Viti shpif se lirohesh
Shumëkush do të ketë ngritur vetullat, kur kryeministri Berisha, në një pritje-koktej për gazetarët, botuesit dhe drejtuesit e mediave në Shqipëri, uroi që viti 2012 të jetë vit i dekriminalizimit të shpifjes.
Ja pasazhi i plotë nga fjala e kryeministrit [theksimi im]:
Edhe një herë ju siguroj për respektin tim më të madh ndaj jush, ju siguroj se do të bëhen përpjekje, uroj që ky vit të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes, si një akt e vendosmëri e politikanëve shqiptarë, për të zgjeruar më tej jo hapësirën e shpifjes, në asnjë mënyrë nuk është qëllimi aty, por hapësirën e fjalës së lirë e të mendimit të lirë dhe për të mos përdorur më askush manipulime, të cilat, në fund të fundit, sjellin cenimin e saj. Shpreh kënaqësinë se në memorien time ndofta jam gabim viti që kaloi nuk ka pasur procese ndaj mediave nga administrata shtetërore dhe ju garantoj se nuk do të ketë sa të jetë kjo administratë nën drejtimin e kësaj qeverie. Ajo nuk do të mund të ngrejë as edhe një proces të vetëm penal apo civil ndaj fjalës së lirë, ndaj jush. Ky është një rregull që ne do ti përmbahemi me vendosmëri.
Ideja, në këtë pasazh, është se ndjekja penale e mediave dhe e gazetarëve që akuzohen se shpifin mund të kufizojë fjalën e lirë, si një e drejtë e pacenueshme e qytetarit, të cilën media e shpreh, e mishëron dhe e shembëllzon për publikun.
Në të vërtetë, një media që shpif, po ushtron thjesht lirinë e saj për të shpifur, e cila mund të mos bjerë ndesh me lirinë e fjalës si të tillë, por megjithatë shkon kundër disa të drejtave dhe lirive të tjera, mes të cilave edhe e drejta e personit (dhe e institucionit) për të mbrojtur dinjitetin e vet nga përdhosjet, sulmet verbale, sharjet, dëmtimi i imazhit dhe i reputacionit.
Madje, madje shpifja fare mirë mund të interpretohet jo si shprehje e fjalës së lirë, por si abuzim me të.
Nga ana e tyre, mediat në përgjithësi e kanë si mision të tyre që jo vetëm të zbavitin, por edhe të informojnë publikun; dhe mes këtyre dy anëve të misionit duhet ruajtur një drejtpeshim. Edhe pse e vërteta është shpesh çështje këndvështrimi dhe mund të relativizohet, publiku është në gjendje të dallojë një të pavërtetë që vjen si rezultat i kërkimit të papërsosur të faktit, nga një shpifje, e cila bëhet me vetëdijen e distancimit nga e vërteta dhe të shtrembërimit të saj.
Dhe meqë ky dallim nuk mund të bëhet nga kushdo, atëherë është i nevojshëm një ligj kundër shpifjes dhe një aparat juridik i tillë që të mbrojë qytetarin nga abuzimi me lirinë e fjalës.
Atentatet ndaj personit janë dukuri e shëmtuar në komunikimin publik sot në Shqipëri, pjesë e të cilit janë edhe mediat. Vetë kryeministri, për fat të keq, e ka kaluar cakun që ndan kritikën ndaj përdhosjes dhe ka lëshuar një numër akuzash, në publik, kundër figurave institucionale si Bamir Topi, Edi Rama, Ina Rama dhe një numër deputetësh të opozitës, të cilat normalisht duhej të ishin ndëshkuar publikisht nga gjykatat.
Një diskutim i konceptit të libel-it (defamation) në anglishte mund të lexohet këtu; së bashku me të dhëna për prirjen e sotme drejt dekriminalizimit të kësaj dukurie, të diskutuara sipas realiteteve juridike kombëtare.
Edhe pse kryeministri shqiptar nuk flet kuturu, kur përmend dekriminalizimin e shpifjes, çështja nuk mund të likuidohet me batuta në një takim gazetarësh. Pikënisja e një debati për këtë çështje, në fakt, do të ishte pyetja nëse sot në Shqipëri përbëjnë shqetësim më të madh shpifjet dhe fyerjet ndaj dinjitetit të personit, apo orvatjet për ndëshkim penal të këtyre fyerjeve; me fjalë të tjera, abuzimi me lirinë e fjalës, apo kufizimet ligjore ndaj kësaj lirie.
Përshtypja ime, si ndjekës i rregullt i mediave të paktën të shkruara, është se këto tregojnë mospërfillje totale, deri në kufi me arrogancën, për personin si të tillë, nevojën e tij për dinjitet dhe reputacion publik, edhe kur ky është person publik, edhe kur ky është person privat. Mediave në Shqipëri dhe të gjithë ligjëruesve publikë u është njohur me kushtetutë liria e fjalës, por jopërgjegjësia që, si rregull, duhej të vinte me ushtrimin e kësaj lirie të fjalës. Në këto rrethana, dekriminalizimi i shpifjes, që premton kryeministri, do marrë si një kontribut i mëtejshëm në papërgjegjshmërinë e ligjëruesve publikë jo vetëm në mediat, por edhe në parlament dhe kudo gjetiu ku ushtrohet fjala e lirë.
Ligji që dënon shpifjen jo vetëm që ndëshkon një dukuri të shëmtuar, por edhe mbron viktimat e kësaj dukurie reale dhe potenciale. Nëse shpifja dekriminalizohet, të gjithë ata që sulmohen dhe përfliten mbarë e mbrapsht në shtyp, nga njerëz të bindur se po ushtrojnë të drejtën e tyre të fjalës, do të ndihen të pambrojtur; sepse një person çfarëdo nuk është në gjendje ti dalë zot vetes në publik me po aq forcë dhe bindje sa çe ka sulmuar një mass medium, i cili me përkufizim ka epërsi teknologjike dhe prestigji, kur vjen puna për të komunikuar me publikun.
Tek e fundit, prej një ligji kundër shpifjes presim pikërisht që të ndreqë këtë prishje të drejtpeshimit, ose të vendosë barazi aty ku barazia mungon.
Do të më thonë: Berisha, si shef i ekzekutivit, vetëm mund të premtojë që administrata e tij nuk do të kërkojë ndjekje penale të atyre mediave, gazetarëve dhe qytetarëve çfarëdo që beson se kanë shpifur kundër saj; por nuk ua heq dot këtë të drejtë qytetarëve vetë, që ti hedhin shpifësit në gjyq. Në një republikë ideale, kjo pa dyshim do të ishte e vërtetë por edhe në atë rast, çfarë kërkon të kumtojë ekzekutivi, kur u thotë qytetarëve, me gojën e shefit të vet, se nuk i bëhet vonë nga shpifjet që thuhen për të poshtë e lart në mediat? Vallë nuk është ky mesazh, në thelb, i drejtuar jo aq kundër kriminalizimit të shpifjes në mediat, sesa kundër legjitimitetit të ligjërimit mediatik dhe përgjegjshmërisë së tij si ligjërim kritik ndaj ekzekutivit?
Sido që ta kthesh këtë deklaratë të papritur, ajo e kalbët se e kalbët mbetet; meqë ekzekutivi, tek e fundit, e ka për detyrë, qoftë edhe thjesht morale, që të zbatojë ligjet për të mbrojtur jo vetëm titullarët dhe institucionet e veta, por edhe të gjithë qytetarët.