E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit i trishtë

Iku edhe viti 2010. Ai ishte viti i njëzetë i tranzicionit në Shqipëri. Në vendet e tjera të Europës Lindore tranzicioni zgjati 10-15 vjet, në Shqipëri edhe dy dekada dhe ende në tunel nuk ka dritë. Një vit më parë krerët e shtetit dhe të politikës premtuan se 2010 do të ishte një vit historik dhe ndryshimi për Shqipërinë. Pas 365 ditëve ndryshimi nuk duket, dhe asgjë nga ato që u bënë nuk meriton të jetë historike.
Bilanci krahasues është kundraproduktiv: kemi fituar më në fund liberalizimin e vizave, por kemi humbur statutin kandidat për në BE (e fitoi edhe Mali i Zi, krijuar më 2006). E nisëm vitin me përmbytje në Shkodër, e mbyllëm po me përmbytje në Shkodër, tanimë dy herë më të madhe. E nisëm vitin me negociata për krizën politike në zyrën e Presidentit, e mbyllëm me dështimin e shumëfishtë të negociatave dhe thellimin e krizës në sallën e parlamentit. E nisëm vitin me parlament të bojkotuar nga një palë, e mbyllëm me një parlament me dy palë, por të bojkotuar nga shumica e shqiptarëve. E nisëm vitin me premtimin për dyfishim të ardhurash për qytetarët dhe e përfunduam vetëm me shumëfish të ardhurash vetëm për ata që qeverisin në emër të qytetarëve. E nisëm vitin me debatin për hapjen e kutive, e mbyllëm atë duke mbyllur gati konsensualisht të gjitha “kutitë”, përfshirë skandalet politike, gjyqësore, abuzimet ekonomike dhe gafat diplomatike. E nisëm vitin duke premtuar se jemi një model suksesi në Europë dhe e mbyllëm, me një raport të ashpër kundër nesh, hartuar nga një eurodeputet dhe votuar pa kundërshtime nga Këshilli i Europës. E nisëm vitin me betejën për njohje të reja të shtetit të Kosovës dhe e mbyllëm, me zhgënjimin mbi zgjedhjet në Kosovë dhe gabimet e njëjta të saj me ato të Shqipërisë së tranzicionit. Të vetmet gjëra që nuk ndryshuan as në fillim dhe as në fund të vitit 2010 ishin retorika e ashpër politike midis liderit të maxhorancës dhe opozitës, si dhe moda e koncerteve festive qeveritare në dimër, në pranverë, në verë, në vjeshtë dhe përsëri në dimër.
2010-ta do mbahet mend si viti kur BE (Raporti i Progresit) artikuloi dy akuza të forta mbi demokracinë në Shqipëri: e para që klasa politike ka mungesë të theksuar të maturisë e përgjegjësisë politike, dhe e dyta, që Shqipëria nuk përmbush kriteret e Kopenhagenit për demokracinë funksionale. Janë shprehje që më 2010-ën, BE i përdor vetëm për Shqipërinë, për asnjë shtet tjetër. Dhe kjo vjen një vit pas anëtarësimit të Shqipërinë në NATO, tre vjet pas nënshkrimit të MSA dhe një vit pas paraqitjes së kërkesës për pranim në BE.
Më 2010 politika u kthye në identitet. U panë politikanë në greva urie, në mitingje, në retorika personale akuzuese, në denoncime familjare e personale, sa ujqër e armiq të betuar në Tiranë aq edhe qengj të dëgjuar në restorantet e Strasburgut, Vjenës apo Brukselit. Ata që zgjodhëm për të na qeverisur na thonë të gjithë ditën se jemi populli më i lumtur në botë, se kush kritikon është mafioz e bandit, se kush proteston është antieuropian dhe antishqiptar, se e mira e këtij vendi është qeveria dhe e keqja e këtij vendi është opozita. Ata që me vota kaluan në opozitë na thonë të gjithë ditën se jemi populli më fatkeq në botë, se kush nuk kritikon qeverinë është mafioz e bandit, se kush nuk proteston me të është antieuropian dhe antishqiptar, se shpresa e këtij vendi është opozita dhe mallkimi është qeveria. Dy palë që luftojnë sipas modelit të revolucionit permanent, pa kompromis e me çdo mjet, por që brenda pak minutave gjejnë kompromis kur është fjala për ndarje të shesheve të ndërtimit, siç është plani për qendrën e Tiranës, ai për periferinë e saj, për lejet e ndërtimit apo për praktikat abuzive të financimit të paligjshëm të vetë partive politike dhe fushatave të tyre elektorale.
2010 erdhi dhe iku në formën më të gabuar: i pasuri u bë më i pasur, i varfëri edhe më i varfër; pushtetari u bë më abuzues, qytetari më pak i përfaqësuar; politikanët u bënë më shumë jeniçerë të shefave të tyre, votuesit nuk kanë më një adresë për të folur mbi sovranitetin e tyre. Partitë e liderit u forcuan shumë, jashtëzakonisht shumë, kurse institucione kushtetuese u bënë gjithnjë e më shumë të dobëta e formale. Vetë Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Konferenca Gjyqësore, Avokati i Popullit, etj u paralizuan për muaj të tërë, media u bë më e kontrolluar, biznesi më i dëgjueshëm dhe shoqëria civile më shurdhe.
Një vit i humbur për një shtet nuk është tragjedi, por kur ai i shtohet viteve dhe dekadave të tjera të humbura atëherë kjo kthehet në tragjedi. 2011 nuk premton shumë, zgjedhjet lokale do të jenë kulmi i konfliktit politik të radhës, kriza politike do të vijojë dhe përshkallëzohet, axhenda politike në vend të problemeve qytetare do të jetë e dominuar nga interesat para e paselektorale; dhe Shqipëria rrezikon të humbë edhe shansin e dytë të statutit kandidat për në BE. Ky është lajm më i trishtuar sesa viti i humbur 2010, një lajm që nuk na lejon të shpresojmë e bëjmë plane mirëqenie e integrimi, përkundrazi, vetëm të urojmë që në 2011-ën, çmimi që ne do të paguajmë dhe dhimbja që do të kemi, të jenë sa më të vogla.
Gjithnjë jemi mësuar të themi se një shoqëri/një popull që nuk mëson nga gabimet e veta është i dënuar t’i përsërisë ato. 2010-ta ishte një dëshmi, 2011-ta mund të jetë një dëshmi tjetër. Kjo është dhurata e politikës për Vitin e Ri, një dhuratë cinike për një vend dhe një popull, i cili pavarësisht se peng i interesave personale të tranzicionit, meriton dhe duhet të meritojë shumë më tepër.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›