Qeveria, reforma për shfrytëzimin e potencialeve në fushën e energjisë
Kryeministri Berisha në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PPE-së, në Varshavë
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha po zhvillon një vizitë në Varshavë, Poloni, ku po merr pjesë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partive Popullore, i cili startoi dje punimet, të cilat pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.
Kryeministri Berisha shoqërohet nga Kryetarja e Parlamentit shqiptar dhe Nënkryetarja e Parisë Demokratike, Jozefina Topalli dhe deputeti Tritan Shehu.
Në punimet e këtij Kongresi të Jashtëzakonshëm do të diskutohet gjerësisht mbi përmbajtjen e Manifestit mbi zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian dhe hapjen e fushatës zgjedhore.
Më shumë se 2700 pjesëmarrës ndodhen tashmë në Varshavë, ku mes tyre Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Pottering. Në Kongres marrin pjesë liderë të shteteve dhe qeverive si Donald Tusk, Francois Fillon, Angela Merkel, Kostas Karamanlis, Jan-Peter Balkenende, Jean-Claude Juncker, Silvio Berlusconi, Ivo Sanader, Nikola Gruevski, Mikheil Saakashvili, Janez Jansa, Mariano Rajoy.
Kongresi do të udhëhiqet nga Presidenti i PPE-së, Wilfried Martens dhe do të jetë një eveniment i rëndësishëm politik për të hapur fushatën zgjedhore dhe për të shpjeguar në elementë Manifestin, në përbërje të të cilit do të jenë propozime dhe ide të ndryshme në ndihmë të zgjidhjes së shumë problemeve të qytetarëve, veçanërisht në lidhje me krizën ekonomike botërore.
Kryeministri Berisha është i ftuar të mbajë një fjalim në Kongres, mbi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fushën e energjisë dhe për perspektivën e investimeve dhe shfrytëzimit të burimeve energjetike.
Kryeministri Berisha është i ftuar të përshëndesë pjesëmarrësit, gjatë seancës plenare të PPE-së.