E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Luter King tek Obama

40 vjet pas vrasjes së Martin Luter Kingut, realizohet një nga aspiratat e tij: Një njeri me ngjyrë zgjidhet në postin e Presidentit të vendit. Ai është Barak Obama, imazhi presidencial i Martin Luter Kingut. Ato që Kingu i artikuloi para kombit amerikan, atje, para memorialit Linkoln, në vitet ‘60, u bënë realitet. Njerëzit në këtë vend të fuqishëm demokratik nuk vlerësohen më nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre, sikundër pema nuk vlerësohet nga trungu i saj, por nga frutat që jep, sepse qytetarët amerikanë i kanë flakur të gjitha paragjykimet e vjetra dhe kanë fituar edukatë dhe moral të ri, të cilat varen nga mënyra e jetesës dhe binden nga pozita shoqërore.

Kandidatura e Barak Obamës për President i SHBA-së nuk tregon vetëm guximin e tij personal, por edhe sigurinë dhe dritën që kanë hedhur paraardhësit e tij me ngjyrë për kurorëzimin më të plotë dhe më spektakolar të luftës së tyre shekullore kundër segregacionit racist. Me Obamën u realizua në fund të fundit ëndrra e Martin Luter Kingut për barazi racore.

Në këtë ditë të bukur amerikane, me refleks në të gjithë botën, është nder të kujtohet dhe t‘i thuret homazh atij që bëri gjithçka për të thyer tabut e hierarkisë shoqërore sipas përkatësisë racore.

Martin Luter King është metafora më e bukur dhe më e mirë e jetës dhe e historisë së SHBA-së së pas Luftës së Dytë Botërore. Mund ta quaj edhe një "engjëll të zi" të SHBA-së, me plot aspirata të bukura. Ai është futur në kalendarin dhe mozaikun e ndritur të personaliteteve më të mira të kombit amerikan, sepse ka qenë zëri kumbues, që buçiti në tërë globin, si një aktakuzë kundër dhunës, padrejtësisë dhe racizmit. Martin Luter King ka qenë udhëheqësi i bashkëjetesës e i harmonisë midis racave dhe dishepulli më i shquar i filozofisë së tolerancës të predikuar nga Mahat‘ma Gandi. Gjithashtu, mbetet dhe një avokat i madh për mbrojtjen e drejtave civile të zezakëve të Amerikës. "Është një nga heronjtë më të mëdhenj të të gjitha kohërave në SHBA… Amerikanët duhet të ecin në gjurmët e udhëheqësit të vrarë të të Drejtave Civile, për t‘i dhënë fund padrejtësisë në vend dhe jashtë tij", ka shkruar ish-presidenti karizmatik amerikan, Bill Klintoni.

King ka studiuar për Teologji dhe lauruar në Filozofi. Studimet e tij në Boston e orientuan atë të eksplorojë veprimtarinë e gjithanshme të Gandit, idetë e të cilit u bënë bërthama e filozofisë së tij të protestës aktive pa dhunë kundër racizmit, intolerancës dhe makartizmit. Në vitin 1955, sapo mori gradën "Doktor" në Filozofi, iu kërkua të udhëhiqte Lëvizjen për Bojkotin e Autobusëve në Montgomeri. Në jetën social-politike, ai spikati veçanërisht në organizimin e 382 ditëve të bojkotit të autobusëve urbanë, në shenjë proteste ndaj racistëve të bardhë, të cilët nuk lejonin që në autobusë të uleshin zezakët. Bojkoti i autobusëve e ka zanafillën më 1 dhjetor 1955, kur rrobaqepësja zezake, 42-vjeçarja Roza Parks, e cila ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare në vitin 2006, një grua kjo mjaft e respektuar në qytetin e Montgomerit, ndonëse kthehej mjaft e lodhur nga puna, refuzoi qetësisht t‘i lëshonte vendin e saj një të bardhi dhe për këtë u arrestua. Kjo ngjarje do të jepte sinjalin e Lëvizjes së Bojkotimit të Autobusëve Urbanë. Në krye të organizatës, që udhëhiqte këtë lëvizje, u vu 26-vjeçari Martin Luter King.

Në vitin 1957, King organizon lëvizjen politike Konferenca e Udhëheqësve Kristianë të Jugut, e cila kërkonte të drejtën e votës për zezakët. Ai mbetet luftëtari më i spikatur kundër makartizmit. Dua të theksoj, se pas Luftës së Dytë Botërore, në momentin e hartimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara, secila nga Fuqitë e Mëdha fituese ndeshej me probleme të ndryshme në fushën e të drejtave të njeriut: p.sh., ish-Bashkimi Sovjetik kishte një sistem policor dhe fenomenin gulag; Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndesheshin me problemet e mprehta të segregacionit racial, ndërsa Anglia dhe Franca ishin ende fuqi koloniale. Në të gjitha këto vende predikohej liria. Madje, shumë udhëheqës politikë përgjërohen për lirinë. "Despotët, thoshte Trumani, kurrë nuk e mohojnë se liria është e mrekullueshme, veçse ata e dëshirojnë atë vetëm për vete". Në këto vite, SHBA-ja përjetoi stuhi hakmarrjeje, përbuzje racore e urrejtje ndërmjet njerëzve me ngjyrë, vrasje, akuza absurde, pushime nga puna dhe persekutime, vese këto të nxjerra nga arkivat e kolonializmit.

Në këto vite dolën ligje, që binin ndesh me Kushtetutën amerikane, që binin ndesh me kauzën e Xhorxh Washingtonit dhe Abraham Linkolnit, që binin ndesh me kauzën e etërve themelues të Deklaratës së Pavarësisë si Tomas Xheferson, Samuel Adams dhe Tom Pejn. Në vitet 1950-‘54, SHBA u përfshi nga epidemia e rëndë e sëmundjes së keqe të makartizmit, që gjente mbështetje te ligji famëkeq Taft-Hartlej. Ishin kohë të vështira atëherë për aktorin brilant Çarl Çaplin dhe këngëtarin e famshëm me ngjyrë, Pol Robson, të cilëve iu desh të arratiseshin. Komediografi dhe shkrimtari i talentuar, Artur Miler (bashkëshorti i Merlin Monrosë) iu nënshtrua censurës makartiste, publicisti progresist, Eugen Denis dhe shumë progresistë të tjerë iu nënshtruan proceseve gjyqësore fals. Dhjetëra shkrimtarë të tjerë, artistë, shkencëtarë, politikanë dhe gazeta progresiste si "Nju Jork Tajms" po ballafaqoheshin me inkuizicionet e reja, që po ngriheshin.

Makartizmi ishte aq i pamëshirshëm sa që edhe Ajshtajnit dhe Enriko Fermit ia sfiliti ndërgjegjen. Ishin kohë kur filloi "gjuetia e shtrigave" dhe mbi ketë bazë Artur Mileri shkroi dramën "Shtrigat e Salemit". Po ashtu ishte koha e ashpërsimit të Luftës së Ftohtë, e cila e ka zanafillën me ekzekutimin e bashkëshortëve shkencëtarë, Julius dhe Etel Rozenberg, në karrigen elektrike, më 19 qershor 1953, nën akuzën "për veprimtari subversive dhe spiunazh", për të cilët ish-presidenti Bill Klinton, pas 40 vjetësh, firmosi aktin e pafajësisë së tyre. Udhëheqësit zezakë me Martin Luter Kingun në krye e orientuan masën shumëmilionëshe të popullsisë zezake drejt kërkesave për heqjen e dallimit racial nëpërmjet manifestimeve paqësore. Ata e njihnin mirë Kushtetutën amerikane, e cila ka shërbyer dhe shërben si një dokument i madh progresiv. E dinin që vendi më i zhvilluar, djepi i demokracisë, kombi amerikan, pra, deri në vitin 1865, kultivonte skllavërinë, një nga dukuritë më të shëmtuara të njerëzimit. Ata e dinin që Amendamenti XIII, duke sanksionuar "shpalljen e çlirimit" nga Presidenti Abraham Linkoln, suprimoi skllavërinë, por jo racizmin e egër ndaj zezakëve, i cili u rezistoi me sukses deri në vitet ‘60-të të shekullit të 20-të. Po ashtu, Kingu me shokë, për t‘ju kundërvënë pikëpamjeve, teorive raciste dhe të ashtuquajturave organizata të djathta, që nxisnin krimin, terrorin, linçimin ndaj popullsisë me ngjyrë, siç ishin aso kohe: Ku Klus Klani, Legjioni amerikan, grupet naziste etj., organizoi shoqata dhe lëvizje të fuqishme në të gjithë Amerikën si "Montgomery Improvement Association", "Forca e Zezë e Malcolm X" etj.

Vokacioni i veprës së Martin Luter Kingut është universal, për të gjitha kohërat dhe për të gjithë popujt në botë, që provojnë shijen e hidhur të pabarazisë dhe të nëpërkëmbjes së të drejtave themelore për të jetuar me dinjitet. Këtë shembull e dha edhe Nelson Mandela në Afrikën e Jugut. Sot kur në vendin tonë vazhdon të ketë ende padrejtësi, ndarje dhe zhvillim të pabarabartë të punës e të njerëzve, vepra e Kingut është apel për vetëkorrigjim të politikave ekonomike. Ajo bën apel për një këndvështrim më modern të problemeve sociale të shoqërisë shqiptare, ku njerëzit të shohin përpara e jo të kthejnë kokën prapa. Bën apel për të eliminuar korrupsionin, vetëgjyqësinë, gjakmarrjen, papunësinë, krimin e organizuar, pasurimin e shpejtë e të pandershëm në kurriz të të tjerëve, duke abuzuar me pushtetin në mënyrë cinike etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›