E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shoqëri që nuk lexon, shkrimtari Erkoçi: Duhet strategji kombëtare

Në Shkodër vijojnë të botohen libra të rinj nga autorë të ndryshëm dhe në zhanre të larmishme, por interesi i të rinjve për leximin mbetet i vakët. Këtë shqetësim e ndan mësuesi dhe shkrimtari Nadir Erkoçi, i cili thekson se, pavarësisht prodhimit të vazhdueshëm letrar, leximi po humbet terren te brezi i ri.

“Fatkeqësisht duhet thënë se ne na kanë mbetur bibliotekat tona sepse shoh që rinia nuk po ngacmon veten për të bërë bibliotekat e veta”, u shpreh shkrimtari.

Sipas Erkoçit, Shqipëria ka nevojë për një strategji kombëtare të qartë dhe afatgjatë që të nxisë kulturën e leximit, duke e bërë librin më të aksesueshëm, më të pranueshëm dhe më të lidhur me realitetin e rinisë.

“Po bëjmë kaq shumë vite dhe shyqyr që po shkruajmë dhe po lexojmë atë që na pëlqen ne dhe jo ato që na imponoheshin”, tha ai.

Megjithatë, autori shton se botimet e shumta që dalin çdo vit i kanë shërbyer larmisë gjuhësore dhe kanë pasuruar fondin letrar shqiptar, duke ofruar një panoramë më të gjerë gjuhësore, stilesh dhe tematikash.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›