Një vit pa ujë, banorët hedhin në erë ujësjellësin

Petrit Buzra dhe Gëzim Topi
Në shenjë hakmarrjeje, sepse për një periudhë kohe të gjatë nuk furnizoheshin me ujë të pijshëm, dy persona i kanë vënë eksplozivin ujës-jellësit të fshatit. Policia e Librazhdit bën të ditur se ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës kur dy banorët e fshatit Gizavesht, Gëzim Topi, 37 vjeç dhe Petrit Buzra, 58 vjeç, vendosën një sasi eksplozivi në tubat kryesorë të ujësjellësit. Si pasojë e lëndës plasëse është dëmtuar ujësjellësi, duke lënë pa ujë të pijshëm rreth 50 familje të këtij fshati në rrethin e Librazhdit. Burime të Policisë bëjnë të ditur se në orët e pasdites së të mërkurës kanë marrë një informacion nga banorët e zonës se në rrjetin e ujësjellësit të këtij fshati është vendosur një sasi lënde eksplozivi, duke lajmëruar dhe për ndërprerjen e ujit. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale dhe hetimore rreth eksplozivit. Gjithashtu, ekspertët pasi kanë hequr sasinë e eksplozivit kanë nisur

Ujësjellësi i dëmtuar nga shpërthimi
menjëherë hetimet për të gjetur autorët e dyshuar të vendosjes së kësaj sasie në ujësjellësin e fshatit. Policia ka organizuar operacionin e kapjes së dy shtetasve “Tornado 2012″ dhe vetëm pak kohë mbas marrjes së informacionit arrestoi dy autorët, të cilët akuzohen për veprën penale shkatërrim i pronës me eksploziv, e kryer në bashkëpunim, si dhe mbajtja e lëndëve plasëse. Këta autorë janë arrestuar pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin vendosën sasinë e eksplozivit në ujësjellësin e fshatit, në shenjë hakmarrjeje, pasi prej më shumë se një viti nuk furnizoheshin me ujë të pijshëm. Edhe pse ishin ankuar në zyrat e ujësjellësit, këta të fundit nuk kishin reaguar apo marrë masa. Në fshatin Gizavesh janë rreth 50 familje që furnizohen me ujë të pijshëm. Pesë prej këtyre familjeve, dy prej të cilave i përkasin autorëve të vendosjes së eksplozivit, nuk furnizoheshin me ujë të pijshëm. Vendosja e eksplozivit, që nuk ka shkaktuar dëme në njerëz veç dëme materiale, solli për pasojë edhe lënien pa ujë të pijshëm të rreth 50 familjeve të këtij fshati. Policia, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë, bëri të ditur se dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.
LIBRAZHD/ MIRANDA SADIKU