SHBA, Santorum triumfon në Kansas

Kandidati për të fituar emërimin zyrtar të republikanëve në SHBA për t`u përballur me presidentin Obama në zgjedhjet e nëntorit, Rick Santorum, arriti një sukses të rëndësishëm në shtetin e Kansasit, në zgjedhjet brenda partisë.
Fitorja e tij në Kansas, një bastion i konservatorëve, ishte e paralajmëruar prej kohësh, ndërsa dy rivalët kryesorë, Mitt Romney dhe Newt Gingrich, nuk realizuan fushatë në këtë shtet.
Sipas të dhënave zyrtare, Santorum grumbulloi 51% të mbështetjes në Kansas, i ndjekur nga Romney me 21%, Gingrich me 14% dhe Paul me 13%. Për senatorin 45-vjeçar të Pensilvanisë, suksesi ishte i domosdoshëm për të qëndruar në garë për fitore.
Në të njëjtën ditë, Romney arriti disa suksese më të vogla, duke fituar në territoret e “përtej detit”, në ishullin e Guamit, në Marianet Veriore, ishujt e Virgjëra Amerikane dhe shtetin e Uajomingut.
Pas rezultateve të “super të martës”, në të cilën Romney doli një fitues i qartë në dhjetë shtetet ku u mbajtën votimet, Santorum ka nevojë për një seri fitoresh për të mbajtur ritmin.