Një vështrim mbi sjelljen e fermerit në vitin 2013
U bë disa vjet që Ministria e Bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit për zbatimin e politikave të saj direkt në fermë për zhvillimin e bujqësisë, ka përdorur si instrument, mbështetjen me fonde falas nga buxheti i shtetit të mijëra fermerëve në mbarë vendin. Ky numër i fermerëve përfitues ka ardhur duke u rritur nga viti në vit; kujtoj këtu se vitin e parë - 2007, përfituan rreth 7000 të tillë, ndërkohë që për vitin 2012, numri i tyre u pesëfishua, duke arritur në mbi 42000 veta.
Në vend të kujtesës/Në një shkrim timin për këtë qëllim, para 2 - 3 vitesh, nënvizoja se qëllimi i skemave në blegtori ishte ferma dhe jo fermeri, që do të thoshte se synimi kryesor i yni asokohe ishte të krijoheshin ferma blegtorale, me lopë, dele, shpendë, etj. Unë mendoj se kjo logjikë ishte më se e drejtë, për faktin se mbi 95 % e fermave të qumështit ishin me 1 - 2 lopë dhe vetëm 4 - 5 % e tyre kishin më shumë se 5 krerë. Psh në vitin 2006, gati 300 mijë ferma, kishin në pronësi të tyre rreth 360 mijë krerë lopë qumështi, me një rendiment mesatar 2275 litra për krerë. Në raport me detyrat e Ministrisë së bujqësisë për furnizimin e tregut me qumësht të freskët, këto tregues ishin të pamjaftueshëm për të rritur prodhimin e tij dhe furnizimin e tregut ditor të qyteteve, sepse një fermë e tillë me rendimentin që realizonte nuk mund të plotësonte as nevojat e veta familjare, e jo më të mendonte të dilte në tregun e qyteteve të mëdha. Ishte koha kur në Tiranë, trotuareve të saj , të gjithë e mbajmë mend, me qindra fshatarë e katunarë, grupe - grupe, shisnin nga 2-3 shishe coca cola me qumësht, kuptohet jashtë standardeve, mungesën e të cilave më pas i “eliminonte” zierja e fortë e qumështit nga amvisat në shtëpi.
Po çfarë ndodhi me fermerin?/Ndërsa sot në vitin-2013, një numër prej 200-210 mijë fermerësh në shkallë vendi, mbarështojnë rreth 350 krerë lopë qumështi, ose 3 % më pak. Këta, le t’i quajmë fermerë marrin një rendiment mbi 2750 litra për lopë foragjere , ose 21 % më shumë se në vitin 2006. Pra sot me 30 % më pak ferma lopësh, jo vetëm që merret më shumë qumësht se në vitin 2006, por njëherazi merret edhe një rendiment mesatar 21 % më i lartë për çdo lopë foragjere në shkallë republike. E thënë ndryshe, shprehur në % , pakësimit të numrit të fermave me një mesatare prej 5 % në vit, i është përgjigjur një rritje e rendimentit të qumështit për lopë foragjere në masën prej 3.5 %.
Le të bëjmë një analizë të shkurtër. Falë politikave transparente dhe miqësore me fermerin , ky i fundit para së gjithash: a - arriti të ketë më shumë besim tek politikat e Ministrisë së Bujqësisë e më pas edhe tek vetvetja. Kjo bëri që fermeri të fillojë të shohë më shumë nga tregu , duke bërë jo vetëm bilancin financiar ditor e periodik të fermës së tij mikse, por edhe bilancin e mundësive të tij fizike reale familjare në raport me prodhimin e qumështit, mishit, perimeve, frutave, ullirit, etj. b - Rritja e besimit tek mundësitë e tij individuale, kuptohet që ishte në korrelacion pozitiv me tregun dhe atë ç’ka ai jepte e merrte prej tij. c - Rritja e vlerave të këtij raporti me tregun, natyrisht që efektin e parë e kishte në shtimin e numrit të lopëve në mënyrë të natyrshme. Si pa e kuptuar në fund të vitit bujqësor ai shikonte se në stallë kishte një ose dy lopë më shumë barsa së bashku viçat e tyre. d-Kësisoj edhe angazhimi i tij tani nuk mund të ishte më ai i pak muajve apo edhe viteve më parë. e-Fermeri tani ndjehej disi më “i rëndë” dhe më i sigurtë në fuqitë e tij. Të tillë të bën prona private, puna dhe djersa jote. f-Kësisoj ai fillon të ndjejë nevojën e bashkëpunimit me strukturat e Drejtorive të Bujqësisë në terren e cila i ofrohet falas, pavarësisht se jo radhë ata nuk e përfillin këtë të fundit.
Marrëdhënia me median dhe politikanët/Të nderuar lexues. Vini re fjalorin që përdorin sot politikanët dhe media kur bie muhabeti për bujqësinë dhe fermerët. Ai sot, në vitin 2013, është më i kulturuar në përmbajtje në raport me fshatin dhe zonat rurale në tërësi. Thuajse nga asnjë prej tyre ka kohë që nuk përdoret fjala “bujk” dhe “fshatar”. Kjo e fundit mendoj se më tepër po përdoret për të evidentuar faktorin social që jeton e punon në zonat rurale, pra ka karakter më shumë njerëzor dhe se çdo ditë ky vlerësim po fiton terren. Pra sot shoqëria e pjekur në tërësi ka tendencë ta shikojë fshatarin si pjesë organike të saj, edhe pse brezi i ri nuk e vlerëson aspak këtë fenomen dhe vazhdon të mbetet ende larg saj duke filluar që nga shkolla fillore e parauniversitare. Përdorimi i fjalës së vjetër “bujk”, duket se ka humbur të drejtën e qytetarisë në fjalorin politik e mediatik të shoqërisë shqiptare . Unë mendoj se kjo është një gjë e mirë dhe ja vlen për tu përshëndetur. Gjithashtu mendoj se fjala fermer duhet të futet edhe në përdorimin e përditshëm të librave të shkollave të të gjitha niveleve në mbarë vendin. Tashmë fjala fermer për mua duhet të futet e përfshihet në fjalorin kombëtar të gjuhës shqipe . Me këtë nuk dua të them se po e përdorim atë për t’u dukur modern me Europën, por se kështu është në të gjithë globin dhe kështu sot po e përdor e gjithë bota e qytetëruar. Mos harrojmë se dikur jo më larg se para 20 - 30 vjetësh ajo ka qenë një mollë e ndaluar, aq sa u hoq nga përdorimi zyrtar dhe i përditshëm në fshat.
Fermeri sot është para politikës, por …/…për shumë arsye kjo jo gjithmonë është e mjaftueshme për ngritjen e një ferme me rezultate të qëndrueshme në prodhim dhe efektive në treg. Jo radhë herë shumë fermerë me arritje pozitive modeste e të dallueshme në një kohë relativisht të shkurtër, bien pre e suksesit të tyre, duke i bërë ata euforikë, a thua se nuk ka të tjerë me rezultate të tilla si ai. Kjo gjë i bën ata të mbivlerësojnë aftësitë e tyre dhe të nënvlerësojnë bashkëpunimin me strukturat e shërbimit këshillimor dhe të qendrave shkencore të transferimit të teknologjive bujqësore të Ministrisë së Bujqësisë në rrethe të ndryshme të vendit. Mbivlerësimi i aftësive të veta profesionale i çon fermerët shpesh në marrjen e vendimeve jo të drejta, qoftë edhe për periudha të shkurtra sezonale, duke realizuar më pas arritje të dobëta. Kjo gjë i ç’orienton ata në nxjerrjen e konkluzioneve të sakta, të cilat ngadalësojnë ritmet e zhvillimit të fermës. Bashkëpunimi me shërbimin këshillimor publik apo edhe privat sot është një domosdoshmëri, e cila nuk duhet të realizohet vetëm në kohën kur Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë hedhin në “treg” politika subvencionuese. Mos harrojmë se bujqësia nuk ishte kështu para 6-7 vitesh. E thënë ndryshe jo vetëm kur ata janë të detyruar të aplikojnë për projektet e përfitimit financiar nga fondet e grandeve falas të buxhetit të shtetit , por para së gjithash fermerët duhet të kuptojnë, edukohen dhe binden se një fermë shqiptare si blegtorale ashtu edhe me vreshta, pemëtore, ullinj, etj; nuk mund të jetë efektive në një treg bujqësor vendas , sado i fuqishëm të jetë ky, pa qenë i përfshirë në projektet afat gjata të zhvillimit rural të vendit në tërësi. I zoti dhe i suksesshëm do të jetë ai fermer që do të dijë të gjejë bashkëpunëtorët e duhur në rrugën e gjatë të zhvillimit të fermës në raport me zhvillimet e fermës shqiptare dhe asaj europiane. Këtë gjë e bën mëse të domosdoshme edhe pranimi së shpejti i Shqipërisë në Bashkimin Europian me statusin e vendit kandidat, prej nga do të dalin edhe përfituesit e parë të fondeve të BE. Sa për dijeni fermerët europianë përfitojnë rreth 43 % të fondeve të buxhetit të bashkimit europian.