Një vit në krye të bashkisë, premtimet e pambajtura të Lulzim Bashës (VIDEO)
Këshilltarët e majtë në bashkinë e Tiranë kanë bërë rezymenë e punës së Lulzim Bashës për një viti si kryebashkiak i Tiranës. Kreu i opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi ka publikuar premtimet e pambajtura që kreu aktual i bashkisë ka bërë gjatë fushatës para zgjedhjeve të 8 majit të vitit të shkuar. Taksat, hipotekat, dhuna ndaj romëve, çmimet e larta, largimet nga puna dhe gjobat ndaj shoferëve të automjeteve ishin disa nga pikat ku Dalipi u ndal gjatë një aktiviteti në Akademinë e Arteve, ku ishin të ftuar qytetarë të shumtë të kryeqytetit.
Nga Aldrin Dalipi
Një vit më parë në 25 korrik, ne të zgjedhurit e qytetarëve të bashkisë së Tiranës në këshillin bashkiak të dalë nga zgjedhjet dramatike të 8 majit, kryem betimin për të përfaqësuar interesat e publikut.
Ndërkohë betimin e bëri dhe kryetari i bashkisë si i dalë nga zgjedhjet e manipuluara vendore gje e theksuar fort dhe nga organizmat ndërkombëtarë.
I mbajmë mend dhe sot të gjitha ato premtime të bujshme të kryebashkiakut, dhe në veçanti sot që mbushet një vit, ky bilanci i paralajmëruar i dështimeve është në sytë e qytetarëve.
Arjani, një tregtar qe ushtron aktivitetin në Tiranë mendonte një të ardhme më të mirë të biznesit të tij, në një nga tregjet e kryeqytetit. Si shumë tregtare e biznesmenë të ndershëm që nuk mbajnë syte të miqësitë apo klientelizmi, shpresonte për ta zhvilluar më tej sipërmarrjen e tij. Ndoshta dhe premtimet ne zgjedhjet vendore i shihte si një formë që mund të ishin ndihmë për të ardhmen. Por nuk ndodhi kështu në të vërtet. Në muajin shkurt 2012, taksa vendore i erdhi jo vetëm atij por dhe shumë bizneseve në Tiranë, 2 deri 3 herë më e larte se viti i mëparshëm. Pati dëgjuar kryebashkiakun e ri se do ti ulte taksat e tarifat, por u befasua kur pa se vetëm tarifa e pastrimit i kishte ardhur dy herë edhe atij dhe qiradhënësit të objektit që kërkoi me të drejte a pa të drejtë tia faturonte biznesit në fjalë. Kjo nuk kish ndodhur më parë. Në kushtet e falimentimit kur dhe konsumi ishte në rënie, ky qytetar ishte pa shpresë.
Shumë tregtarë të Tiranës u përballën me këtë nismë të bashkisë për rritjen e taksës vendore te biznesit, ndërsa opozita e denoncoi në tregjet dhe rrugët e Tiranës, madje kërkoi një komision verifikimi për praktikat e ndjekura për rritjen por kryetari i bashkisë në vend të transparencës zgjodhi refuzimin.
Këshilltarët e opozitës paralajmëruan në dhjetor të 2011 se buxheti i këtij viti i paraqitur për investime ishte jo realist dhe i pabazuar në shifra reale ndërsa kryebashkiaku deklaronte se 70 milion dollarë ishte buxheti më i lartë, historik i Tiranës. Por zgjodhi te mos përgjigjej kur i faktuam se ky ishte buxheti më i vogël përderisa në 2005 ishte 90 milion dollarë dhe në 2011, nën presionin e qeverisë dhe bllokimit skandaloz të forcës politike të zotit Basha, buxheti i paraqitur nga administrata e mëparshme ishte 76 milion dollarë, pra më i lartë se buxheti i 2012.
A ka investime sot në Tiranë? Vetë kryetari i bashkisë para disa ditësh për herë të parë na tha se as një kilometër rrugë nuk arriti të bënte. Premtoi kilometra të tëra ne vitin e parë të mandatit te tij. Banoret e njësisë 7 na treguan se zoti Basha u premtoi para dhe pas fushate që do shtronte 100 metra rrugë pas Fushës së Aviacionit, që pati ngelur nga bllokimi i buxhetit një vit më parë. Sot ata janë të zhgënjyer dhe pa 100 metra rrugë asfalt. E ka detyrim ta mbajë premtimin e dhënë.
Tirana në zhvillim çdo vit ka pasur rikonstruksione dhe ndërtime të shkollave të reja dhe projektet nuk mungojnë e janë të gatshme, por sot qyteti ku jetojmë nuk e ka një shkollë të re pavarësisht premtimeve të shumta, ndërsa studentët që prisnin kartën e studentit në fillim të vitit akademik 2011 2012 ngelën të zhgënjyer nga një premtim publik i pambajtur që e dëgjuan të thuhej se u mbajt kur ata ishin në shtëpitë e tyre apo me pushime në përfundim te vitit. Por nuk ndalet këtu. Një konvikt publik, bashkia u përpoq tua hiqte studentëve dhe vetëm përpjekja e medias të pavarur e shpëtoi këtë pasuri dhe të shpresojmë tu kthehet studentëve të Universitetit të Tiranës sa me pare.
Sot kryetari i Bashkisë mban peng rreth 400 banesa sociale, te cilat prej dy vitesh janë të gatshme dhe janë bllokuar qëllimisht nga politika e mbrapshtë, që kërkon të transformojë listat me emrat e qytetarëve plot halle për strehimin, me shpërblime politike. Nuk e solli në këshillin bashkiak, ndërsa banesat vazhdojnë të amortizohen diku aty rrugës për në zonën e Shkozës si dëshmi e turpshme e politikes partiake e klinteliste që trafikon dhe varfërinë.
Dëgjuam reagimin e shoqatës së ndërtuesve ditët e fundit. Ata vunë alarmin se Tirana ndodhet përballë kërcënimit të ndërtimeve pa leje. Një i quajtur plan urbanistik që nuk dihet ku ndodhet. Nuk ka transparence për të. Mbi një milion euro të planit zviceran, i bllokuar në zyrat e qeverisë, u shpërdoruan, dhe tani po bëhen gati ti sulen qytetit duke parashikuar të vendosin njollat e ndërtimeve klinteliste ku të munden. Në shumë zona të Tiranës ndërtimet pa leje po vazhdojnë pa u ndalur që pas 8 majit.
U akuzuam për spekulim politik sa herë i çuam zërin e qytetarëve kryetarit të bashkisë. Përdori dhe etiketime si mashtrues e shpifës për opozitën kur denoncuam dorën e dhunës, veshur me uniformën bashkiake që dhunon dhe mbi gra. Sa herë i kërkuam Bashës të mbante premtimin dhe të dëgjonte shqetësimin e qytetarëve, u përgjigj me heshtjen e turpshme të fajtorit për secilin prej halleve që sot i rëndojnë mbi supe mbarë Tiranës.
Një pensioniste, një grua e moshuar, te Kodra e Priftit, ia tha në sy kryetarit se nuk kishte ujë në shtëpi, ndërsa Basha kishte shkuar të priste shiritin e inaugurimit të dështimit të radhës. Ia thanë me protestë dhjetëra familje në Shkozë, të tjera në Porcelan e anë e kënd kryeqytetit ku tani nuk arrin më as premtimi për 24 orë ujë.
Nuk kanë qenë të pakta letrat dhe reagimet e qytetarëve, të cilat mbanin shqetësimin e gënjeshtrës së madhe me hipotekat. Premtimi i Bashës për zgjidhjen e këtij problemi, u sajua në disa dalje publike me dosje bosh mbi tavolinë. Por dhe Çani u zhgënjye për premtimin që në nëntor 2011 do merrte hipotekën kurse kryetari pretendonte vazhdimisht se tashmë lufta e brendshme politike e partisë së tij po bllokonte procesin e hipotekimit. Sot qytetarët nuk i kanë marrë ende hipotekat.
Zyra e kryetarit Basha i mbylli dyert më shpejt se sa i hapi. Zëri i qytetarëve nuk mundet dot të dep
