Në vend të një kabllogrami për gjyqin ndaj Metës
Ish- ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, në raportimet e tij të përjavshme nga Tirana, zbuluar së fundmi nga siti Wikileaks, në mënyrë shumë interesante e mbyllte kabllogramin me një thënie të javës. Në një nga këto kabllograme, kur duket qartë se i është mbushur kupa nga zullumet e qeverisë, ai si thënie të javës përdor të famshmen e Faik Konicës Shqipëria u bë nga idealistët, e ruajti rastësia dhe po vritet nga politikanët. Pas publikimit të thuajse të gjitha njoftimeve interesante të ambasadës amerikane, gjithkush pret pasojat. Këtu asgjë nuk ndodh. Siç shkruante së fundmi edhe një autor tek Forbes, ky ishte një tërmet që nuk ishte. Fundja në llumin e politikës shqiptare nuk mund të presësh asgjë.
Nëse i rikthehesh sërish atyre dokumenteve, mund të vësh re se me sa kujdes i ka ndjekur ambasada amerikane gjyqet që zhvillohen në Shqipëri. Sidomos zhvillimet në Gjykatën e Lartë kanë qenë në qendër të vëmendjes së saj, duke nisur që nga gjyqi i Lulzim Bashës e Fatmir Mediut, që komentohen në çdo detaj e duke përfunduar tek lirimi i narkotrafikantëve dhe kriminelëve të rëndomtë nga kjo gjykatë. Është e qartë se e gjithë shpresa e demokracisë më të madhe në botë ishte të shihte një rezultat nga Gjykata e Lartë, një dënim, qoftë edhe një të vetëm. Ai do të thyente mitin e pandëshkueshmërisë në këtë vend dhe do ishte një sinjal jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.
Sot në këtë gjykatë pritet të zhvillohet seanca e radhës ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Ajo mund të jetë një seancë vendimtare në rrugën që do të marrë gjyqi. Vendimet që po zbardh sot gazeta Tema, dhënë nga kjo gjykatë në korrik, nuk lënë shumë hapësirë për të menduar se do ndodhë ndryshe nga sa ka ndodhur më përpara.
Dhe nëse do tentonim të bënim një koment përfund një kabllogrami të supozuar të ambasadës amerikane për këtë ngjarje, do të shkruanim:
Pasi në video Ilir Meta shfaqi bindjen e tij se me Gjykatën e Lartë i kishte punët shumë mirë për shkak se kishte punësuar në një ambasadë të bijën e kryetares së Gjykatës, kjo gjë nisi të provohej edhe në realitet kur dosja e përgatitur nga prokuroria shkoi në dyert e Gjykatës. Edhe pse Ilir Meta tentoi të bënte një gjest prej injoranti, duke thënë se kishte urdhëruar Gjykatën të mos e mbyllte gjyqin për shkaqe procedurale, Kolegji Penal tha se dosja kishte mbërritur brenda afateve. Por kur erdhi puna tek çështja e ekspertizës, përgatitur nga një amerikan dhe një britanik, të cilët provuan se video ishte origjinale dhe nuk kishte asnjë ndërhyrje, Gjykata nxori kokën e saj. Ajo rrëzoi ekspertizën duke u mbështetur tek një Konventë, pa cituar askund Kodin e Procedurës Penale, i cili nuk ndalon ekspertizën e huaj. Për më tepër, shumica në Gjykatë tha se ekspertët nuk kishin bërë betimin, duke mashtruar pasi prokuroria kishte dorëzuar deklaratën e betimit të tyre. Gjykata tha se prokuroria duhej të kishte përfshirë Ministrinë e Drejtësisë në komunikimin e saj me ekspertët, duke thënë se duheshin dërguar letërporositë jashtë. Po harruan se ekspertët e huaj mund të vijnë në Shqipëri. Ministria e Drejtësisë dhe një zagar i ri gjahu i PD (Eduard Halimi) do e kishin rrënuar procesin siç kanë bërë me shumë letërporosi të mëparshme (sidomos në rastin Fazlliç). Kurse në një seancë të mëvonshme, Gjykata vendosi se radhën e gjyqit duhej ta diktonte mbrojtja. Edhe pse në sallë kishin mbërritur dëshmitarët, Kolegji Penal ktheu mbrapsht të gjithë historinë qindravjeçare të gjyqeve në botë, duke diktuar dëgjimin e pretendimeve të mbrojtjes në vend që të nisë gjyqin akuza.
Raportimet e medieve se një nga anëtaret e trupit gjykues ka darkuar me Metën dhe ka konflikt interesi pasi i shoqi i saj, pretendent për tu rizgjedhur guvernator, varet nga votat e të akuzuarit, e bëjnë edhe më pesimiste situatën. Ekziston mundësia reale që ekspertiza ti lihet në dorë Ministrisë së Brendshme. Atë do e kryejë i paprekshmi i Berishës, Agron Kuliçaj.
Kjo padi gjyqësore duket se është një sfidë për besueshmërinë e gjyqësorit, pasi është e qartë se numërohen me gishta ata persona që mendojnë se Meta është i pafajshëm. Problemi është se këtu ka një ndarje nëse vjedhja e abuzimi që ka bërë Meta është gjë e mirë, apo gjë e keqe.
THENIA E JAVES: Shqipëria ka një tregues që e pozicionon atë në vendin e 8 në botë dhe ky është treguesi i të drejtës ligjore, referencës që i bëhet ligjit në këtë vend, në vendimet që merren- Kryeministri Sali Berisha duke komentuar raportin e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë.
