E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në ambasadë, denoncohet polici grek

 
Një biznesmen ka denoncuar dje policin e ambasadës greke me akuzën e kërcënimit. Policia heton ngjarjenTIRANË- Polici i ambasadës greke akuzohet se ka kërcënuar me pistoletë një biznesmen që priste në radhë. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, pranë Ambasadës Greke në Tiranë, kur Sokol Saraçi është kërcënuar me pistoletë nga polici grek. Mësohet se Saraçi qëndronte në radhë për të dorëzuar një dokument pranë kësaj ambasade, kur polici grek ka dhënë urdhër që ata të largohen e të mos qëndronin pranë derës. Përgjigja e biznesmenit se nuk kanë ku të shkojnë, duket se ka irrituar policin, i cili e ka mbërthyer prej rrobash atë dhe më pas mendohet se i ka drejtuar pistoletën. Ngjarja ka tmerruar gra, burra dhe fëmijë të cilët qëndronin në radhë pranë ambasadës. Fill pas kërcënimit, Sokol Saraçi ka mbërritur në ambientet e komisariatit të policisë nr.2 dhe ka denoncuar policin grek. Burime nga policia thanë se kanë regjistruar deklaratën e të dëmtuarit, dhe po punohet për të zbardhur ngjarjen. Mësohet se polici grek quhet Apostol, por nuk dihen gjeneralitetet e tjera të tij. Incidenti“Ju jeni farë e turkut, jeni turq..” e ndërsa thoshte këto fjalë polici grek me emrin Apostol, fyente dhe kërcënonte qytetarët që prisnin pranë ambasadës Greke për të dorëzuar dokumentet për vizë. Gjithçka ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 12:00 kur shumë qytetarë qëndronin në radhë për të dorëzuar dokumente apo për të marrë vizë pranë ambasadës greke që ndodhet pranë bllokut të ambasadave te rruga e “Kavajës” në Tiranë. Në radhë qëndronte edhe biznesmeni Sokol Saraçi i cili do të dorëzonte një dokument pranë kësaj ambasade. Në një moment polici grek që qëndron te porta ka urdhëruar qytetarët të largohen, pasi ata po qëndronin pranë strehës së portës për t’u mbrojtur nga shiu. Por polici u është drejtuar personave të shkojnë e të presin në lokal apo të merrnin çadër me vete. Ndërkohë, sapo ka hasur në kundërshtimin e Saraçit për t’u larguar, polici grek ka thënë se ai duhet të largohej i pari. “Unë i thashë se nuk largohem pasi do të dorëzoj një dokument në ambasadë por ai më kapi prej xhakete dhe filloi të shante. Për të mbrojtur e kapa edhe unë për ta larguar por ai nxori pistoletë, tytën e së cilës e vuri në barkun tim. Njerëzit u alarmuan, aty kishte dhe fëmijë”- tregoi për gazetën “Shekulli” protagonisti i kësaj ngjarjeje Sokol Saraçi. Sipas tij polici filloi të shante dhe të ofendonte. Duke qenë se Saraçi kishte qëndruar shumë kohë në Greqi e dinte mirë gjuhën dhe e kuptonte fare mirë policin i cili fliste vetëm greqisht. Biznesmeni tregoi më tej, se policin e larguan në atë moment. Denoncimi
Menjëherë pas incidentit Sokol Saraçi ka shkuar në ambientet e komisariatit të policisë nr.2, ku dhe ka denoncuar kërcënimet e policit grek. Mësohet se policia nuk mund të hyjë në ambasadë, por po heton për të zbardhur me saktësi këtë incident. Policia bën me dije se polici quhet Apostol, pa bërë të ditur gjeneralitetet e tjera të tij. “Ne nuk po bënim asgjë të keqe, po qëndronim në radhë, dhe po mbroheshim nga shiu në një strehë afër derës. Polici grek na urdhëroi të largoheshim dhe asnjë prej qytetarëve nuk guxonte të fliste, unë dija greqisht dhe i thashë po mbrohemi nga shiu. Në këtë moment ai i irrituar më tha se duhet të largohesha unë i parë. Kundërshtimit tim ai iu përgjigj me dhunë dhe kërcënime me armë. Nxori pistoletën në sy të fëmijëve që ndodheshin në atë moment aty. Ky është një skandal, që mund të ndodhë në ambientet e një ambasade” -tregoi Sokol Saraçi. Sokol Saraçi rrëfen për “Shekullin” incidentin pranë ambasadës greke
Denoncuesi: Do e çoj çështjen deri në fund
“Mua më vjen keq për të gjithë ata hallexhinj që presin me ditë dhe orë të tëra pranë dyerve të ambasadës, dhe trajtohen keq nga policët grek, ndaj dhe këtë ngjarje nuk doja ta mbyllja brenda dyerve të kësaj ambasade”. Sokol Saraçi në një intervistë për gazetën “Shekulli’ tregon të detaje nga incidenti që ndodhi pranë Ambasadës Greke që ai e quan një skandal sjelljen e policëve grek.
Si ndodhi ngjarja?
Ka qenë ora rreth 12:00 e mesditës dhe unë u paraqita pranë ambasadës Greke për të dorëzuar një dokument. U futa në radhë meqë kishte njerëz. në një moment po binte shi dhe po qëndruam në një strehë pranë derës kryesore të ambasadës. Polici grek duke folur në gjuhën e tij na urdhëroi të largoheshim e të prisnim në lokal ose të merrnim çadër me vete dhe sipas tij s’kishim pse mbroheshim nga shiu në strehën e derës. Unë i thashë se na duhet të presim për të dorëzuar dokumente dhe nuk mund të largoheshim. I irrituar se guxova të flisja, ai me një ton të ashpër të thotë se unë duhet të largohesha i pari. Përsëri e kundërshtova duke i thënë se nuk do largohesha pa mbaruar punë. Në këtë moment ai më tërhoqi prej rrobash duke më kapur në fyt. Iu ktheva për tu mbrojtur por ai nxori pistoletën dhe duke fyer e kërcënuar me drejtoi tytën e armës në pjesën e barkut. I thashë të qëllonte. Aty kishte shumë fëmijë, gra e burra.
Më pas çfarë ndodhi?
Njerëzit u tmerruan filluan të bërtisnin. Polici u fut brenda dhe e ndërruan me një tjetër për momentin. Shkova në polici te komisariati nr.2, dhe bëra denoncim.
Çfarë ju thoshte polici grek?
Ofendime nga më të ndryshmet. Ju jeni farë e keqe e turkut. Jeni turq. Dhe fyerje të tjera të rënda.
Si do veproni më tej?
Do ti shkoj deri në fund kësaj ngjarjeje. Mua më vjen keq për të gjithë ata hallexhinj që presin me ditë dhe orë të tëra pranë dyerve të ambasadës, dhe trajtohen keq nga policët grekë, ndaj dhe këtë ngjarje nuk doja ta mbyllja brenda dyerve të kësaj ambasade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›