FRESSH-i, si pretekst spastrimesh të reja

Përfundimi i rotacionit në FRESSH dhe komandimi publik i Mjaft-istëve si drejtues të forumit regjistrohet si një precedent për një fushatë finale spastrimesh në degët e PS në rrethe. Pas kësaj faze, fshesa do vijojë edhe në strukturat drejtuese në qendër, në mënyrë që të përftohet partia e vërtetë private e Edi Ramës
Aksioni për privatizimin e Partisë Socialiste përgjatë afro 1 dekade kulmoi me “rifreskimin” e forumit rinor dhe angazhimin e tij në dobi të interesave të Mjaft-istëve dhe 99-shave që kanë mbushur pa hesap dhomat, paradhomat dhe korridoret e selisë rozë. S’do mend se, sot s’mund të flitet më për një PS që përfaqëson interesat e socialistëve të thjeshtë. Bëhet fjalë për një shpurë të rrezikshme çetnikësh të lidhur ngushtësisht pas njëri-tjetrit, nga interesat e mëdha financiare, aq sa për ta, s’përbën kurrfarë ndjesie përfaqësimi politik i socialistëve. Fryma e përjashtimit dhe spastrimit të strukturave vendimmarrëse të PS, ka qenë në themel të objektivave madhore të Edi Ramës. Fushata e përndjekjes nisi me Kongresin, Asamblenë, Kryesinë, Sekretariatin dhe përfundoi me FRESSH-in, e vetmja strukturë vitale e PS, që ra përfundimisht në diktatin e Mjaft-istëve dhe 99-shave, që dikur punuan dhe luftuan për largimin e PS-së nga pushteti dhe rikthimin në opozitë. “Mjaft”-istët e bekuar nga Edi Rama si vija e të rinjve përfaqësues, edhe pse nuk është e largët koha kur Erion Veliaj në emër të luftës anti-korrupsion dhe “rikthimin” e pushtetit te qytetarët, organizoi qindra protesta kundër qeverisë “Nano”, deri dhe sjellje ekstremiste si incidentet me ministrat e kabinetit, të cilët qëlloheshin me vezë nga njerëzit e Ramës dhe Veliajt. Dje ishte akti i fundit privatizimit tërësor të PS-së, privatizim paketë që u konkludua me dorëzimin e FRESSH-it te hajduti i financave të Mjaft-it që financohej nga holandezët dhe Sorosi. Regjisori i telenovelës “Griselda”; partizani i sabotimit të projektit për rrugën e kombit; kamikazi që kërkoi me ngulm largimin e Partisë Socialiste nga pushteti gjatë viteve 2002-2005-ë, prej ditës së djeshme ka në dorë fatet e të rinjve socialistë dhe jo vetëm të tyre. Ai ka gati grupin dhe sigurisht që importimi nga Mjaft-i dhe G99-a ka grumbulluar eksponentë si Arbër Mazniku, Elisa Spiropali dhe Endri Fuga. Anjë lidhje s’kanë me Partinë Socialiste, përveç protestave për largimin e saj nga pushteti në 2005-ë. Falë partneritetit disa vjeçar me Edi Ramën (kontributi i të dyve për rikthimin e PS-së në opozitë 7 vjet më parë) Veliaj ka në dorë dhe objektivat politike të PS-së. Tani s’do ketë më një PS demokratike dhe kontribuuese në fatet e vendit, por do kemi të bëjmë me një celulë të rrezikshme kamikaze, që do tentojë nga momenti në moment të marrë pushtetin me dhunë.