Provimi Matematikës, nis procesi i çkodimit të testeve
Testet e korrigjuara të provimit të Matematikës do ti nënshtrohen procesit të çkodimit. Ndërsa rezultatet e këtij provimi, pritet të shpallen në fillim të javës së ardhshme. Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA), bëri të ditur dje, se korrigjimi i testeve pritet të përfundojë ditën e premte, ndërkohë që në ditët në vijim provimet e korrigjuara do t’i nënshtrohen procesit të bashkërendimit (Matching) të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve. Testet e maturantëve, pasi fillon provimi, sekretohen (pajisen me një bar-kod), i cili përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë, mësuesit (apo asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të bar-kodit nuk njihen me identitetin e maturantëve dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre. Me përfundimin e vlerësimit, testet e maturantëve do të çkodohen, një proces që kryhet vetëm përmes kompjuterit. Ky proces kryhet nga dy institucione të ndryshme AVA dhe APRIAL, njëra përmban bar-kodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetra bar-kodet e maturantëve dhe pikët. Pas vlerësimit të testeve, një komision i përbërë si më sipër kryen procesin e bashkërendimit të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, pra përputhjen e të dhënave të AVA dhe APRIAL, të emrave me pikët.
Pollo merr trofeun olimpik 2008 ”Sporti dhe Rinia”
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar me seli në Lozanë, Zvicër, (Comite Inernational Olimpique) i ka akorduar ministrit të Arsimit dhe Genc Pollo trofeun olimpik 2008 ”Sporti dhe Rinia” për zbatimin me sukses të paketës ”Edukimi Olimpik në shkollë”. Ky Komitet, çdo vit, vë në dispozion të komiteteve olimpike kombëtare të vendeve të ndryshme trofe me tematika të caktuara për t’ua dorëzuar personaliteteve të cilët kontribuojnë në promovimin e aktiviteteve olimpike dhe sportive. Këtë vit trofeu iu dorëzua ministrit Pollo nga presidenti KOKSH Hysen Domi. Pas mirëpritjes së Flakës Olimpike në aktivitetin ”Java olimpike në shkolla” Ministria e Arsimit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar kanë menduar të zyrtarizojnë bashkëpunimin me nënshkrimin e një marrëveshje.
Ministria e Shëndetësisë, 217 qendra të reja shëndetësore
Ministria e Shëndetësisë ka bërë inspektimin dhe verifikimin e të gjitha qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, ku ka rezultuar se ka mungesa të dukshme. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të ndërtojë 217 qendra të reja në të gjithë vendin. Në zonat më të thella apo qytetet periferikë të vendit sistemi shëndetësor pothuajse është inekzistent. Pjesë e këtij projekti të ministrisë janë pikërisht këto zona, ku qendrat janë menduar të ngrihen në Dibër, Kukës, Tepelenë, Korçë, Gjirokastër etj. Banorët e këtyre zonave hasin vështirësi të mëdha për t’u kujdesur për gjendjen e tyre shëndetësore. Për kryerjen e vizitave ata duhet të udhëtojnë në ndonjë qytet tjetër për të gjetur shërbim më të kualifikuar.
Kështu, një fond prej 480 milion lekësh është planifikuar këtë vit për ndërtimin e 217 qendrave shëndetësore në shkallë vendi.
Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë bënë të ditur se vetëm në Qarkun e Tiranës do të investohen 26 milion e 520 mijë lekë, me të cilat parashikohet të ndërtohen 9 qendra shëndetësore moderne. Në këtë mënyrë do të shtohet shërbimi në të gjitha zonat periferike të kryeqytetit. Gjithçka bëhet në kuadër të reformave të ndërmarra në kujdesin shëndetësor parësor. Rreth dy muaj më parë në Komunën e Petrelës përfundoi rikonstruksioni i qendrës shëndetësore, e cila do të ofrojë këtë shërbim për 2 mijë banorët e kësaj zone. Rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore Petrelë u mundësua nga zbatimi i projektit me Fondacionin ADRA në Shqipëri, me vlerë 50 mijë euro. Një ndër problemet kryesore në të gjithë vendin ngelet shpërndarja e mjekëve specialistë. Në zonat e largëta të vendit, mjekët specialistë pothuajse mungojnë, ndërsa banorët e kanë të vështirë të përballojnë problemet shëndetësore, sidomos gjatë periudhës së dimrit. E. Sako
28 Qershor 2008