Një vëlla në kërkim të motrës dhe nënës biologjike të tij
Historitë e tre familjeve pogradecare, të Artan Xhukellarit, Fatos dhe Bashkim Latifllarit, u shndërruan në fokusin e kërkimeve javën e kaluar në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus. Djemtë janë larguar drejt Greqisë në datën 7 korrik të vitit 1992. Fillimisht ata kanë punuar në ndërtim në Volos, te një pronar grek i quajtur Kosta. Ata kanë mbajtur kontakte të rregullta me familjet e tyre deri më 25 tetor të vitit 1992. Në muajt e parë të vitit 1993 ata i telefonojnë Kostës dhe e pyesin rreth vendndodhjes së djemve. Në telefonatën me të prindërit marrin vesh se në atë zonë kishte ndodhur një aksident ku ishin vrarë tre persona për çështje parash. Më 20 mars të vitit 1993 një fqinj i vjetër i familjeve, i quajtur Enver Gora, në atë kohë me banim në Hanja të Kretës, deklaron se ka takuar Artanin dhe Fatosin dhe ka konsumuar një kafe për rreth 15 minuta me ta. Në vazhdën e fakteve kontradiktore në muajin mars të vitit 1994 nga Interpol Tirana në Komisariatin e Policisë së Pogradecit vjen një fonagramë në të cilën shkruhej se djemtë ishin gjetur të vrarë në Volos, por pa u dhënë asnjë detaj tjetër rreth shkaqeve të vdekjeve të tyre. Shkresa e Interpolit përmbante edhe emrat ekzakt të të tre djemve si shqiptarë, ashtu dhe ato greke. Sapo u prezantua si histori të shtunën në mbrëmje në “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus erdhën shkëndijat e para rreth fatit të Artanit. U fol fillimisht për një djalë i cili jeton që prej vitit 1992 në një fshat të Athinës dhe që nuk ka kontaktuar që prej këtij viti me familjen e tij. Investigimet kanë filluar edhe në rrugë zyrtare në policinë e Volosit, policinë e Pogradecit dhe në Interpolin Shqiptar për të zbuluar një herë e mirë të vërtetën e atyre kufomave, të cilat nuk u zbuluan kurrë se kujt i përkisnin. Pikëpyetja kryesore bie mbi faktin se mbi ç`bazë janë mbështetur institucionet e asaj kohe kur djemtë në Greqi nuk kishin asnjë lloj dokumenti dhe nga ana tjetër ata të deklarohen të vdekur me të dyja identitetet. E shtuna e kësaj jave do të zbardhë atë dyshimi mbi të cilin ka jetuar përreth 16 vjet familjet e Artan Xhukellarit, Fatos dhe Bashkim Latifllarit.
Mes historive njerëzore të rubrikës “Ironi e fatit” radhitet edhe historia e një djali 26-vjeçar, i cili erdhi në jetë 26 vite me parë në Maternitetin e Elbasanit. Pasi u braktis nga nëna e tij, Juliani dërgohet nga infermieret e këtij institucioni në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër, ku ai qëndron deri në moshën 18-vjeçare. Jeta e Julianit ishte e vështirë gjatë viteve të tij të para, pasi ai nuk u birësuar asnjëherë. Vitet kalonin dhe dëshira e Julianit për të njohur nënën e tij biologjike rritej dita-ditës. Trajtimi i rastit “Cipi” për disa javë rresht u dha mundësinë disa teleshikuesve që të jepnin vendndodhje të ndryshme për nënën e tij. Pas shumë javë kërkimesh dhe hetimesh u arrit të gjendej një zonjë e cila besohej se ishte nëna e Julianit. Të shtunën mbrëma në “Njerëz të humbur” Juliani pati mundësinë t`i shprehte nënës së tij që e ka sjellë në jetë fjalët e një biri. Minutat kalonin dhe Juliani priste duke ndjekur me lëvizje të shpejta çdo receptor që ngrihej nga gazetarët, me shpresën se do të merrte lajmin e shumëpritur. Befas një zë nga ana tjetër e telefonit kërkonte të fliste me Julianin. Ishte nëna e tij. Telefonata mes tyre mbeti përgjysmë, pasi nëna e tij kishte ardhur pranë Vizion Plusit dhe ndodhej në një nga ambientet e këtij televizioni duke pritur me mall dhe dashuri të takohej me të birin. Juliani u emocionua së tepërmi dhe u largua nga studio e “Njerëz të humbur” me një shprehje lumturie dhe habie në fytyrë. Nënë e bir u larguan nga Vizion plus me një ëndërr të përbashkët tashmë të realizuar: ata e kishin takuar njëri-tjetrin pas 26 vitesh.
Sonte në “Njerëz të humbur” do të ndiqni: Jetonte me familjen në Itali, por humb kontaktet pa kurrfarë arsyeje. Cila është historia e Dritan Murtajt. Viti 2001 shënon humbjen e kontakteve me nënën e tij. Pse nuk bëhet i gjallë Ermir Spahiu për familjen e tij!? Një ironi fati troket sërish në “Njerëz të humbur”. Vëllai në kërkim të nënës biologjike dhe motrës së tij. Për më shumë mos harroni të na ndiqni sonte, ora 21:00, “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.
28 Qershor 2008