Gjykatësit në Egjipt ndalin punën

Në shenjë proteste ndaj dekretit të presidentit, Muhammed Morsi, gjykatësit egjiptianë kanë vendosur të ndalin punën. Gjykata Kushtetuese e Egjiptit ka akuzuar presidentin Morsi se po udhëheq një fushatë kundër saj. Nga ana tjetër, menjëherë ka reaguar edhe Gjykata e Apelit, duke njoftuar se do të pezullojë punën derisa presidenti të tërheqë dekretin e tij.
Dekreti, sipas të cilit vendimet dhe ligjet e nxjerra nga presidenti janë përfundimtare dhe s’mund t'i nënshtrohen ankesave, ka shkaktuar protesta në gjithë Egjiptin. Policia ndërkohë ka përdorë gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve në Kajro, dhe qytetet tjera të mëdha të vendit.
Sipas Morsit, ndërkaq, dekreti i tij është i përkohshëm dhe ai është i nevojshëm për të mbrojtur ndryshimet demokratike që filluan menjëherë pas rrëzimit nga pushtetit të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, vitin e kaluar.
Paralelisht, Asambleja Parlamentare në Egjipt po nxiton të miratojë Kushtetutën e re të vendit, në të cilën përfshihet edhe dekreti i presidentit Morsi.