E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza ndez debat mbarëkombëtar në Amerikë

Në një njoftim zyrtar të Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 30 dhjetor 2009, thuhet se fituesja e çmimit “Nobel” Nënë Tereza, aktorja e njohur Katharine Hepburn, Negro Leagues Baseball dhe Cowboys te Silver Screen dhe 20 personalitete të tjerë, do të jenë figurat që do të pasqyrohen në emetimet e pullave shtetërore amerikane për vitin 2010. Me këtë pullë, vazhdon njoftimi zyrtar, Shërbimi i Postave të Shteteve të Bashkuara nderon Nënë Terezën, fituese e çmimit “Nobel” më 1979-n për punën e saj humanitare.
E njohur për pasionin e saj të pashterur ndaj të varfërve dhe atyre në vuajtje, vazhdon njoftimi zyrtar i Postave të SHBA-së, Nënë Tereza, një murgeshë e besimit katolik dhe qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara, u ka shërbyer me devotshmëri të sëmurëve dhe të varfërve në Indi dhe gjithë botën dhe ka fituar një respekt ndërkombëtar për shpirtin e saj të palodhur bamirës. Ajo ka frymëzuar njerëz të të gjitha moshave, për të punuar dhe ndihmuar njerëzit në nevojë në botë. Njoftimi zyrtar i Postave thekson se Nënë Tereza, me origjinë shqiptare, ka lindur si Agnes Gonxhe Bojaxhiu, më 26 gusht 1910, në Shkup dhe që në moshë të re përqafoi besimin fetar katolik dhe u largua nga familja e saj në moshën 18-vjeçare, për të shërbyer në një mision katolik në Indi. Kur Nënë Tereza pranoi çmimin “Nobel”, thekson njoftimi zyrtar, ajo tha se e merr këtë çmim “në emër të të varfërve, të uriturve dhe të vetmuarve të kësaj bote”. Nënë Tereza është një figurë e njohur dhe e respektuar në të gjithë botën dhe për këtë, Kongresi Amerikan, në vitin 1997, i akordoi asaj “Medaljen e Artë” për kontributin e saj të paparë nëpërmjet veprimtarive humanitare dhe bamirëse.
Në kohën e këtij njoftimi, askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend se vendosja e figurës së Nënë Terezës në pullat e emetuara nga Shërbimi Postar do të nxiste një debat kontradiktor për një figurë që mbase nga shumë të tjerë fitues të çmimit “Nobel” është personi që e ka merituar atë më shumë. Por reagimi dhe qëndrimi zyrtar i Fondacionit të Lirisë Fetare, një organizatë kryesore ateiste, ka nxitur një debat mbarëkombëtar në Amerikë. Fondacioni për Liri fetare, The Freedom From Religion Foundation, po organizon një fushatë bojkotimi dhe po shpërndan njoftime dhe letra si pjesë e një fushate kundër emetimit të pullës së Nënë Terezës, që është një nga 23 pullat e reja që do të emetohen në 2010-n. 
Kjo organizatë, në një njoftim të saj, thekson se vendimi i fundit i Shërbimit Postar bie në kundërshtim me rregullat e shërbimit postar: “Për nderim ndaj institucioneve ose individëve fetarë, arritjet kryesore të të cilëve janë të lidhura me besime ose veprime fetare”. Ata theksojnë se zgjedhja e Nënë Terezës (Agnes Gonxhe Bojaxhiu) është një zgjedhje e gabuar dhe në kundërshtim me rregullat. Fondacioni thekson se ajo ka drejtuar misione fetare dhe fakti që Presidenti Klinton e shpalli atë në vitin 1996 “Qytetare nderi” të Amerikës, nuk ndryshon asgjë.
Por përse një qëndrim i tillë ndaj Nënë Terezës nga kjo organizatë?
është i vërtetë fakti që ajo ka qenë besimtare apo fakti se Nënë Tereza si katolike e dedikuar ka predikuar dhe mbajtur një qëndrim kundër abortit, një nga problemet dhe debatet më të nxehta sot në jetën amerikane, midis grupeve konservatore që janë pro jetës dhe atyre liberalë që janë pro zgjedhjes. Përfaqësues të këtij grupimi ateist theksojnë se Nënë Tereza ka shfrytëzuar gati çdo eveniment publik, përfshi dhe fjalimin e mbajtur gjatë ceremonisë së pranimit të çmimit “Nobel” për të promovuar fenë katolike, sidomos qëndrimin e saj kundër abortit. Por shumë analistë të paanshëm, të përfshirë në këtë debat, theksojnë se pikëpamjet e Nënë Terezës për abortimin nuk mund të errësojnë punën e saj dhjetëra vjeçare filantropike.
Tashmë është një fakt i njohur se Nënë Tereza, edhe kur ishte gjallë, ka pasur shumë kritikë të saj dhe të punës së saj. Por këta zëra kanë qenë gjithmonë në pakicë, krahasuar me ata që vlerësonin mundin e saj të pashterur. Nënë Tereza u kritikua nga revista mjekësore “The Lancet”, ku doktor Robin Fox, shkruante në 1994-n kundër metodave të përdorura nga misioni saj për kurimin e të sëmurëve dhe nga Christopher Hitchens, një kritik i njohur i Nënë Terezës, i cili realizoi edhe një intervistë me këtë Nënë të dashur, ku ajo tregonte historinë e një qytetari që po vdiste dhe ngushëllimin e një motre të misionit të saj me mësimet e Jezu Krishtit.
Por njoftimi zyrtar i Postave të Amerikës i injoron të gjitha këto kritika dhe thekson se “E respektuar në të gjithë botën, ajo me sukses ju kërkonte udhëheqësve të botës dhe korporatave të biznesit që t’i kushtonin pak kohë dhe burime atyre njerëzve në nevojë”. Por edhe këtu, kritikët e saj përmendin disa nga ngjarjet kontradiktore të ndodhura gjatë jetës së gjatë të Nënë Terezës, si rasti i vizitës së saj në Haiti, në kohën kur ishte në pushtet familja Duvalier. Shumë historianë mendojnë se figura e Nënë Terezës është kaq monumentale sa këto qëndrime janë të zakonshme për figura të tilla. Por ata mendojnë se debati i kohëve të fundit e ka burimin kryesisht te qëndrimi i saj ndaj besimit katolik ndaj abortit.
Në këtë debat janë përfshirë edhe mediat amerikane. Në një intervistë me stacionin e njohur televiziv amerikan, FOXNEWS, Annie Laurie Gaylor, një nga drejtueset e Fondit për Lirinë Fetare deklaroi: “Nënë Tereza njihet kryesisht si një figurë që ka drejtuar një institucion fetar. Nuk mund ta shkëputësh të qenin e saj murgeshë dhe katolike nga veprimtaria e saj”. Por Roy Betts, zëdhënës i Shërbimit Postar të SHBA-ve u përgjigjet: “Nënë Tereza nuk nderohet, sepse kjo ka lidhje me fenë ose besimin e saj fetar, ajo nderohet për punën e ndihmën e saj për të varfrit dhe aktet e saj humanitare”.
Duke iu përgjigjur këtyre qëndrimeve kontradiktore nga Fondacioni për Lirinë, zëdhënësi i Shërbimit Postar Betts thotë se edhe Ati Flanagan “u nderua për punën e tij humanitare”. Por Annie Laurie Gaylor nuk sheh ndonjë problem në nderimin e figurave të King ose Malcolm X. Martin Luther King “rastisi që ishte prift”, thotë ajo, kurse sipas saj, “Malcolm X nuk njihej së pari si një figurë fetare”. Por problemi që ka Gaylor dhe pasuesit e saj me Nënë Terezën është i qartë. Asaj nuk i intereson sa ka dhënë Nënë Tereza për njerëzit, për të në qendër të këtij kundërshtimi është qëndrimi i Nënë Terezës kundër abortit. Në vazhdim të këtij qëndrimi kontradiktor, Fondacioni për Lirinë e Fesë u bën thirrje mbështetësve të tij që të mos blejnë pullat me Nënë Terezën. Qëndrimi i këtij Fondacioni bëhet edhe më kontradiktor, kur mësohet se në vite ata nuk i kanë kundërshtuar pullat me pamje të Shën Mërisë, që emetohen çdo fund viti që nga viti 1960, por sipas tyre Shën Maria njihet si Nënë dhe s’ka ndonjë veprimtari tjetër kryesisht kundër abortit.
Por, pavarësisht gjithë këtij debati, janë konsumatorët amerikanë ata që do të thonë fjalën e fundit në nderim të figurës universale të Nënë Terezës, që është shumë e dashur në mes të gjithë popujve të botës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›