Pikturat soc-realiste shiten në shesh
Prej gati 2 vitesh, pallati i kulturës “A. Moisiu” në Durrës ka nisur nxjerrjen nga bodrumet e tij, të koleksioneve që përmbajnë vepra artistike të realizmit socialist, duke nisur nga koleksionet e pikturave e deri tek skulpturat, librat e panumërt, duke i ekspozuar, madje edhe për publikun. Ato prej afro 55 vitesh veç emrit të tyre, janë zhytur mes magazinash të pafundme në numër, por të shkatërruara nga lagështira.
Ato vepra prej vitesh nuk shohin dritë në ekspozita e aq më tepër askush nuk ka vënë dorë më tani për t’i restauruar. Janë mbi 1400 piktura dhe skulptura, të cilat paraqesin tematika të ndryshme, që marrin frymëzim nga ushtria popullore e ish-diktaturës, klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste apo çështja e “revolucionit proletar mbi borgjezinë”, të cilat së shpejti do të thyejnë tabutë mbi artin e periudhës moniste. Janë tablo të shumta nga kjo periudhë duke përfshirë vitet 1948-1988. Autorët janë të ndryshëm dhe të njohur. Për ato nuk kujdeset më askush. Ato punime kanë qenë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve të Durrësit, në kohën e shtetit monist, kur liria krijuese mbytej nga ideologjia në shërbim të regjimit në atë kohë që u njoh si “realizmi socialist”.
Pas vitit 1992 ato u hodhën dhe u depozituan në magazinën e qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”. Ruajtja në kushte jo të përshtatshme ka revoltuar autorët e tyre, ndaj së shpejti edhe këto vepra do të trajtohen njësoj si të tjerat, duke i ekspozuar vazhdimisht. Shumë prej atyre që duan t’i shohin janë kuriozë të asaj periudhe, pse jo edhe sikur të blejnë një vepër për ta pasur si koleksion.
Pavarësisht se i përkasin rrymës së “realizmit socialist” edhe këto vepra në pikturë dhe skulpturë do të prezantohen shumë shpejt në një ekspozitë, e para e këtij lloji në Durrës që nga viti 1992. Është menduar që çdo vit të çelet ekspozitë me punime të realizmit socialist, të cilat nxirren pas 20 vitesh për publikun. Duke folur për këtë problem drejtori i pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, Melsi Labi, deklaroi për “standard” se “arti mbetet art, ai nuk duhet parë me emocionet e politikës, nga ky këndvështrim edhe rihapja e ekspozitës mbi “realizmin socialist” duhet parë si një pjesë e historisë dhe e artit shqiptar, unë nuk kam emocion ndaj asnjë sistemi politik”. Zoti Labi tha: “Do të bëj detyrën duke i ekspozuar ato punime, të cilat në mënyrë të pamohueshme janë pjesë e historisë së artit shqiptar”. Ekspozimi i tyre përpara publikut është gjesti i fundit që po u bëhet këtyre veprave të artit të krijuara përgjatë 50 viteve, por njëkohësisht do të jetë edhe strategjia për të shpëtuar 1400 pikturat e skulpturat e vjetruara. Shumë prej këtyre punimeve kanë pësuar dëmtime të rënda, si pasojë e veprimit të pluhurit dhe të lagështirës. Këto punime ishin pjesë e fondit të Galerisë së Arteve të Durrësit, në kohën e shtetit monist, kur nuk lejohej asnjë art tjetër veç atij të “realizmit socialist”. Ekspozimi i tyre pritet të bëhet i përvitshëm, pasi ka mjaft qytetarë që kërkojnë t’i shohin apo edhe t’i blejnë ato.