6 sinkopa për rikthimin në poezi
Kavafis na kish kanosur: udhëtimi pasuri s’jep. Latinët e çmonin, në mos më shumë, sa jeta. Me këmbë apo me sy, duke shëtitur buzë Tamizit të qetë, apo përmes vargjeve të Një ballkanas në Londër, të jepet përherë rasti t’i kujtosh vetes, njëlloj si katër luanëve të gurëzuar, se si mund të rilindësh e të ulërish edhe një herë si dikur. Në Bibël ndeshim një parabolë të bukur, atë të Bariut që niset të gjejë delen e humbur. Nëse do pranonim kushtin e parë, që Bariu është Poezia, nuk do të jemi larg përfundimit se grigja është sërish e plotë dhe Poezia është ritakuar me Poetin. Thjesht, siç takohen qepallat për të qartësuar shikimin. Sidomos kur nga Rudolf Marku lexon poezi aq të temperuara si Dialog i pamundur, Malet, Një hanë u mbyt në lumin e Tamizit, Trieste, Vaterlo, por dhe atë pyetësor poetik me ritëm të çuditshëm rap-i, Në tren, në tren...
Arian LEKA
*
Rikthimi i poetëve, pas një mungese, ka të bëjë më shumë me poezinë sesa me vetë poetin. Ai mund ta ruajë kuotën a lartësinë qoftë edhe me një poezi të vetme, botuar hershëm, thuajse në rini. Si Rudolf Marku, për shembull, me poezinë kushtuar asaj vendlindjeje ku ofshamat krijojnë re dhe ku njerëzit lindin si bari, mes plasave të gurëve.
Me poezi të tilla duket se Rudolf Markut i ka ngjarë njëlloj si meshtarit që, pas shtegtimit të gjatë, kthehet sërish në vendin e vet të rrëfimit. I ka qëlluar që, në mungesë të tempullit, të meshojë edhe nën qiell të hapur, por t’i jetë lutur përherë së njëjtës Perëndi.
*
Në Perandorinë e Letrave, si në çdo Perandori, secilit i është blatuar me paracaktim një vend a një detyrë. Që prej fillesës, mendoj se Rudolf Markut i është taksur të jetë ruajtës i formulës së vet poetike.
Ngulmimi për të ruajtur substancën e poezisë vetjake, në rastin e tij shndërrohet në estetikë kokëfortë. Sidomos po të kujtohemi se Rudolf Marku jeton përditshëm në një kulturë tjetër (prej shumë ndodhet në Londër), kulturë të cilën ndonëse e pranon, e nderon dhe e përkthen, nuk e lejon t’i prishë rrathët e t’ia shndërrojë qelizën që e lidh me poezinë prej së cilës ka ardhur.
Nuk dihet nëse ishin bardët e hershëm të gegnishtes ata që ia besuan këtë formulë. Përfytyrimi të çon tek ata që, në të tjera Perandori, mbanin ritmin e anijeve me rrema, ata që dinin temperaturat e shkrirjes dhe aliazhet e metaleve, apo ata që njohën masat e përzierjes së squfurit me qymyr druri dhe kristale kripe të bardhë. Nuk dihet nëse lipset më shumë talent, qëndresë apo vetëpërmbajtje dhe durim nga ai, të cilin Rudof Marku e vlerësonte herët, që kur shkroi poezinë mbi lehtësinë e fjalëve të bukura, duartrokitjet dhe kërrusjet me gishta të nxirë, aty në dhomën e punës. Mes rreshtave na thotë se ç’është puna e të bërit poezi në kushte fatlume (me letrën, të dashurit dhe vendin tënd pranë) dhe në pamundësi (me vetminë e hapave të tu).
*
Ka prej atyre që mendojnë se poezia e Rudolf Markut pi prej dy amave dhe rri ndehur mes vetvetes dhe përkthimit.
Krijimtarinë e tij poetike, shtrirë në kohë, por më së shumti prej poezive më përfaqësuese të autorit, e shoh si një kompas, që njërën këmbë e ka ngulur aty ku u mpiks poezia e tij dhe e kombit të vet, ndërsa këmbën tjetrën në Mesdhe, aty ku u ngjiz së pari poezia e qytetërimit tonë, e atij Odiseu homerik që u nis nga Lindja, të cilin udha e shndërroi në Uliks të letrave të Perëndimit.
*
E meqë nuk mund të takohemi në të ardhmen, le ta pranojmë takimin në të shkuarën tonë.
Falë tij arrijmë t’i gëzohemi takimit metafizik, barazisë së moshave dhe përvojave, si në poezinë Dialog i Pamundur.
Pak rëndësi ka nëse takohemi buzë lumit me emrin Drin apo Tamiz, në një qytet buzëkripur me emrin Durrës a Trieste, ose në fletë letre që, pak më mirë se ADN-të, tregojnë sa dhe për çfarë kemi ndryshuar.
*
Si duket, jo krejt pa ndonjë shkak, poezinë e Rudolf Markut Një ballkanas në Londër, e kam shoqëruar nën zë me melodinë e Stingut tek Englishman in New York. Është po ai arketip.
Ai tipi që ngulmon, nuk heq dorë nga e vetja, nga huqet e tij dhe që shëtit nëpër botë bashkë me gungën që mban mbi shpinë. Ai nuk e ndërron çajin për kafe, ecën në anë të kundërt të trotuarit, e do bukën të thekërruar vetëm nga një anë dhe bie në sy prej aksentit, sapo matet të thotë një fjalë. Ky tip dyshon, po nuk pyet nëse është më mirë të bëjë gjësend, paçka se vuan të përqeshurat, apo të fishkëllejë, krejt i natyralizuar me çdo formë ku derdhet, duke ngushëlluar veten se Gentleness, sobriety are rare in this society / A gentleman will walk but never run.
Ky tip mund të jetojë në një brez të gjerë toke, nga Irlanda gjer në Itakë. Dallohet lehtë nëse ka ardhur t’i japë apo t’i marrë botës. I gjallë apo letrar, ai është në pritje të dëgjojë se ç’i kemi sjellë nga udhëtimi. Është po ai udhëtim. I lejlekëve, i salmonëve dhe i njerëzve.
Kavafis na kish kanosur: udhëtimi pasuri s’jep. Latinët e çmonin, në mos më shumë, sa jeta. Me këmbë apo me sy, duke shëtitur buzë Tamizit të qetë, apo përmes vargjeve të Një ballkanas në Londër, të jepet përherë rasti t’i kujtosh vetes, njëlloj si katër luanëve të gurëzuar, se si mund të rilindësh e të ulërish edhe një herë si dikur.
*
Në Bibël ndeshim një parabolë të bukur, atë të Bariut që niset të gjejë delen e humbur.
Nëse do pranonim kushtin e parë, që Bariu është Poezia, nuk do të jemi larg përfundimit se grigja është sërish e plotë dhe Poezia është ritakuar me Poetin. Thjesht, siç takohen qepallat për të qartësuar shikimin. Sidomos kur nga Rudolf Marku lexon poezi aq të temperuara si Dialog i pamundur, Malet, Një hanë u mbyt në lumin e Tamizit, Trieste, Vaterlo, por dhe atë pyetësor poetik me ritëm të çuditshëm rap-i, Në tren, në tren...
Rudolf MARKU
NJË BALLKANAS NË LONDËR
Një ballkanas në Londër është një lumë i rrëmbyer
Që i shtohet Tamizit të qetë. Në Hyde Park
Është një mal që i shtohet rrafshinës së shtrirë;
Në Trafalgar Square është një ujk i murrmë
Që bisedon me katër luanët e përgjumur,
Që zgjon fantazinë e tyre të përdhosur nga turistët,
Që u mëson të ulërijnë edhe një herë si dikur.
Një ballkanas në Londër me historitë e veta
E bën të zverdhet Alfred Hitchcock-un. Sherlock Holmsi
Bën kërkesë që të dalë në pension para kohe
Para krimeve të ngatërruara që tregon ballkanasi.
Kur e merr malli për klubet e Mamurrasit,
Dëgjon BBC-në. Nuk e çudisin
Monumentet e Wellington-it e të Nelson-it,
Për Mbretëreshën thotë - Si mund të jetë Mbretëreshë
Kur i shoqi ia hyp gjithë natën e natës!
Një ballkanas në Londër e di bukur mirë
Se është i dyshimtë për Scotland Yard-in
(Me i dyshimtë është për vendin e vet)
Sheh Pub-et e zhurmshme, qent’ e veshur mirë,
Dhe mendon t’udhëtojë dhe kët’ herë pa biletë.
Një ballkanas në Londër është një lumë i rrëmbyeshëm
Që i shtohet Tamizit të qetë.
DIALOG I PAMUNDUR
Tashmë që kam arrit moshën e babait tim,
Pa asnjë ndrojtje, pa asnjë kompleks edipian,
E ftoj për një gotë në klub. Asht’ vonë,
Ecim rrugëve dhe na pëlqen të shohim vajzat e natës,
Nuk ka rëndësi nëse janë prostituta a të virgjëra
E siguroj se çdo gjë do mbetet mes nesh,
Asnjë fjalë nanës në botën e përtejme.
I themi njëri-tjetrit gjithçka që nuk i thamë;
Shohim hanën, lahemi në lumë, peshkojmë, lavdërojmë,
I thurim hymn vdekjes – Vetëm Vdekja ka bërë të mundur
Që unë të arrijë moshën e babait tim.
Kaq shume vite ka pritur në një varrezë të vetmuar,
Nxitohemi të themi të gjitha gjërat që kurrë s’i thamë
E di që nesër ai do jetë i ndrojtur para meje,
si para një njeriu më të madh në moshë,
Dhe do kërkojë që të vdesë prapë.
TRIESTE
Më sjell një kafe
Dhe nuk më njeh nga shenja në llërë
Mëtuesit janë përqark
Shoh harkun e stërmadh
Nuk më jepet t’u provoj se kush jam.
Një qen më afrohet te këmbët
Nuk është i sigurt nëse nuhatja e gabon
Me kalon pranë pa dyshuar asgjë.
Djaloshi me emrin Telemak
Por ajo kthehet prapë
Dhe më pëshpërit zëulët
Se sonte do më jepet e gjitha në shtrat.
MALET
Mbrame vonë, tepër vonë,
Atëherë kur nuk prisja as dhe një trokitje të vetme
Në oborr dëgjova një rrapëllimë shurdhuese.
Pa arrogancë, por dhe pa ndonjë mirësjellje
Hynë drejt e në shtëpi
Malet. Shkundën në pragun e shtëpisë dëborën,
Ashtu siç shkundim palltot kur hyjmë nga jashtë
Në një ditë stuhie.
Të heshtur e të mençur. Pa shkëmbyer as dhe një fjalë
Më dhanë të kuptoja se kishin bërë rrugë të gjatë.
Ca përrenj kërcenin nga prehri i tyre,
Kapriçiozë dhe njëherësh të ndrojtur,
Ashtu siç janë nipërit në praninë e gjyshërve.
Dy-tre ujq i ulëritën llambës se dhomës
- konfuzion i natyrshëm me hanën.
Një ortek m’u afrua për ta përdorë si nënkresë,
Ndërsa kaprojtë filluan të ndjekin në TV
Lajmet ma t’fundit me të vrarët dhe bursën.
Në mëngjes herët, si të thuash, me gjelat e parë,
Ikën. Pa thënë lamtumirë, madje pa kthyer kokën pas.
Kur fëmijët u kthyen nga shkolla,
I pashë nga dritarja tek luanin për herë të parë me gurë,
Tek përpiqeshin të bënin ca mure të shtrembër që,
Gjithsesi, nuk rrëzoheshin.
VATERLO
Një fushë e shtrirë
Kodra të buta përreth
Në vetminë e një pasdreke vonë.
Vaterlo. A kaq qetësisht na shfaqen disfatat
Në fundin e jetës sonë?
Vaterlo – 2008
22 Shkurt 2009