Dështon reforma zgjedhore?!
Në limitet e skadimit të afatit edhe për herë të tretë të komisionit të posaçëm për reformën elektorale, faktori ndërkombëtar apelon për kompromis, raporton Vizion Plus. Vija e finishit është afër, por vetëm për ata me vullnet politik. Përmbushja e kësaj detyre kërkon mbi të gjitha që udhëheqësit politikë t’i lënë mënjanë interesat partiake vetjake dhe të vënë në plan të parë vendin e të nderojnë besimin që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë. Sa gjatë mund të presë Shqipëria? Unë jam i bindur se qytetarët e këtij vendi janë në gjendje ti japin përgjigje kësaj pyetjeje, është shprehur kreu i Prezencës se OSBE-se, Eugen Volfarth. Por sa afër janë palët e angazhuara drejtpërdrejt ne këtë proces, tek finalizimi i reformës? Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, pohoi se edhe formalisht mungon vullneti i shumicës për marrëveshje. Në këtë tryeze te organizuar nga Kuvendi dhe KQZ, për të diskutuar kryesisht çështjen e reformës zgjedhore nën asistencën e Komisionit të Venecias, ka munguar ftesa për zotin Gjiknuri. Por edhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës në tryeze nuk kishin të drejtën e diskutimit. Kryeparlamentarja Topalli dërgoi një tjetër mesazh tek të majtët, se reforma duhet mbyllur brenda korrikut, për të mos rrezikuar statusin. Një ndër 3 çështjet që mbajnë peng reformën është kërkesa e opozitës për riformatimin e KQZ. I pyetur nga mediat, kryetari Arben Ristani, i bindur se i gjithë qëndrimi akuzues i PS ndaj tij vjen për shkak të nervozizmit që solli humbja në zgjedhje, tha se nuk ka ndërmend të largohet para kohe.