E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun: “Prishtina dhe Beogradi, bisedime për rikonfigurimin e UNMIK-ut”



Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se mes Serbisë dhe Kosovës do të zhvillohen bisedime të reja. Këtë radhë nuk do të diskutohet për pavarësinë ashtu siç është pretenduar gjithmonë por për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Ban Ki Mun e bëri të ditur këtë fakt në një konferencë për shtyp në Nju Jork ku foli për rikonfigurimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë dhe raportin që i prezantoi Këshillit të Sigurimit më 20 qershor, duke thënë sërish se ishte i vetëdijshëm se propozimet e tij nuk do të kënaqin të gjitha palët. “Mirëpo vazhdoj të besoj se kjo është një zgjidhje më pak e kundërshtueshme për ta menaxhuar situatën”,- tha Ki Mun. Lidhur me rikonfigurimin, ai shtoi se ishte inkurajuar edhe nga takimi me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, i cili kishte shfaqur gatishmërinë për një dialog në gjashtë pikat që përmban pakoja e propozuar. Ky dialog është parashikuar të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesit i ri special në gjashtë fusha: polici, gjyqësi, dogana, kontroll kufitar, trashëgimi kulturore e fetare dhe transport. “E di se qëndrimet e autoriteteve të Kosovës dhe të autoriteteve të Serbisë janë të ndryshme, mirëpo me përfaqësuesin e ri special z. Lamberto Zanieri, i cili do të marrë përgjegjësi të reja në Prishtinë, shpresoj se ata do të angazhohen për një dialog dhe zgjidhje të të gjitha çështjeve në mënyrë paqësore. Si Sekretar i Përgjithshëm unë do të vazhdoj përpjekjet e mia për të krijuar një atmosferë nxitëse politike”, - tha sekretari i Kombeve të Bashkuara. I pyetur nëse do ta vizitojë së shpejti rajonin, Ki Mun tha se do të shikonte mundësinë e një vizite, ndërkaq premtoi se do të vazhdojë të mbajë një koordinim të afërt me udhëheqësit nga të gjitha palët, si në Prishtinë dhe në Beograd ashtu edhe me Bashkimin Europian. Ndërkohë autoritetet kosovare shprehen se misioni i UNMIK-ut do të ketë detyra të kufizuara në vend pas rikonfigurmit të tij dhe Kosova nuk do të bisedojë më me Serbinë për të ardhmen e vendit. Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu u shpreh dje se Kosova do të zbatojë pakon “Ahtisari”, e cila është e paprekshme. “Asnjëherë nuk do të hapet pakoja e Marti Ahtisarit, asnjëherë nuk do të hapet statusi i Kosovës dhe asnjëherë nuk do të ulemi në tavolinë për të dialoguar çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës dhe të pozicionit të saj juridik e kushtetues që ka”,- është shprehur Sejdiu.

Armenia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Armenisë, Serzh Sargisian, ka deklaruar se vendi i tij përshëndet realizimin e së drejtës për vetëvendosje në Kosovë, por “përpiqet që të mos japë deklarata që bien ndesh me pozicionin parimor të aleatëve të tij në Organizatën e Marrëveshjes së Sigurisë Kolektive, një organizatë ushtarake-politike rajonale në të cilën gjendet Rusia dhe disa ish-republika sovjetike”. Presidenti armen nuk përjashton mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Kurrë nuk kemi thënë se nuk do ta njohim Kosovën. Çdo gjë me kohë”, - është shprehur Sargisian për një gazetë ruse.

Serbi, nënshkruhet marrëveshja e koalicionit mes Tadiçit e Dinkiçit

Lideri e Partisë Demokratike Boris Tadiç dhe Mlagjan Dinkiç i Partisë G17 Plus, arritën të nënshkruanin marrëveshjen e koalicionit, përmes së cilës harmonizuan qëllimet e qeverisë së ardhshme serbe. Qëllimet e qeverisë sipas kësaj marrëveshje, do të jenë anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian, vazhdimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik e shumë e të tjera. Dy krerët e partive ranë dakord edhe mbi përmbajtjen e legjislacionit mbi qeverinë dhe ministritë, që do të paraqiten në sesionin e ardhshëm të parlamentit serb.

Forcat e sigurisë në Kosovë, plan për “Vidovdanin” serb

KFOR-i, policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja kanë hartuar një plan të përbashkët për sigurinë që lidhet me festën e serbëve që do të zhvillohet sot, më 28 qershor, kur serbët po festojnë ditën e Vidovdanit. Ky lajm u bë i ditur nga Komandanti i KFOR-it, Ksavier dë Marnak, pas vizitës në Komunën e Obiliqit, ku u takua me zyrtarët më të lartë të kësaj komune. “Ne kemi punuar planin e përbashkët me institucionet e sigurisë dhe jam i sigurt në sensin e ndjeshmërisë tek të gjithë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje”,- tha dë Marnak. Komandanti i KFOR-it e cilësoi gjendjen e sigurisë të mirë të sigurisë duke përfshirë edhe raportet e mira ndëretnike.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›