Minutat e refuzimit të karriges së deputetit

Libri i Zogajt "Të gjithë nëpër vendet e tyre". Vazhdon botimi
- Letra e mbyllur drejtuar ministrit Ruli përfundon në kafenetë e qytetit -
(vijon nga numri i së shtunës)
Në datën 27 maj numrat e parë, domethënë emrat e parë, filluan të dilnin nga "makina sekrete" e listës. Por, goglat atje ishin ende në lëvizje. Në 28 maj në drekë u mblodh përsëri "kryesia e vogël". Kjo ishte mbledhja e katër viteve, e para dhe e fundit që vendoste hierarkitë reale dhe pozicionet reale të gjithsekujt në PD.
Ishte vendosur tashmë se kush do të kryesonte listat e njëmbëdhjetë qarqeve, ishte përcaktuar pak a shumë edhe renditja e kandidatëve për deputetë deri afër zonës së sigurisë, kishte pak probleme në Tiranë ku grupet rivale në parti po përfundonin betejën për emrat e dhjetëshes së dytë...Dhe Lezha.
Lezha ishte përdhe akoma. Lezha ku PD kishte fituar në të pesë zonat zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2005. Lezha që me deputetët e saj kishte marrë një emër që nuk e kishte pasur më parë, kishte dalë në vend të parë në shkallë vendi për investimet publike dhe private; në vend të parë për numrin e të punësuarve të rinj për frymë, në vend të parë për vjeljen korrekte të taksave, në vend të parë për vënin e administratës në shërbim të qytetarëve, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, konflikteve e të tjera e të tjera.
E megjithatë, me përjashtim të deputetit të zonës 13, Aldo Bumçi, që ishte transferuar në Tiranë, katër të tjerët ishin ende "refugio" nën vështrimin gjoja të pikëlluar të Sali Berishës.
Asnjëri prej tyre nuk do të renditej në zonën e sigurisë, pra nuk do të ishte më deputet. Kryeministri po prishte në qarkun e Lezhës një gjë të ndërtuar. Po bënte një gjë që nuk i shërbente për asgjë.
Rreth orës 17:30, me kërkesën time, më mbërriti në celular njoftimi nga kryetari i Grupit Parlamentar, Astrit Patozi. "Në Pukë"!
Isha në kafe "Grand" me disa miq. Ata e vunë re se si u preva pas leximit të atij lajmi. Kur ua thashë, u prenë me keq se unë.
"Çdo të thotë Pukë? S'ka Pukë! Ky është një sistem tjetër", tha njëri prej tyre.
Ia dërgova këto fjalë Patozit me mesazh. Ma ktheu: "I shtati në qarkun e Shkodrës, që i përket si numër Pukës".
Tani po.
E para gjë që më shkoi ndërmend, ndërsa e ndjeja se ai lajm po më mbyllte në rrethimin e ngjarjeve të shkuara, që binin si çatma nga ngrehina e kujtesës, ishte të takoja Sali Berishën. Ta pyesja, pse...?
Ose të prisja prej tij shpjegime pa e pyetur. Mbase ndërronte mendje, mbase bindesha unë se nuk kishte pasur zgjidhje tjetër dhe ngarkoja plaçkat për në Pukë; mbase nuk bindesha dhe ndaheshim me fjalët e përshëndetjes për aq rrugë sa kishim bërë së bashku deri aty...
I kërkova Patozit t'i përcillte kërkesën time për takim. Mu përgjigj: "Po, pas një ore kemi mbledhjen e kryesisë. Do mundohem t'i them".
"Sa deputetë ka qarku i Shkodrës"?
"Njëmbëdhjetë"!
"PD e merr të shtatin. E sigurt"!
"Lërë se është turp! Vend pune e ka ky deputetin"?
Dëgjoja copëza nga bisedat e miqve të mi. Nga ana tjetër, nga krahu i vetratës së hapur të kafenesë, dëgjoja tinguj, zëra, hapa, taka që iknin tutje-tëhu në gjelbërimin e derdhur si pahitje në gjatësinë e rrugës dhe trotuareve.
Sa herë kisha qëndruar mëngjeseve dhe pasditeve përballë asaj vetrate, duke kujtuar vargjet e poetit portugez Fernando Pesoa: Nuk jam asgjë\, nuk do të jem asgjë\e megjithatë mbaj në zemër gjithë ëndrrat e botës.
Ai i kishte shkruar këto vargje në një tabakeri, duke parë rrugën dhe njerëzit prapa xhamave.
Kujtimi i Pesoas, me fuqinë e tij të vetmisë, që ai vetë përpiqej ta mundte, erdhi sikurse herë të tjera për të më shkëputur nga "vogëlsirat" e politikës... E çfarë se të paska çuar në Pukë? E çfarë që të paska larguar nga Tirana dhe nuk të dashka në grupin e kacereve që do të përleshen nëpër studio me kaceret e partisë kundërshtare? Dashja pa dashje, ai të ka nderuar, të ka njohur si të ndryshëm, ashtu siç mëton të jesh!
"Mos e refuzo! Më dëgjo mua! Të lutem"!
E kam shumë të afërt njeriun që më lëshon këto fjalë në tastierën e telefonit celular. Kam ndarë gjera të rëndësishme me të në jetë, ndoshta duhet t'ia vë veshin, por në çastin e parë, duke lexuar me habi, gati si një analfabet, mesazhin që më ka shkruar, më vjen ta pyes: Kush je ti?
"Po sikur t'i shkosh vetë Sali Berishës? Direkt...ë? Është më mirë se sa nëpërmjet Patozit, them unë".
Koha bie pikë-pikë dhe prarimi i dritës dhe ngjyrave prapa vetratës po mbyllet ngadalë në një vezullim gjithnjë e më të errët, në sinkron me rënien e minutave. Të duket se mbrëmja që po pret matanë i ka vënë kronometrin fundit të ditës.
Po sikur të shkoj vetë te Sali Berisha. Direkt...ë?
Sa keq lexon mirësia në hieroglifët e politikës!
Sikur nuk më njeh Berisha! Sikur i ka shpëtuar rasti im! Sikur nuk jemi prej dy dekadash në këtë lakore të gjatë, pa e humbur nga vështrimi asnjëherë njëri tjetrin, edhe ku ai fluturonte si kryetar shteti në qiellin që dukej i pafund dhe unë çapitesha në këmbë në mejtimet e mia jashtë qytetit. Fati na ka lënë gjithnjë një takim në tokë me zotin Berisha. Në tokë do të përmbushet.
Dua të ndahem nga pamja e shëmtuar dhe e pashpresë e tinëzisë së spostimit, por historia, që vazhdon të hapë fletët dhe puplat e saj si një shpend i stërmadh, më bashkon brutalisht me të .
A nuk ka ndodhur kështu në vitin 1992?
Atëherë Berisha thirri kryetarin lokal të PD-së dhe e urdhëroi: Preç Zogaj të mos paraqitet si kandidat për deputet në asnjë zonë të Lezhës! U ngritën njëmbëdhjetë mijë njerëz dhe bënë një peticion në mbështetje të kandidimit tim.
Por, mua nuk më donin drejtuesit e partisë, gjë që ishte më e rëndësishme se sa të më donte elektorati!
Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë kundërshtarët e mi të kupolës berishiane kishin ëndërruar të më spostonin nga Lezha me të njëjtën mënyrë.
Për këtë arsye, me të deleguarit nga Tirana dhe me veglat e tyre në Lezhë, kishin bërë çmos të nxirrnin në krye të seksioneve dhe grupseksioneve njerëz që nuk mbështeteshin nga unë. Konferenca e partisë e rrethit, e organizuar nga fillimi në fund nga drejtoria e organizimit pranë PD-së qendrore, vendosi ndryshe. Të propozuarit e mi u mbështeten bindshëm nga delegatët.
Nuk do të kishte kësaj radhe një propozim kundër meje nga partia në bazë, propozim që Sali Berisha apo ndokush tjetër në këmbë të tij do të ma tregonte me keqardhjen e shtirë të aktit të porositur. Ja, Preç! Këta...të partisë atje nuk të duan! Ti e di si janë ata! Të lënë në baltë po të kërkosh t'u imponohesh. Prandaj...
Klepsidra e kohës vazhdonte të derdhej. Po zbrazej. Astrit Patozi duhej të ishte rikthyer në PD tani, por nuk po më merrte në telefon. Ishim marrë vesh pa fjalë: nëse nuk merrte, do të thoshte se Berisha e kishte refuzuar me atë mënyrën e tij, duke u hequr sikur nuk e kishte mendjen.
Ia njihja atë mënyrë refuzimi. E shihja me sytë e mendjes, duke e bërë për mua, pa praninë time. Jo, s'kam gjëra për të sqaruar! Ja ku e ka vendin. Të sigurt! Po ta dojë...Po të mos e dojë...Puna e tij!
Por s'mund ta lija pa i lëshuar një sinjal.
I rashë numrit të tij dhe vura celularin në vesh. Zilja ra. Një herë. Dy herë. Tre herë...
"Alo! Tungjatjeta! Dëgjo! Kisha një...unë! A vjen pak te zyra ime në selinë e partisë"!
Me këto fjalë më ishte drejtuar pak a shumë rreth dhjetë vjet më pare, kur më kishte thirrur në zyrë për të vendosur Fillimin e Ri. Dhe kisha shkuar. Ishim marrë vesh pa folur çfarë kishte ndodhur, pa vënë kushte për të ardhmen.
Unë isha i pari nga të ikurit që kthehesha, ndërkohë që të fundit po iknin nga PD-ja tani që kishte rënë keq në opozitë. Në dalje më kishin pritur shumë media, shumica puthadorë dhe kobure të qeverisë "Meta". Zoti Zogaj, zoti Zogaj, cili është posti që do të merrni në PD? E njihja zanatin. Dhe isha përgjigjur duke i bërë të qeshnin të gjithë: Do të marr postin e lartë të votuesit të saj!
Zilja ra edhe dy tre herë të tjera. Nuk u përgjigj njeri. Nuk mu kthye as më vonë ajo thirrje. Prej tetë-nëntë vitesh kisha folur me qindra herë me Berishën në telefon celular. Më kishte marrë dhe e kisha marrë.
Pothuajse gjithmonë për punë politike, partiake dhe shtetërore. Njëherë që po e merrja për një punë timen, teksa e dinte se po e merrja për një punë timen, nuk mu përgjigj. Ndoshta e shihte emrin tim tek pulsonte bashkë me zilen në tastierën e celularit të tij dhe nuk përgjigjej.
Por, ishte sipërfaqësore dhe e gabuar nga ana ime ta mendoja atë telefonatë pa përgjigje si një punë timen vetjake. Në fakt, ajo ishte më politike se gjithë telefonatat e mëparshme. Kumti im ishte vetë thirrja ime, që s'kishte nevojë të artikulohej me fjalë.
Perse më largon nga vendi ku jam deputet? Perse pa pyetur në Lezhë? Perse pa më pyetur mua? Përse pa na dhënë respektin që është thelbi i natyrës sonë? Përse kështu, fshehurazi?
Ai kishte mundësi t'i ndërtonte vetë këto pyetje, pa qenë nevoja t'i dëgjonte. Kumti i tij, ndërkaq ishte vetë heshtja e tij, që jepej si një rebus, me shumë mundësi leximi:
Sepse nuk kam zgjidhje tjetër! Sepse nuk kam hesap të spraps armiqtë e tu! Sepse dua! Sepse e kam të mundur! Sepse nuk më kushton tani kjo gjë! Sepse më ke mërzitur këtu. Sepse më ke mërzitur atje!
Bashkë me hamendësimin e shkaqeve të spostimit, mendja ime kthehej dhe ndriçonte instinktivisht, pa ndonjë dëshirë, disa nga çastet apo ditët me të vështira të Sali Berishës, kur ndërhyrjet e mia kishin qenë të rëndësishme, për të mos thënë shpëtimtare për karrierën e atij njeriu, që ngrihej për t'u rrëzuar e rrëzohej për t'u ngritur potershëm, bujshëm, si askush tjetër...
Lista e PD-së kishte marrë dhenë në atë orë të pragmbrëmjes, sekreti kishte dalë, sekretmbajtësi ishte "çarë" me në fund, mua po më telefononin nga Lezha pa pushim, pyesnin të gjithë a është e vërtetë, më kërkonin të takoja urgjent Doktorin, kërkonin të vinin në Tiranë, të bënin peticion a çfarë ishte më e mira për të zhbërë atë që ishte bërë. Ishin demokratë të mirë, të çiltër, të rinj.
Në morinë e atyre telefonatave, dalëngadalë po spikaste telefonata e munguar, ajo që nuk po binte e nuk do të binte më. Telefonata e Astrit Patozit.
"Ç'do të bësh? Në orën 20:00 ai shpall listën. S'ka shumë kohë".
Do ta shpallte listën pa e kaluar qoftë edhe formalisht në Këshillin Kombëtar, siç parashikohej në statut. Ma kishte hequr edhe këtë mundësi për të pyetur "pse". Ia kishte dhënë vetes edhe këtë mundësi për të shmangur ballafaqimin.
Po kërkonte ndërkaq një gjë të padëgjuar: të nisej për të fituar zgjedhjet parlamentare pa demokraci në partinë e tij. Oh, kjo aventurë, ky provokim i ligjësive, ky provokim i vetë demokracisë, ky paralajmërim i sforcimit dhe deformimit të zgjedhjeve...
Kishte ardhur moment për të ulur siparin. Por kisha ende një detyrim të fundit. Hapa celularin dhe i shkrova Astrit Patozit: Me keqardhje të thellë, ndërsa nuk po më jepet mundësia të flas me Berishën dhe kam shumë pak zgjedhje në rrethanën e krijuar, ju njoftoj refuzimin e kandidimit që ju me njoftuat. Mbetem mirënjohës për ju, me shpresë se do të kontribuojmë së bashku për vendin tonë".
Po atë mbrëmje u njoha me listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës. I pesti në listë ishte renditur Gjokë Uldedaj. Renditja e tij dy shkallë përpara meje, edhe pse mund të ishte rastësore, tingëllonte si një ironi e shtuar e kupolës berishiane.
Disa muaj më parë, në kulmin e përplasjes sime donkishoteske me bandën e OSSH-së, i kisha shkruar një letër ministrit të Ekonomisë, Genc Rulit, në të cilën kisha ripërmbledhur shqetësimet e mia për shpërdorimet dhe arbitraritetin në filialin e Lezhës. Letrën ia bëra me dije edhe kryeministrit Berisha.
Çuditërisht, reagimi i parë për këtë letër zyrtare dhe konfidenciale më erdhi nga një militant i Partisë Demokratike në Lezhë. Atij ia kishin lexuar në një kafene të qytetit.
"Çfarë"?
"Një letër që i paske dërguar Doktorit dhe Genc Rulit"!
"Çfarë thua, ore"?
"Ajo letra që për emërimet në degën e elektrikut...E kishte njëri në dorë. Na e dha ta lexonim".
Nuk po u besoja veshëve. Si mund të kishte përfunduar në një kafene të Lezhës letra që i kisha dërguar ministrit Genc Ruli?
Kishte ndodhur si më poshtë. Letra ime drejtuar ministrit kishte përfunduar në duart e vëllait të madh të Uldedajve, Gjokës. Si e qysh, as jam përpjekur, as ia vlente ta merrja vesh. I takonte ministrit ta gjente.
Për ta bërë këtë, përveç detyrimeve që lidheshin me seriozitetin e zyrës dhe postit që mbante, Genc Ruli kishte edhe një detyrim etik: të më hiqte mua dyshimin se e kishte lënë me dashje letrën time të merrte rrugën që kishte marrë.
Uldedaj nuk qe mjaftuar ta mbante në xhep letrën e huaj, që si e tillë mund të konsiderohej edhe e vjedhur. E kishte shumëfishuar e shpërndarë për të më krijuar problem me njerëzit që përmendeshin aty me emër.
Në të vërtetë nuk kisha asnjë pengesë të flisja hapur për çfarë kisha shkruar në një letër të mbyllur. Por, të flasësh si deputet me ministrin e qeverisë tënde dhe të flasësh me popullin nuk është e njëjta gjë.
(vijon në numrin e nesërm)