E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vështrim Shqipërisë

Në një intervistë për televizionin Top-Channel (TC), studiuesi amerikan i historisë së Shqipërisë, Bernd Fischer, shpalos një sërë pikëpamjesh për disa zhvillime të rëndësishme gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, ndërkohë që shprehet optimist për të ardhmen e saj. Express, sjellë të plotë këtë bashkëbisedim e TC me historianin Fischer.

Fillimisht, historiani Fischer i përgjigjet pyetjes nëse Shqipëria sot, në ditëlindjen e saj të 100’të, ia arriti të bëhet shtet.

"Po. Shqipëria u bë shtet që në vitin 1912, por iu deshën edhe 100 vjet të tjera për t'u bërë një komb. Ky është një proces që ende vazhdon. Ajo që po shohim sot është shumë më ndryshe nga zhvillimet e vitit 1912. Pa diskutim që sot, përveç të të qënurit shtet Shqipëria është një komb", theksoi Fischer.

Megjithatë, historiani amerikan shprehet i kujdesshëm kur përmend emrat e atyre personaliteteve që lanë gjurmë gjatë këtyre 100 vjetëve.

"Janë shumë figura të rëndësishme. Ismail Qemali merr një rëndësi të veçantë, pasi që ai është babai i këtij vendi. Punoi shumë derisa deklaroi Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu që, ai i meriton të gjitha vlerësimet e dhëna. Edhe Mbreti Zog ka kontributin e tij në krijimin e kombit shqiptar. Nuk duhen përjashtuar as komunistët nga dhënia e disa meritave. Pavarësisht regjimit të ashpër që e instaluan në Shqipëri, edhe ata kanë kontributet e veta. Pra, të gjitha këto figura kanë luajtur role të ndryshme për të cilën gjë duhet t’i gëzojnë meritat përkatëse", u shpreh Fischer.

Sipas Bern Fischer, iniciativa e kryeministrit Berisha për rivlerësimin e figurave historike është një hap që duhet të përshëndetet, edhe pse thekson se rivlerësimi është një e drejtë ekskluzive e historianëve, kështu që nga ky proces politika duhet të qëndroj sa më larg që të jetë e mundur.

"Unë mendoj se rivlerësimet historike janë të nevojshme. Është kjo diçka që unë i inkurajoj studentët e mi për ta bërë. Procesi i rivlerësimit është diçka e vazhdueshme dhe me vlerë. Shpresoj që në Shqipëri kjo gjë të mos jetë e motivuar politikisht, sepse, për të qenë objektive, historia duhet të qëndrojë sa më larg politikës.

Unë i kam mirëpritur deklaratat e kryeministrit për rivlerësimin e figurave të ndryshme në Shqipëri, por duhet të jenë historianët ata që do ta thonë fjalën e fundit. Politika në këto gjëra gjithmonë kërkon të jetë prezente dhe të përfshihet. Dua të nënvizoj se në çështje të tilla politika duhet të ketë një rol shumë të vogël, meqenëse marrja me histori është një profesion në vete. Për shembull, unë nuk mund t’i marr atributet e një kirurgu për një muaj, nëse nuk e kam të mbaruar shkollimin përkatës. Njësoj, edhe historia duhet t’iu lihet historianëve", thotë Fischer.

Pak kohë më parë, një deklaratë e historianit amerikan, Bern Fischer, sipas së cilës gjermani i fundit është larguar nga Shqipëria më 4 dhjetor, ka rikthyer debatet që lidhen me largimin e pushtuesit gjerman nga Shqipëria.

"Kjo gjë ka ardhur drejtpërsëdrejti nga një dokument gjerman. Datat e tilla gjithnjë na servohen nga dokumentet. Edhe ky dokument ishte shkruar në Berlin, në vitin 1945, edhe pse ne nuk e dimë se kush është autori që ka shkruar këtë dokument. Ajo që dimë është se ky njeri ishte një analist i çështjeve ushtarake, dhe se ai shkroi se, nga Shqipëria gjermani i fundit u largua më 4 dhjetor.

Meqenëse po flasim për datat, atëherë më lejoni t’ju them se datat nuk janë shumë të rëndësishme. Unë e përdor datën 4 korrik - që është festa e pavarësisë së SHBA’ve. Por, nëse ju referohemi fakteve, Kongresi amerikan e deklaroi pavarësinë dy ditë më herët, pra më 2 korrik, ndërkohë që dokumenti pastaj u nënshkrua brenda një periudhe njëmujore.

Këto dokumente sigurisht që marrin një rëndësi për historianët, por ato kanë shumë më pak rëndësi për kombet. Data është një simbol, kështu që ne mbase kurrë nuk do ta mësojmë se kur u largua gjermani i fundit nga Shqipëria. Kjo është një çështje që nuk duhet të ketë një fokus të rëndësishëm. Unë e kuptoj përfshirjen e politikës edhe në këtë çështje. Por, besoj se kombinimi i dy datave, 28 dhe 29 nëntor, funksionon", thotë Fischer.

Por, si e sheh Fischer Shqipërinë e një viti më vonë, respektivisht atë të vitit 101?

"Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur, duke zgjedhur si drejtim kursin europian. Kjo është diçka që nuk mund të kthehet prapa, pasi ajo ka zgjedhur që të jetë një shtet demokratik dhe me ekonomi të tregut. Prandaj, e theksoj se nuk ka kthim prapa. Procesi është i ngadaltë. Natyrisht, unë dua që gjërat të ecin më shpejt, në shumë drejtime. Megjithatë, mbetem shumë optimist se problemet e shfaqura do të tejkalohen. Vështirësi ekzistojnë në nivele të ndryshme, por unë mbetem optimist", përfundon Fischer.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›