Një vit në bashki, Basha: Na presin arritje të mëdha
Në një kohë që ka kaluar pak më shumë se një vit në krye të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka bërë analizën e punës si qytetar i parë i kryeqytetit. Në një komunikim me mediat kryebashkiaku renditi disa nga arritjet e bashkisë, ndërsa theksoi se ditë më të mira dhe arritjet më të mëdha janë ato që do vijnë.
Arritjet sipas Bashës
Lulzim Basha ka analizuar një sërë arritjesh duke nisur nga ulja e taksave vendore, nxitja e punësimit në sektorin privat, hipotekimi i banesave, plani urbanistik dhe infrastruktura. Sipas tij gjatë këtij viti u hapën në total 5724 biznese në Tiranë dhe u punësuan 6091 persona.
Gjatë këtij viti sektori privat ka punësuar 6 mijë e 91 qytetarë dhe kjo vërtetohet për shkak të pagesës së sigurimeve shoqërore ndërsa 31 mijë 912 persona janë punësuar në Tiranë. Ka nisur të funksionojë qendra e karrierës e cila po ofron stazhe dhe punësim. Një marrëveshje mes bashkisë së Tiranës do të bëjë të mundur punësimin e 400 personave deri në fund të verës. Disa nisma kyçe kanë qenë plani urbanistik, infrastruktura, rritja e punësimit, hipotekimi i banesave etj, u shpreh Basha.
Hipotekat
Sipas tij, janë dhënë leje për përdorim 5781 apartamenteve dhe duke bërë që nga kjo të përfitojnë shumë qytetarë të Tiranës, ndërsa ka shtuar se është mbajtur premtimi për mbrojtjen e konsumatorëve. Ndër të tjera ai përmendi edhe ndihmën e dhënë për bizneset e vogla përmes disa kredive dhënë tyre, ndërsa tha se problem mbetet hipotekimi.
Ndryshimi nuk vjen brenda ditës, por progresi është i qartë. Ky është bilanci i vitit të parë dhe jo mandatit të parë. Jam i sigurt që të gjitha premtimet do realizohen; disa janë realizuar dhe një pjesë do realizohen në vijim e sipër. Në raport me premtimet brenda një viti ka të bëjë me hipotekimet ku Bashkia ka realizuar atë që ka pasur brenda tagrit të vet, por edhe kur nuk kemi pasur tagër kemi marrë masa. Ne nuk do të lejojmë që qytetarët të mbeten peng i forcave të tjera. Ne e kemi marrë këtë përgjegjësi dhe çdo banor do ketë në dorë tapinë e hipotekimit, deklaroi Basha.
Detaje
Punësimi
Gjatë këtij viti sektori privat ka punësuar 6 mijë e 91 qytetarë dhe kjo vërtetohet për shkak të pagesës së sigurimeve shoqërore ndërsa 31 mijë 912 persona janë punësuar në Tiranë. Ka nisur të funksionojë qendra e karrierës, e cila po ofron stazhe dhe punësim. Një marrëveshje mes bashkisë së Tiranës do të bëjë të mundur punësimin e 400 personave deri në fund të verës deklaroi kryebashkiaku Basha, i cili theksoi se ka përmbushur një nga premtimet për dhënien e hipotekave duke dhënë leje për përdorim 5781 apartamenteve dhe duke bërë që nga kjo të përfitojnë shumë qytetarë të Tiranës.
Plani urbanistik
Duke u ndalur tek Plani urbanistik i Tiranës ai tha se: Pas 10 muajsh punë intensive Tirana ka planin e saj. Në hartimin e tij u përfshinë ekspertë, sociologë, studiues dhe studentë etj. Plani po bëhet gati për tju paraqitur qytetarëve dhe grupeve të interesit. Të gjitha vendimet do të merren në transparencë të plotë. Plani do ti japë fund spekulimit dhe spekulantëve me lejet e ndërtimit,- deklaroi Basha, duke iu dhënë përgjigje sulmeve në adresë të tij.
Jetesa nga mbeturinat, OJF-të letër bashkisë
Shoqëria Civile i ka dërguar një shkresë zyrtare bashkisë së Tiranës, ku i kërkon pezullimin e vendimit për sekuestrimin e mjeteve motorike të romëve, që punojnë për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme. “I kemi kërkuar zotit Basha shfuqizimin e urdhërit për ndalimin e mjeteve motorrike dhe jo motorike të ndaluara rreth tre javë më parë, për komunitetin rom, i cili për 20 vite vazhdon të jetojë duke mbledhur materiale të riciklueshme. Çuditërisht edhe këto organizata që kanë marrëveshje me bashkinë dhe janë të lejuar të mbledhin materialet e riciklueshme konform ligjit, janë ndaluar dhe u është pezulluar aktiviteti”, tha Adriatik Hasantari nga “Roma Aktiv”. Vendimi i Bashkisë për ndalimin e grumbullimit të mbetjeve ka bërë që 800 familje të mos kenë më asnjë të ardhur, ndaj shoqëria civile kërkon respektimin e marrëveshjeve nga bashkia për grupet e romëve, që kanë të drejtë ta kryejnë këtë punë, si dhe hapjen e vendeve të punës dhe përfshirjen në asistencën sociale. “Për këto 800 familje që janë prekur nga ky urdhër i bashkisë, të përmirësohen kriteret e ndihmës ekonomike, pra të lehtësohen ato, sepse një pjesë e konsiderueshme e familjeve, nuk e marrin këtë ndihmë ekonomike. Gjithashtu i kërkojmë edhe sigurimin e punësimit për individë romë që janë prekur nga ky urdhër i Bashkisë në hapësira që Bashkia dhe disponon konform ligjit”, tha Hasantari. Vendimi i bashkisë për pezullimin e aktivitetit të familjeve rome që prej 20 vitesh janë vetëpunësuar në grumbullimin e mbeturinave te riciklueshme ka bërë që shumë prej tyre sot të luftojnë për mbijetesë, pasi nuk kanë asnjë të ardhur tjetër.
Spahiu: PD-PS kanë 20 vjet që ju mashtrojnë
Rreth 300 emigrantë, të cilët ishin studentë, intelektualë, profesionistë, të cilët prej vitesh kanë studiuar, diplomuar, punuar apo jetuar në të gjithë botën, u përfshinë sot në strukturat e Aleancës KuqeZi duke u kthyer përfundimisht në atdhe. Aleanca KuqeZi vendosi politikisht që një kuotim në qeverisjen e tyre nëse do vijnë në pushtet, do i rezervohet të gjithë shqiptarëve që kanë studiuar, diplomuar dhe jetuar jashtë Shqipërisë. Aleanca Kuq e Zi deklaron që ashtu si Bosnja apo Kroacia e pas komunizmit edhe ne shqiptarët duhet të vendosim në qeverinë tonë disa ministra apo drejtues të administratës publike nga diaspora, theksoi Sekretari për Diasporën, Asllan Musta. Në takim mori pjesë edhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, i cili theksoi: Prej 22 vjetësh socialistët dhe demokratët ju premtuan, por sërish ju mashtruan. Ju jeni gjysma e popullit të mohuar në çdo të drejtë kushtetuese nga një qeveri, e cila qeveris pa vota plebishitare, po me 20% të elektoratit. Ju që ndërtoni Londrën, Romën, Gjenevën, Brukselin, Berlinin dhe qindra qytete në botë sot i bashkëngjiteni një projekti të një Shqipërie tjetër. Spahiu uroi 300 emigrantët e anëtarësuar në Aleancën KuqeZi duke nënvizuar: Mirësevini në lëvizjen mbarëkombëtare, të cilën shqiptarët e kanë pritur për një shekull, mirësevini në llogoren e luftës kundër mafies bardheblu, mirësevini në frontin e bashkimit kombëtar, mirësevini në kantierin e ribërjes së Shqipërisë natyrale nga Mitrovica në Prevezë, Shqipëria po pret bijtë e saj që kthehen ashtu si një shekull më parë kur heronjtë e këtij kombit fituan pavarësinë, por nuk arritën të ndërtonin një shtet të plotë, sovran, etnik, natyral dhe ligjor.