E Diel, 1 Nëntor 2026

Një tjetër model zhvillimi: Shteti zhvillimor

BLENDI KAJSIU

Për të propozuar një model tjetër nga ai që është zbatuar në Shqipëri këto njëzet vitet e fundit, së pari është e rëndësishme të kuptojmë tiparet kryesore të modelit aktual të zhvillimit. Aktualisht, në Shqipëri ka kohë që është implementuar një model neoliberal zhvillimor. Në zemër të këtij modeli qëndron filozofia se tregu dhe vetëm tregu është burim zhvillimi,  ndërsa shteti është pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik. Për pasojë, ky model synon që të reduktojë vazhdimisht shtetin dhe të zgjerojë vazhdimisht tregun. Më konkretisht, gjashtë karakteristikat kryesore të këtij modeli, siç është zbatuar në Shqipëri, janë:
Tregtia e lirë: hapja e tregjeve lokale ndaj produkteve ndërkombëtare, eliminimi i politikave mbrojtëse për produktet lokale.
Privatizimi total i aseteve shtetërore; duke përfshirë edhe sektorët strategjikë si financa, telekomunikacioni dhe energjetika.
Përparësi për investimet e huaja dhe jo për ato shqiptare; privatizimi i sektorëve strategjikë për kapitalin e huaj.
Investimet e huaja si motor i zhvillimit lokal; hapja totale e ekonomisë shqiptare ndaj investimeve të huaja.
Reduktimi i rolit të shtetit: Shteti përpiqet të lehtësojë zhvillimin si arbitër, por jo si aktor.
Tregu si prioritet absolut: Vendosja e shtetit dhe e shoqërisë në funksion të tregut, dhe jo anasjelltas.
Këto janë parimet themelore ekonomike të modelit tonë të zhvillimit që kanë përcaktuar edhe politikat kryesore ekonomike të qeverive shqiptare këto njëzet vitet e fundit.
Por, dimensioni ekonomik i modelit zhvillimor neoliberal nuk mund të kuptohet pa dimensionin politik që e ka legjitimuar dhe mbuluar atë. E kam fjalën për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Që nga momenti kur studentët rrëzuan komunizmin me moton E duam Shqipërinë si gjithë Europa, çdo qeveri shqiptare e ka shpallur integrimin në BE si prioritet politik absolut. Ama, integrimi nuk vjen badihava. Në shkëmbim të integrimit Europa na ka kërkuar hapjen totale të tregjeve, d.m.th. tregtinë e lirë dhe privatizimin e sektorëve strategjikë, që nga telefonia deri te sistemi bankar.
Rezultati është i thjeshtë dhe i qartë; sektorët kryesorë dhe strategjikë të ekonomisë shqiptare, siç janë telekomunikacioni dhe energjetika, kontrollohen kryesisht nga kapitali europian (grek, austriak dhe çek). Tregjet shqiptare janë tërësisht në dispozicion të firmave europiane që përfitojnë aty qindra milionë euro çdo vit duke shitur produktet e tyre. Deficiti ynë i frikshëm tregtar me BE-në do të thotë që ne humbasim çdo vit qindra milionë euro nga tregtia e lirë. Por, nuk po them se ne shqiptarët kemi dalë tërësisht të humbur nga marrëdhënia me BE-në. Pas njëzet vitesh BE-ja na dha lëvizjen e lirë.
Emëruesi i përbashkët i dimensionit ekonomik dhe politik është presupozimi bazë se zhvillimi i Shqipërisë buron tërësisht nga jashtë. Nga pikëpamja ekonomike, Shqipëria do të zhvillohet vetëm nëse arrin të tërheqë investimet e huaja. Nga pikëpamja politike, Shqipëria do të zhvillohet vetëm nëse kopjon legjislacionin e BE-së. Për pasojë, qeveritë shqiptare nga njëra anë janë bërë telef duke i shitur sektorët më strategjikë dhe fitimprurës të ekonomisë shqiptare (sistemi bankar, telekomunikacioni, minierat dhe energjetika) kapitalit të huaj, dhe kjo është shitur me krenari si investim i huaj. Nga ana tjetër, çdo qeveri është lodhur duke kopjuar legjislacionin e BE-së, aq sa tashmë ne krenohemi se kemi ligje komplet allafrënga.
Të dyja premisat e modelit të mësipërm zhvillimor janë të gabuara. Përsa i përket zhvillimit të deritanishëm ekonomik shqiptar (sepse e vërteta është se kemi pasur rritje ekonomike gjatë kësaj periudhe), ai ka ardhur në shumicën dërrmuese si pasojë e punës së shqiptarëve dhe jo nga investitorët e huaj. Më thjesht, kanë qenë gati një milion shqiptarë që kanë punuar në emigracion, që kanë injektuar rreth një miliard euro çdo vit, direkt në ekonominë shqiptare. Investimi i huaj ka qenë një përqindje mjaft e vogël në krahasim me remitancat, që kryesisht ka përfituar nga ky injektim financiar më shumë sesa ka kontribuar tek ai (p.sh. telefonia celulare). Ama, rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e konsumit, dhe jo si pasojë e rritjes së produktivitetit të ekonomisë shqiptare. Fakti që ekonomia shqiptare nuk konkurron dot as me ekonominë maqedonase, është treguesi më i thjeshtë i nivelit tonë të produktivitetit. Shkurt, rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (ose GDP-së, siç i thonë në anglisht), tregon kryesisht rritjen e konsumit si pasojë e remitancave. Pra, kemi të bëjmë me një rritje të paqëndrueshme.
Po kështu, kopjimi i legjislacionit europian nuk e ka bërë Shqipërinë as më demokratike, dhe as më funksionale. Përkundrazi, ne sot kemi ligje europiane që nuk kanë lidhje me realitetet shqiptare. Ndonëse këto ligje mund të ishin të mira për realitetin apo administratën publike franceze, italiane apo gjermane, nga ku janë kopjuar, ato kanë pak lidhje me kapacitetet dhe realitetet lokale. Për të kuptuar këtë mjafton të shikosh koston financiare që kërkon zbatimi i ligjeve që aprovon Parlamenti shqiptar. I gjithë buxheti i qeverisë shqiptare nuk do ishte i mjaftueshëm për të zbatuar ligjet që Parlamenti shqiptar kopjon nga BE-ja. Shkurt, ligjet jo vetëm nuk zbatohen, por ato që në konceptim janë të pazbatueshme. Ligji antiduhan është rasti më tipik i këtij fenomeni, ndonëse e njëjta gjë mund të thuhet për shumë nene të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
E, megjithatë, premisa bazë e modelit neoliberal të zhvillimit mbetet ideja se zhvillimi buron nga jashtë. Ndaj, një model tjetër zhvillimi duhet të ketë si parim themelor idenë se zhvillimi buron nga brenda, ndonëse mund të ndihmohet jashtë. Kjo nuk do të thotë që tregtia me jashtë, ndihma e huaj apo edhe investimet e huaja nuk kanë rol, por që ato nuk mund të zëvendësojnë zhvillimin e brendshëm, por ta përshpejtojnë atë. Tregtia dhe investimet e huaja duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, dhe jo anasjelltas, sikurse po ndodh sot kur territori dhe ekonomia e Shqipërisë vendoset në funksion të nevojave të ekonomive fqinje për investim, për tregje, për krahë të lirë pune, për lëndë të parë apo për territor.
Premisa bazë se zhvillimi buron nga brenda do të thotë se Shqipëria mund të bëhet një vend i zhvilluar vetëm nga shqiptarët. Përndryshe, nëse presim që të vijë dikush nga jashtë, një kapitalist europian altruist si nënë Tereza dhe të na zhvillojë, do të mbetemi përgjithmonë të fundit në rajon dhe në kontinent. Të kuptohemi, nuk po them se nuk do të zhvillohemi fare. Por po them se do të mbetemi një xhep i varfër i Europës, një lagje e varfër e një qyteti të pasur dhe të tilla në Europë ka plot. Kapitalizmi altruist nuk është shpikur ende. Nëse nuk je i aftë të kujdesesh për veten, askush nuk do të kujdeset për ty në ekonominë globale.
Po kush duhet të kujdeset konkretisht për interesin kombëtar shqiptar? Kush duhet ta përcaktojë dhe mbrojë këtë interes? Natyrisht që interesat tona kombëtare duhen përcaktuar dhe ruajtur në mënyrë demokratike nga të gjithë ne. Ama, askush tjetër nuk mund ta kryejë këtë funksion më mirë sesa shteti shqiptar. Prandaj një model alternativ zhvillimi që bazohet te premisa bazë, se zhvillimi buron nga brenda, i jep një rol parësor shtetit në procesin zhvillimor. Nga shteti indiferent duhet të zhvendosemi në konceptin e shtetit zhvillimor. Ndryshe nga modeli neoliberal, ku shteti është kryesisht spektator në procesin e zhvillimit, në modelin alternativ shteti duhet të jetë pjesëmarrës në projektin e zhvillimit. Prandaj modeli alternativ i zhvillimit quhet modeli i shtetit zhvillimor (developmental state). Ky është një model që është aplikuar me sukses nga mjaft vende, dhe sidomos nga Tigrat e Azisë, që tashmë klasifikohen si vende të zhvilluara.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›