Europa drejt bashkimit bankar
Çështjet për t’u diskutuar janë të shumta dhe për to po kërkohen edhe zgjidhje të shpejta dhe afatgjata. Natyrisht objektivi kryesor është projekti i bashkimit bankar dhe presidenca irlandeze e Bashkimit Europian do të kërkojë pikërisht këtë, në mbledhjen dyditore që po zhvillohet mes ministrave të Financave. Nga ana tjetër po flitet edhe për Qipron dhe shpëtimin e saj pa harruar edhe luftën kundër evazionit fiskal. U fol disa ditë më parë për avionë të ngarkuar plot me kartmonedha euro që niseshin nga Frankfurti për të mbërritur në ishullin mesdhetar, për kamionë pastaj, të ngarkuar dhe të siguruar me ushtarë në mënyrë që paratë të mbërrinin të sigurta në destinacion. Tashmë klima e emergjencës duket sikur ka kaluar në ishullin mesdhetar të Qipros edhe pse problemet ekzistojnë akoma. Sidoqoftë do të jenë dy ditë të ngjeshura për ministrat e Financave. Dyshimet dhe pasiguritë janë të mëdha dhe klima hera - herës duket se nuk është e përshtatshme për krijimin e bashkimit bankar. Por nga ana tjetër Europa e të ardhmes kërkon të arrijë me ngulm tek lindja e bashkimit bankar. Kërkohet ndërkohë që të transferohet vëzhgim - vigjilenca bankare nga shtetet anëtare tek Banka Qendrore Europiane. Në fakt një marrëveshje është arritur mes Këshillit dhe Parlamentit e cila ishte gati në fund të muajit mars dhe pikërisht atëherë kur pritej pëlqimi i qeverive një vend si Gjermania ngriti cështjen e katër pikave të cilët po propozohen sërish nga Ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Shauble. Ky i fundit do të vazhdojë akoma duke kërkuar madje edhe ndarjen e plotë mes politikës monetare dhe vëzhgim - vigjilencës së kredisë. Nga ana tjetër një vend si Gjermania po kërkon që tekstit legjislativ t’i shtohet një deklaratë në të cilën të parashikohet një modifikim i artikulllit 127.6 të Traktaktit e cila praktikisht do të thotë një ndarje e plotë mes dy funksioneve që sipas të gjitha gjasave nuk do të ishte shumë e pëlqyeshme nga ana e qeverive. Situata nuk është nga më të mirat dhe do të duhej më shumë kurajo për të kapërcyer pengesat të cilat nuk janë shumë të lehta. Por në mbledhjen e ministrave të Financave nuk po diskutohet vetëm për këto por po flitet edhe për propozimin e komisionit për të krijuar fonde kombëtare për bankat në krizë. Këto fonde duhet të bashkëpunojnë mes tyre në bazë të rregullave të përbashkëta për t’u bashkuar pastaj në një fond unik për zgjidhjet e ndryshme në institutet e kredisë. Vetë idea për t’i kërkuar depozitorëve një kontribut për ristrukturimin e bankave të ishullit mesdhetar po dobëson jo vetëm bankat europiane por të gjithë sistemin. Në këtë mënyrë për të mbrojtur depozitat shumë prej vendeve po kërkojnë të zgjidhin gjithcka sipas rregullave kombëtare. Në të njëjtën kohë vende si Gjermania dhe Franca kanë propozuar projektet e tyre për reformën në sistemet bankare kombëtare pa dashur në këtë mënyrë të influencojnë projektin e Bashkimit Europian. A do të propozohet bashkimi bankar në një kohë që rikapitalizimi direkt i bankave nga mekanizmi europian i stabilitetit është vënë në dyshime nga vetë presidenti i eurogrupit Dijsselbloem? Mbi këto pyetje po vijnë edhe përgjigjet e para ndërsa bëhet akoma dhe më e qartë situata e tanishme në ishullin mesdhetar të Qipros. Për të shpëtuar ishulllin mesdhetar do të nevojiteshin 23 miliardë dhe jo 17,5 miliardë sic mendohej në fillim. Nga ana tjetër do të jetë vetë ishulli medhetar që duhet t’i gjejë këto miliarda nëpërmjet masave shumë drastike. Për këtë fakt janë të vetëdijshëm qipriotët dhe qeveria e tyre. “Ky është një fakt sepse në memorandum flitej për 17,5 miliardë euro financime. Tashmë kjo shifër arrin në 23 miliardë” – është shprehur zëdhënësi i qeverisë së Qipros. Duhet filluar me masat drastike për të marrë paketën e parë të ndihmës që pritet të vijë në muajin maj. Por ndërkaq qeveria e ishullit mesdhetar ka dhënë alarmin sepse në muajin prill i nevojiten 75 milionë për të paguar rrogat dhe pensionet. Sipas planit të shpëtimit është parashikuar se 9 miliardë do të vijnë nga zona euro dhe 1 miliardë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar të cilat do të shërbejnë për rikapitalizimin e bankave.