Një vendim për ndarjen nga kultura e përgjimit dhe e shpifologjisë
Edi Rama ngërdheshëm na i bëri publike kulisat e tij të errëta me publikimin në twitter të një editoriali paraprijës të tubimit Re-FRESH në Pallatin e Kongreseve, teksa cullohej për dy anë të një medaljeje: për Majkon në Nju York në pritje të një emërimi të fismë e për Ilir Metën që me 16 janar 2012 pret drejtësi viktoriane nga Gjykata e Lartë pas një llurbe politike të pistë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. As njëri e as tjetri nuk ishin në këtë 20-vjetor, veçse Edi Rama, i vetëm në krye, ashtu siç ia do Vetvetja në sjelljet dhe ia kërkojnë të Tjerët në politikën e PS-së. Lideri i egërsuar i kulisave po synon të jetë e të mbetet emblema e vetme e PS-së.
E kjo ka një arsye të madhe: Forca politike ma e madhe e opozitës së sotme mbahet në katër këmbë në ecjen e vet: Fatos Nano, lideri i saj historik e disa herë kryeministër; Ilir Meta, me muskuj të fortë politikë e dy herë kryeministër; Pandeli Majko, një nga të rinjtë që e rinoj në imazh e aliazh e dy herë kryeministër, të cilët i kaluçoi Edi Rama, që ua mori e mban në 6 vite partinë, në tre mandate e kishte bashkinë e Tiranës. Tashti, siç dihej prej vitesh, Nano e ka vetëshpallur kandidaturën për President të Republikës, Majko po shkon në OKB e rivali i vetëm i ka mbetun Ilir Meta, kryetar i LSI, partisë bio-politike ma të afërt të tij, prandaj Edi Rama nuk don me ndejt as në finale të gjyqit pa u hjekësue kundër tij, biles a e keni ndigjue që kaq shpesh e përdor fjalën “zgupthi” në politikën e vet, thue se është elefant a buldozer e jo politikan i shek. XXI (!).
Ai e din dritas e ballas se Ilir Meta me energjitë e tij si burrështetas e me forcën e tij politike e rrezikon nga mëngjesit në mbramje për t’u ba kryeministër e për të mbetun edhe në disa mandate lider i PS-së, prandaj rrinë edhe natën pagjumë me andrrën e vyshkune për ta pa në qeli apo siç telepation “për t’ia hjekun të drejtën e marrjes me politikë për 3 vjet(!) se don ta shohin në shtëpi të tij! Ende, si shpesh herë në këto 100 vite të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, po kena prapë mllef e qejf me pa “kryeministra me pranga” në biografinë e Kombit Shqiptar.
Nga dita e këtij tubimi Edi Rama surratet të na e paraqesin këtë forum euro-socialist nga FRESSH në RE.FRESSH, se me hamendësime polituce po hyn në një epokë të re (!), duke mos e pasë kryetarin e hershëm Pandeli Majko (1992-1995) e tuj-e kujtue se po “ia djeg letrat” kryetarit ma jetëgjatë në krye të tij, Ilir Metës (1995-2002). Kryetarin fressh-ist, Gjergj Koja (2004-2005), kur e hoqi “për arsye moshe” (në fakt “si i Nanos”) iu debatue me përgjigje aksiometrike: “Ty, duan të të mbajnë si kryetar të PS e bajnë kryeministër “xhaketat e vjetra””. Nëse PS nuk ka pasur e as nuk ka asnjë lider të dytë si Ilir Meta, që pa para e pa paragjykime i ka promovue masivisht e cilësisht të rinjtë (në mes tyre edhe Dritan Priftin) në forume e në poste qeveritare. Edi Rama e don “epoken e vet’ në PS, e kërkon “tarafin e vet”, e ndaj i hakërrehet Ilir Metës “me pranga”(!), don të serviret si pjesëmarrës i Dhjetorit ’90 (si Ilir Meta e Pandeli Majko) etj. Nuk ia don në biografinë politike të RE.FRESSH emrin e kontributet e Ilir Metës, i formatuem si lider, se ky sëbashku me bashkëshorten e tij (që e zëvendësoi në krye të FRESSH) e kanë drejtue në rreth 10 vite, ndërkohë që ky forum e kremtoi dje 20-vjetorin. Kur nisi Fatos Nano të promovojnë dy të rinj të sapoardhun në PS: Ilir Meta 22 vjeçar e Pandeli Majko 24 vjeçar duke i (keq)përdorë si “Studentë të Dhjetorit ‘90”, çka e dëshmonte edhe Presidenti i Republikës, Sali Berisha, me dhanien të dyve të dekoratës “Pishtar i Demokracisë”, e duke iu besue detyra kryesuese në FRESSH e në Qeveri, sado që e kishte frikën se mos ia zinin vendin në parti e pushtet siç ia bani Nano 39 vjeçar Ramiz Alisë me partinë në qershor 1991 etj. Gjithmonë këta të dy: Ilir Meta e Pandeli Majko iu deshën PS si imazh i rinovimit e ardhmërisë para ndërkombëtarëve euro-atlantik e Internacionales Socialiste e para kohës demokratike e nacionale të shqiptarëve në të gjitha trojet tona etnike në Ballkan, ndaj i zgjodhën e i hoqën nga dy herë edhe si kryeministra të vendit. Vërtet Nano e largoi Metën e Meta iku prej Nanos se i pari ia kishte frikën të dytit, biles i acaruan aq shumë marrëdhaniet saqë Nano kur ia dha telekomandën një shpërthimi përurues të Rrugës nga Rubiku në Rrëshen (segment i “Korridorit të Kombit”) tha se “po e hedhim në erë Ilir Metën”, po tevona, e deklaroi politikisht veten edhe si “shoferi i Ilir Metës”, ndërkohë që Edi Rama e don Ilir Metën “në burg” (sipas ëndrrës e përpjekjeve kulisore) ose “në shtëpi” (siç do t’ia kishte ënda e shkruan në tweter).
Ky Edi Rama i trembet në politikë Ilir Metës, si i thonë asaj fjalës: “Si natës së vorrit” se e sheh rrezikun ma të madh të karrierës së vet, ndaj e tregton versionin që “t’i hiqet për 3 vjet marrja me politikë”(!). Pse Edi Rama e don këtë rekomandim për trupën e lartë gjykuese? E para, se e dinë që Ilir Meta do të jetë i pafajshëm nga vlerësimi juridik i Gjykatës së Lartë. E dyta, qe mënjanimi i Ilir Metës nga politika për dy ose tre vjet do t’i jepte Edi Ramës e edvinizmit një hapësinë e mundësi të madhe në zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe në “Elektoriadën 2013” në hamendjen për t’u zgjedh “kryeministër!” etj. Vërtet Edi Ramën e mori nga Parisi Fatos Nano e notoi në politikë si në parti e në bashki po për mos me u fundos e me e mbajtë në krye ishte Ilir Meta, ky politikan i hekurt dhe i fjalës të shtylltë.
Në rast se Ilir Meta, në ditën e sotme të gjyqit, do të “arratisej” diku jashtë kufijve të Shqipërisë atëherë Edi Rama do ta ndërronte realisht medaljen; do të ishte për të mos u diskutuar “Çështja Meta” (e penalizuar poltikisht nga prokuroria(!)), po, kisha për të thanë se Ilir Meta është një nga burrat e shtetit të kësaj toke e të kësaj epoke (pavarësisht se nuk e due politikisht etj.) e nuk do të pranonte të kthehej në një vagabond politik, po ka shkue vet në kambë e kryelartë në Prokurorinë e Përgjithshme e në Gjykatën e Lartë i bindur në të drejtën e vet dhe në një gjykim të drejtë të drejtësisë gjyqësore.
Në historinë politike të Shqipërisë viti 2010 ka me mbetë keqas si “viti i shpifjeve politike” ndaj Liderit Historik të Shqiptarëve, kryeministrit të sotëm, Sali Berisha, ndaj Zv/kryeministrit e ministrit të Jashtëm e lider i LSI, Ilir Meta e ndaj disa ministrave e deputetëve të PD-së, gjersa erdhi puna e gjykimit në shkallë të gjyqësorit e shpifësit e PS (deputetë të PS) u dënuan me gjoba etj. Po kjo ndodh se vet kreu i PS-së Edi Rama ka shpif edhe për të “vetët” e afërt e si të mos ndodhte kjo nga PS-ja për të tjerët si për kundërshtarët politik- si të PD-së dhe kundërshtarët politik e biologjik - si të LSI-së?! Këtë fat do të kenë edhe akuzat ndaj Ilir Metës me marrjen e pafajësisë së tij. Në rast se do të ketë ndonjë njeri që nuk do të votojnë ndonjë herë për Ilir Metën duhet ta dini se jam unë, në qofsha dhe i vetmi votues, pasi jam një nga ata që kam gjithato shkrime politike kundër tij veçse me të vërteta të pacenueshme, si për Rrugën Durrës-Prishtinë, për “Grevën e urisë të deputetëve të LSI-së, etj. ndaj kur erdhi në krye ta atij institucioni ku punoja u largova. Gjithnjë e kam mendue me veten: si është e mundur kur edhe qeni besnik kur e kafshon të zotin e shtëpisë largohet nga banesa e tij, po faktikisht Dritan Priftin nuk do të doja ta fusja as në fisnikërinë e qenëve, sepse, përtej asaj “video-loje” jam kundra kur disa fjalosjeve privatësie apo kërcënimeve të ndryshme, ashtu sikurse nuk më pelqen që kahu tjeter, si sekretari ligjor në LSI të na përmendin hendetin fizik të Priftit, të cilin vet e vendosen për ministër në vitin 2009 (!)
Orvajtjet pa cak për ta penalizue Ilir Metën i shoh edhe si përpjekje për ta penalizue integrimin e Shqipërisë në BE, si pjesë e këtij skenari me simptoma të shfaquna te 21 janari 2011, te mos miratimi i ligjeve me dy të tretat e votave, etj. çka më vjen keq kur Prokuroria bahet pjesë integrale e saj siç ka ndodhë edhe ndaj “Korridorit të Kombit” (Autostradës Durrës-Prishtinë) etj. Patjetër janë edhe orvajtje me çark për të mundësue rrëzimin e Qeverisë “Berisha 2”, (LSI është pjesë e kësaj qeverisjeje të suksesshme). Sigurisht janë orvajtje pa prag për të sjellë “zgjedhje të parakohshme”(!)
Kur po shoh rrëfimet e fundme të Prokurorisë vërtetë habitem: Thuhet se Dritan Prifti e paska foto-eterizue biseden me Ilir Metën me 1 mars 2010 e kjo u publikue pak para 21 janarit 2011, çka dëshmon se krejt “viti i shpifjeve 2010” dhe enkas e veçmas kjo “video-lojë” ishte pjesë e “grushtit të shtetit”, që u krye nga tri klanet e PS-së: “i bllokmenëve”, “i biznesmenëve” e ai “ushtarak-luftarak”, që e timonojnë e terrorizojnë politikën e veprimtarinë e kësaj force politike (PS) e të kreut të saj, Edi Rama. Po Prokuroria nuk merret me të tilla arsyetime, që çuen te “grushti i shtetit të 21 janarit 2011” po merret me turra telefonatash, etj., saqë për një çast kujtova se jam unë duke hartue një esse politike për Ilir Metën, e jo njerëzit e ligjit me arsye juridike (!) Ne nuk do t’i lutemi Zotit në Qiell e as nuk do të lejojmë që politikanë në Tokë si Edi Rama me shokë - të synojnë kaq egërsisht e pabesisht të dënojnë kundërshtarët e vet politik (si Ilir Meta) se kemi 100 vjet shtet ligjor, se kemi mbi 20 vjet demokraci, se jetojmë në shek. XXI.