Një tjetër padi për Lulzim Bashën, sërish për shpërdorim detyre
Një tjetër padi ndaj kryebashkiakut të Tiranës është depozituar në Prokurorinë e Tiranës. Grupi i këshilltarëve socialistë, ka depozituar një kallëzim penal për shpërdorim detyre.
Sipas kryetarit të këshilltarëve të majtë Aldrin Dalipi ky kallëzim lidhet me dhënien në koncesion të paligjshëm të parkimit nëntokësor në Sheshin Italia.
Sipas Dalipit, dhënia e truallit për parkim kërkon votim me 3/5 e këshilltarëve dhe kreu i Bashkisë Lulzim Basha ju shmang votimit ligjor duke dhënë koncesion pa i dhënë truallin në përdorim.
Ky skandal u denoncua nga gazeta Tema atë ditë kur Basha nënshkroi kontratën duke shpërfillur Këshillin Bashkiak.
Basha merr shpesh vendime të tilla antiligjore me një lehtësi që ndonjëherë të habit. Me vetëm një vit në detyrë ai është nën padi për Sheshin Skënderbej dhe për parkimin tek Sheshi Italia. Ndërkohë transparenca është fjalë e huaj për Bashën, i cili nuk tregon kurrë projektet e tij, siç po ndodh edhe në Rrugën e Elbasanit.