E Diel, 1 Nëntor 2026

Punoi 3 muaj në Lazarat, paguhet me marijuanë

Çanta ku iu gjet marijuana te riut

GJIROKASTER- Lazaratasit konvertojnë pagesën tre mujore të një punonjësi me 5 kg marijuanë. Lavdim Turtulli, 22 vjeç nga Librazhdi në mungesë të pagesës tre mujore si kultivues i rregullt hashashi në Lazarat, është shpërblyer me 5 kg marijuanë, të cilën tentoi ta shiste për të siguruar pagesën e munguar prej 90 ditësh nga pronarët e plantacioneve me kanabis në fshatin rebel.

Arrestimi i 22- vjeçarit, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës kur specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, u vunë në dijeni se i riu me banim të përkohshëm në Gjirokastër, po tërhiqte sasinë e marijuanës prej 5 kg nga Lazarati në drejtim të Gjirokastrës për ta trafikuar më pas në Elbasan në klubet e natës. Marijuana është dhënë nga tre banorë të Lazaratit kushërinj me njëri-tjetrin, në mungesë të pagave të pashlyera ndaj të riut 22- vjecar, përgjatë tre muajve të fundit, ku punonte si kultivues dhe prashitës i hashashit.

Me identifikimin e drogës, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në vend të riun, i cili priste të largohej drejt Elbasanit, me autobuzin e linjës. Policia nga ana e vet, ka rënë në gjurmët e tre pronarëve të hashashit që i kishin dhënë lëndën narkotike Turtullit dhe po punohet për kapjen e tyre.

Piro Nase

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›