E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: Feja na ndihmon të shikojmë dritën e Hyjit në Kishë e në gjirin e njerëzimit

“Edhe nëse mëkati e ndyrësia ia nxijnë fytyrën, feja duhet të na ndihmojë ta shohim praninë e Hyjit në botë e ndërmjet njerëzve”. Me këtë pohim Benedikti XVI e përfundoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur dje paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar Patrikut të Kostandinopojës, Gjermanit. Papa ua paraqiti 40 mijë besimtarëve të mbledhur rreth tij, si protagonist të luftës kundër ikonathyersëve dhe autor të shkrimeve të rëndësishme kushtuar Zojës së Bekuar.
Ç’mund të mësojmë nga një njeri i Zotit, i cili 1300 vjet më parë zgjodhi rrugën e vetëmërgimit, për të mos iu bindur perandorit, që donte ta ndalonte kultin e ikonave, nga frika se një kult i tillë mund të çonte në idhujtari? Nga Gjermani, Patriku i Kostandinopojës, i cili besonte në vlerën shpirtërore dhe edukative, që buron nga nderimi i figurave të shenjta, arrijnë deri tek ne – shpjegoi Benedikti XVI – tre mësime themelore.
Së pari – theksoi Papa:“Zoti, në njëfarë mënyre, bëhet i dukshëm në Botë e në Kishë, e ne duhet të mësohemi ta perceptojmë këtë dukje. Hyji e krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së tij, por kjo shembëlltyrë u mbulua nga ndyrësitë e panumërta të mëkatit e, si pasojë, Hyji nuk nëpërdukej më (…) Figurat e shenjta na mësojnë ta shohim Zotin përmes fytyrës së Krishtit. Pas mishërimit të Birit të Zotit, u bë e mundur të shikohej Hyji në figurat e Krishtit, në fytyrat e shenjtorëve e edhe në fytyrat e gjithë njerëzve, në të cilat pasqyrohet shenjtëria e Hyjit”.
Mësimi i dytë – shpjegoi Ati i Shenjtë - ka të bëjë me liturgjinë. Nëse ajo është e bukur e dinjitoze, na bën ta shikojmë shkëlqimin e Hyjit.
E mësimi i tretë – vijoi Benedikti XVI - na flet për dashurinë ndaj Kishës: “Pikërisht përsa i takon Kishës, ne njerëzit kemi prirjen të shikojmë sidomos mëkatet, anën negative; por me ndihmën e fesë, që na bën të aftë për të parë vërtetësisht, mundemi sot e përgjithmonë, të zbulojmë në të bukurinë hyjnore (…). T’i lutemi Hyjit të na mësojë të shohim në Kishë praninë e tij, bukurinë e tij, të shohim praninë e tij në botë e të na ndihmojë që edhe ne të jemi të tejdukshëm në dritën e tij”.
Këto tre mendime ishin në themel të reflektimit të Papës me besimtarët në katekizmin e sotëm, gjatë të cilit Ati i Shenjtë u rikthye simbolikisht në një periudhë të largët historike, shtatë shekuj pas Krishtit, kur Kostandinopoja u bë qendra e një krize fetare gjatë së cilës Perandori Leoni III, i shqetësuar nga kulti i tepruar i ikonave, iu kundërvu Patrikut Gjermani, që kishte bindje krejt të kundërta. Duke dashur t’i mbrojë opinionet e veta, kur kryeqyteti i perandorisë bizantine u rrethua nga saraçenët, Gjermani organizoi një procesion solemn, të cilit i printe ikona e Nënës së Zotit, Theotokos dhe relikja e Kryqit të Shenjtë, për t’i kërkuar Hyjit mbrojtjen e qytetit. E Kostandinopoja u lirua nga rrethimi, gjë që ndikoi fuqimisht mbi ndjenjat fetare të popullit të krishterë. Pas kësaj ngjarjeje - shpjegoi Papa: “Patriku Gjermani (…) u bind se ndërhyrja e Zotit duhej parë si miratim i dukshëm i nderimit që kishte populli për ikonat e shenjta (…). Por më kot bëri thirrje për mbrojtjen e traditës së Kishës dhe të disa ikonave me vlerë të madhe, që njiheshin një zëri si të mrekullueshme”.
Ndonëse e cilësoi patrikun Gjermani si një mendimtar jo shumë të shquar në fushën teologjike, Benedikti XVI i njohu disa merita të tjera, posaçërisht disa mendime të tij lidhur me mariologjinë. Një nga shkrimet e Gjermanit - shtoi Papa - u citua nga Piu XII në Kushtetutën dogmatike Munificentissimus Deus, me të cilën Papa Paçeli, në vitin 1950, shpalli dogmën e Të ngjiturit të Zojës në qiell. Posaçërisht - vijoi të nënvizonte Benedikti XVI për Patrikun Gjermani: “Homelitë e tij të shkëlqyera kushtuar Paraqitjes së Zojës së Bekuar në Tempull, janë edhe sot e kësaj dite dëshmi të gjalla të traditës së pashkruar të Kishave të krishtera. Brezni të tëra murgeshash, murgjërish e anëtarësh të Instituteve rregulltare, vijojnë të gjejnë në këto tekste thesare të çmuara përshpirtërie”.
Si përfundoi përmbledhjen e katekizmit në disa gjuhë të botës, Papa përshëndeti posaçërisht një grup, ardhur nga Sardenja për t’i kthyer Atit të Shenjtë vizitën në Ishull gjatë shtatorit të kaluar. Më pas, duke kujtuar se sot përkujtohet Shën Katerina nga Siena, dijetare (doktoreshë) e Kishës dhe bashkëpajtore e Italisë, Benedikti XVI i ftoi në mënyrë të posaçme të rinjtë të dashurohen me Krishtin, si Shenjtorja sieneze e, si ajo, ta ndjekin me zell e besnikëri.
Ati i Shenjtë shpreh dhimbjen për vuajtjet që disa anëtarë të Kishës u shkaktuan aborigjenëve të Kanadasë/Pas audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI u takua, në Sallën e Palit VI, me një delegacion përfaqësues të indianëve të Kanadasë, ndërmjet të cilëve, edhe Fil Fontenë, udhëheqës kombëtar i Asamblesë së vendasve, si dhe kryetari i ipeshkvijve kanadezë, kryeipeshkvi Xhejms Vaisgjerber. Benedikti XVI - njofton një komunikatë e Selisë së Shenjtë - dëgjoi historitë dhe shqetësimet e aborigjenëve. Papa kujtoi se, që në zanafillë të pranisë së saj në Kanada, Kisha ka qenë gjithnjë pranë popullsisë vendase. Prandaj shprehu keqardhjen e tij të thellë për vuajtjet e shkaktuara nga sjellja e dënueshme e disa njerëzve të Kishës, të cilët drejtojnë shkollat rezidenciale për fëmijët e popullsisë vendase të Kanadasë. Papa i siguroi mysafirët se merr pjesë në shqetësimin e tyre dhe u shprehu solidaritetin e tij, duke theksuar me forcë se shpërdorime të tilla janë krejtësisht të palejueshme. Së fundi – shkruhet në notë – Ati i Shenjtë u lut për ata që kanë vuajtur, uroi që të gjejnë sa më shpejt ngushëllim dhe i inkurajoi përfaqësuesit e aborigjenëve të ecin përpara me shpresa të reja.
Nga fundi i viteve 1800, qeveria federale e Kanadasë ngriti disa shkolla të njohura si ‘rezidenciale’ për fëmijët aborigjenë. Është fjala - shpjegon një notë e episkopatit kanadez – për struktura të financuara nga shteti e të drejtuara nga organizata të ndryshme fetare, të cilat vijuan të funksionojnë deri 30 vjet më parë. Prej 76 shkollave rezidenciale, të ndjekura nga rreth njëqind mijë nxënës, 45 mbarështoheshin nga organizmat katolike. Fëmijët vendas, kujton nota, u shkëputën nga familjet e u detyruan të hiqnin dorë nga gjuha e tyre, nga feja e tyre e nga mënyra e tyre e jetesës, për t’iu përshtatur kulturës evropiane. Disa nga nxënësit qenë viktimë e shpërdorimeve fizike e seksuale. Ipeshkvijtë nënvizojnë se të gjitha bashkësitë rregulltare e dioqezat, ashtu si dhe Kishat e tjera, u kanë kërkuar zyrtarisht falje aborigjenëve të Kanadasë. E kërkesë publike për falje u bëri aborigjenëve, më 11 qershor 2008, edhe kryeministri Stefen Harper, në një seancë të posaçme të Dhomës së Komuneve. Bashkësitë vendase kanë arritur një marrëveshje për shpërblim ekonomik me qeverinë kanadeze si dhe me bashkësitë fetare të përfshira në këtë shkandull.
Marrë nga “Radio Vatikani”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›