Arrestime edhe në Luginën e Preshevës

Gjatë natës policia ka arrestuar pesë shqiptarë. Daçiç: Akuzohen për krime lufte
Në Luginën e Preshevës është duke u zhvilluar një aksion i policisë për arrestimin e të akuzuarve që kanë kryer krime lufte ndaj serbëve. Prokurori i Serbisë, për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, ka thënë sot se gjatë natës policia ka arrestuar pesë shqiptarë, të dyshuar për krime lufte, gjatë luftës së vitit 2001 në Luginën e Preshevës. Gazetarëve në Beograd, Vukçeviq u ka thënë se arrestimet ende po vazhdojnë, por nuk ka pranuar të saktësojë se për çfarë krime lufte bëhet saktësisht fjalë.
Të gjitha arrestimet njoftohet se janë kryer në komunën e Bujanocit.
Edhe Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, aksionin e arrestimeve, por tash për tash, ka thënë se nuk ka informacione se për çka bëhet fjalë.
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, u ka thënë gazetarëve në Vranjë se “policia ka arrestuar në jug të Serbisë tetë persona, pesë nga të cilët nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve”.
Në një takim me gazetarët, Daçiq ka thënë se aksioni i xhandarmërisë serbe realizohet me urdhëresën e Prokurorisë për krime lufte, raporton Rel.