E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimet në Maqedoni, shqiptarët protesta përpara selisë qeveritare

04-05-2012 / Gazeta 55

Ekziston frika se akuzat ndaj të arrestuarve, mund të jenë një proces i montuar

Mijëra shqiptarë kanë nisur protestën në Shkup, kundër arrestimeve të shqiptarëve në operacionin “Monstër” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc. Protesta udhëhiqet nga të rinj pa pankarta dhe materiale të tjera protestuese, ndërsa ata brohorisin për “drejtësi dhe liri”, “ndal terrorit shtetëror”, “ndal diskriminimit dhe aksioneve antishqiptare”, etj.
Agjencitë e lajmeve në Maqedoni raportojnë për protestë të qetë dhe të organizuar.
Ndërkohë, pranë gjykatave në Shkup, ku po pritet të mbërrijnë protestuesit janë të pranishme qindra forca speciale.
Protestuesit në këtë moment po i afrohen pranë gjykatës themelore Shkupi 1, ku u zhvillua edhe procesi hetimor kundër 20 të arrestuarve shqiptarë në rastin e Smilkovcit, ku ndër të arrestuarit kishte gra të moshuara dhe vajza shqiptare, që u lanë të pafajshme, por që deklaruan se ishin dhunuar dhe terrorizuar psiqikisht nga organet policore.

Protestuesit pas qëndrimit për disa minuta pranë Gjykatës Themelore, iu drejtuan Selisë së Qeverisë me brohoritje dhe parulla për drejtësi. Brohoritjet masive dëgjohen para Qeverisë “Shqiptarët nuk janë terroristë”, “Shqiptarët nuk janë radikalë islamik”, “Stop proceseve të montuara”, etj.
Në mesin e protestuesve ka pasur protestues që kanë tentuar që ti heqin barrikadat pranë gjykatës, mirëpo ato janë penguar dhe nuk janë lejuar nga organizatorët.
Qytetarët protestues janë të indinjuar me mos-praninë e përfaqësuesve politik shqiptarë nga radhët e partive politike shqiptare.
“Ku janë ata, pse janë futur nëpër vrimat e mijëve, apo kanë hipoteka e nuk guxojnë t’i bëjnë zë shkaut e Gruevskit. Pse po heshtin edhe ato tjerat parti. Kur duan ato të bëjnë politikë apo t’i realizojnë qëllimet e veta dhe përmes kujt? Le të dalin këtu dhe të thirrin protesta masive. Është koha e fundit të tolerohen këto skena makabre dhe sulme ndaj familjeve shqiptare”, thekson një protestues i revoltuar për agjencinë e lajmeve INA.

Gjykata e Shkupit liron 10 persona

Janë liruar 10 persona të arrestuar në operacionin ‘Monstra’, në mesin e të cilëve kishte dhe gra. Atyre u ka skaduar masa e arrestit 48 orësh, dhe për këtë janë lënë të lirë.
Gjykatësi hetues u ka caktuar paraburgim 30 ditor gjithsej 9 personave, 2 prej të cilëve janë në arrati. 5 persona akuzohen për përfshirje të drejtpërdrejt në vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smillkovcit më 12 prill, tre nga të dyshuarit janë transferuar në burg, ndërsa dy janë në arrati dhe paraburgimi do t’u fillojë në momentin kur të arrestohen. Arresti 30 ditor i është caktuar edhe katër personave të dyshuar për prodhim të paautorizuar, armëmbajtje dhe tregtim me armë ose materie shpërthyese.
60 vjeçares nga fshati Hotël i Likovës, tek e cila policia thotë se ka gjetur armë dhe municion, i është caktuar masa preventive, i është marrë pasaporta dhe ka për obligim të paraqitet në gjyq.
Të akuzuarit kryesor për vrasjen e pesëfishtë janë Halil Demiri 27 vjeç nga Haraçina, Afrim Ismailoviç 32 vjeç dhe Agim Ismailoviç 33 vjeç nga lagja Hasanbeg e Shkupit. Fejzi Aziri 54 vjeç nga Shuto Orizarja e Shkupit dhe Rami Sejdi 24 vjeç dyshohet se kanë ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre, përkatësisht ata i kanë strehuar autorët e dyshuar dhe i kanë ndihmuar që në mënyrë ilegale ta kalojnë kufirin shtetëror të Maqedonisë në drejtim të Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur fletë-arrest ndërkombëtar për Afrim Ismailoviç dhe Halil Demirin të cilët janë në arrati.

Reagojnë familjarët e të arrestuarve, Avokati: Asnjë nga të arrestuarit s’ka pranuar akuzat

Trembëdhjetë persona nga gjithsej 20 të arrestuarit në aksionin “Monstra” janë liruar nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri. 9 personave iu është caktuar masa e arrestit 30 ditor, 2 prej të cilëve janë në arrati. Në mesin e personave të liruar janë katër femrat e arrestuara gjatë aksionit. Ndërkohë, pas marrjes në pyetje nga gjykata hetuese, prokuroria ka pranuar kërkesën e policisë që të ngrihet padi për veprën ‘terrorizëm’ kundër pesë personave të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë dhe për ndihmë në këtë vrasje. Policia ka shpallur fletë-arrest ndërkombëtar për Afrim Ismasiloviq dhe Halil Demirin, të cilët gjenden në arrati.
 “Padia penale të cilën e parashtroi Ministria e Punëve të Brendshme për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc është pranuar. Kjo, praktikisht do të thotë se të gjitha provat materiale, të cilat ia paraqiti MPB-ja gjykatës kanë qenë mjaft bindëse që të përcaktohet masa e paraburgimit dhe të vazhdohet më tej me hetimin”, u shpreh Jankullovska.
Përderisa policia zotohet se ka arritur të sigurojë dëshmi të mjaftueshme, familjarët thonë se të afërmit e tyre akuzohen pa bazë dhe se posedojnë alibi që më 12 prill nuk kanë mundur të jenë tek Liqeni i Smillkovcit, vendi ku është kryer vrasja.
Avokati, Naser Raufi thotë se gjatë procedurës hetimore asnjë prej të arrestuarve nuk e ka pranuar veprën për të cilën akuzohet. Edhe ai vetë vlerëson se dëshmitë e prezantuara nga policia nuk japin bazë për paditë e ngritura.
Përderisa policia maqedonase pretendon se nuk mund të gjejë të dyshuarin për vrasjen Halil Demiri nga Haraçina, familjarët e tij thonë se ai gjendet në Spanjë me punë dhe se është duke kërkuar aeroplanin e parë që të kthehet në Shkup, pasi posedon dëshmi se nuk ka kryer vrasjen. Në arrati është edhe Afrim Ismailoviq. Familjarët e tij thonë se ai është arratisur jo pse është fajtor por për shkak të frikës se policia po përgatit një rast të ri të montuar kundër shqiptarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›