im
edhe kur dëgjojmë
një memur të vjetër Sigurimi
që qenkëj lodhur shumë
kur mbyste të pafajshmit me duar!
Edhe kur dëgjojmë
një kalemxhi pallati
të ankohet se e paskej pritur me vonesë
“Valide Sulltania”
(ç’paska hequr dritëshuari!)
Dëgjojmë dhe në këtë shekull të ri,
e kush të lë të ndihesh ti
më i duruari?
Vetëm dëgjon në heshtje
të gjithë shpirtshiturit
e shekullit të vjetër
që përmbi shpinën tënde të përgjakur
hodhën valle!..
Hidhe çapin
fisi im syveshur nga etja për liri
edhe kur gjunjët e prerë
të dridhen si mëzit sapolerë,
fshiji sytë e bukur
me pëllëmbën tënde të munduar
shih ç’ke brenda vetes më të mirë
dhe ha një thembër dielli
ngjyer me djersën tënde
si përherë.
22 Shkurt 2009