E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët kërkojnë rindarjen e Njësisë 6, pasi shqiptarëve po u mohohen 3 deputetë

02-11-2012 / Gazeta 55

Qeveria është më mirë të kujdeset për punën e saj dhe të revidojë kufijtë e Njësive zgjedhore dhe jo të merret me KSHZ-në, e cila punën e vet e ka kryer si duhet deri më tani. Kjo ka qenë përgjigja e kryetarit të grupit punues për pastrimin e Listës zgjedhore, Bedredin Ibrahimi, njëherësh anëtar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndaj akuzave të një dite më parë të Qeverisë, e cila i kërkoi KSHZ-së që të jetë më efikase dhe të respektojë afatet ligjore. Me këto fjalë, Ibrahimi alarmoi se Njësia zgjedhore 6 tanimë ka mbi 30 mijë votues më shumë se Njësitë 3 dhe 4, duke kaluar dallimin e lejuar prej 5 për qind, me çka sipas tij, shqiptarët kanë humbur të paktën tre deputetë dhe kjo paraqet diskriminim në peshën e votës. “Siç janë të informuar të gjithë qytetarët, një intervenim i tillë u bë në vitin 2011, mirëpo sipas meje, është intervenim kozmetik nga shkaku se pas një viti, përsëri na paraqitet rritja e votuesve në Njësinë 6. Sa për ilustrim, dallimi në mes Njësisë 6 dhe Njësisë 3 është 32.901 votues, kurse në mes Njësisë 6 dhe Njësisë 4, është 30.643. Keni parasysh shpërndarjen e Njësive zgjedhore 1, 2, 5 dhe 6, çfarë votuesish jetojnë atje dhe cila është struktura nacionale e atyre votuesve. Sa për ilustrim do të jap edhe këtë të dhënë se dallimi në mes Njësisë 3 dhe 4, është 2.258 që do të thotë se në Njësinë 6, në raport me Njësinë 3 dhe 4, humben më së paku 3 deputetë”, tha Ibrahimi. Ai paralajmëroi se gjatë ditëve në vazhdim, KSHZ këtë do t’ia sugjerojë edhe zyrtarisht Qeverisë duke e cilësuar si kozmetik ridefinimin e kufijve të Njësive zgjedhore në vitin 2011. Ai, gjithashtu hodhi postë edhe akuzat e ekzekutivit në lidhje me punën e grupit punues që ai drejton për pastrimin e Listës zgjedhore, duke njoftuar se numri i qytetarëve që ende nuk janë pajisur me dokumente biometrike është ulur në 107 mijë që jetojnë në vend dhe 32 mijë jashtë Maqedonisë. “Janë të pabaza të gjitha vërejtjet, të cilat u bënë dje nga ana e Qeverisë. KSHZ dhe grupi punues, të cilin e drejtoj unë, ka punuar në mënyrë transparente dhe në të cilën kanë qenë të kyçur edhe përfaqësues të OSBE-së, Komisionit Evropian, ambasadës së SHBA-ve, si dhe përfaqësues të partive politike parlamentare në Maqedoni. Rezultatet ishin konkrete dhe aktualisht kemi ardhur në numrin prej 107 mijë qytetarë, të cilët nuk kanë dokumente biometrike dhe 32 mijë, të cilët gjinden jashtë vendit”, tha Ibrahimi. I pyetur nga gazeta “Koha” për komunat ku numri i votuesve ka rezultuar më i madh se ai i qytetarëve të regjistruar në vitin 2002, anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi tha se për një situatë të tillë, nuk janë të njoftuar zyrtarisht nga askush. “Nuk e kemi atë të dhënë zyrtarisht”, u përgjigj shkurt Ibrahimi. Akuzave të Qeverisë u është përgjigjur edhe kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Boris Kondarko, i cili tha se ky Komision me përkushtim po punon në pastrimin e Listës zgjedhore në pajtim me kompetencat që i ka. “Në Republikën e Maqedonisë asnjë Komision shtetëror deri tani nuk ka ndërmarrë aktivitete të tilla për Listën zgjedhore dhe se në pastrimin e këtij dokumenti, punon një grup në kuadër të Komitetit drejtues të Qeverisë, ku kanë përfaqësues të tyre ministritë kompetente, Sekretariati për çështje evropiane, OSBE-ja, BE-ja, Ambasada e SHBA-së, të organizatës joqeveritare MOST, si dhe të partive politike”, tha Kondarko, duke potencuar se deri më tani nga asnjë prej pjesëmarrësve nuk ka pasur vërejtje për punën e këtij grupi.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›