E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit të Qeverisë Thaçi

Prishtinë -Një vit pune e Qeverisë së Hashtim Thaçit u vlerësuan të suksesshme nga ligjvënësit e partive të koalicionit, duke e konsideruar një vit të suksesit, të ndërtimin infrastrukturor, të zhvillimit diplomatik e ekonomik, të mirëqenies sociale dhe llogaridhënies, ndërsa mori nota të dobëta nga deputetët e opozitës, të cilën e quajtën si qeveri të vonesave, korrupsionit dhe dështimit.
Këto vlerësime kontradiktore dolën të enjten gjatë seancës së rregullt plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën kryeministri Hashim Thaçi prezantoi raportin njëvjetor të Qeverisë së Kosovës.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se qeveria e tij ka shumë punë me të cilat mburret, kryesisht duke u fokusua në zhvillimin ekonomik të vendit, uljen e papunësisë, mirëqenien sociale, ndërkaq të arriturën më të madhe ai e konsideroi, shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përgatitjen e infrastrukturës së qëndrueshme për shtet demokratik. “Puna e madhe që është bërë, e bënë Qeverinë që të ndihet krenar, sepse po ndërton një Kosovë demokratike, e cila jep vizion për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj”, tha fillimisht kryeministri Thaçi.

Qeveria e koalicionit, PDK-LDK, sipas tij, ka tejkaluar politikat dhe mentalitetin e të kaluarës, të situatave kaotike dhe paqartësive politike dhe të mosunitetit qytetar. Në këtë ekzekutiv, Thaçi tha se është instaluar praktika e llogaridhënies dhe sundimit të ligjit, ndërsa i janë “këputur këmbët” korrupsionit në institucione. Po ashtu, kryeministri tha se modeli i koalicionit LDK-PDK, është model i një të ardhme integruese në Bashkim Evropian, ndërsa premtoi se diplomacia kosovare që, sipas tij, është shumë funksionale dhe parimore, do të shtojë numrin e njohjeve.

Po ashtu, miratimi i Kushtetutës së Kosovës, nxjerrja e simboleve shtetërore, konferenca e suksesshme e donatorëve, u vlerësuan si çështje të tjerat të suksesshme të kësaj qeverie.
“Kosovën e gjetëm në terr, rrugët me baltë, bizneset e shkatërruara, shkollat e dëmtuara, Mitrovicën e lënë pas dorë, vendin të zhytur në korrupsion, etj. Të gjitha këto është dashtë të përmirësohen me një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme”, tha Thaçi.

I pari i ekzekutivit të vendit, po ashtu, u ndal në të gjitha sektorët veç e veç, nga ekonomia, mirëqenia sociale, shëndetësia për të cilën tha se ka një rritje të konsiderueshme të buxhetit, në bujqësi ka ngritje 40 për qind, në arsim rritje të pagave deri në 47 për qind, në energjetikë Thaçi tha se ka ngritje të prodhimit deri në 30 për qind, etj.

Ndërsa në fund kryeministri tha se qeveria e tij është pro-perëndimore dhe ka vizion të qartë për integrim në BE, sikurse nuk harroi të tregon se shumë shpejt Kosova do të jetë pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.
“Kosova nga një vend në të cilat ka lulëzuar korrupsioni, tashmë është në vendin e fundit. Rezultatin e punës së qeverisë e ka cilësuar edhe raporti i BE-së”, tha në fund Thaçi.

Vlerësim pozitiv këtij raporti i dhanë dy përfaqësuesit e dy partive të koalicionit, Ramë Buja i PDK-së dhe Lutfi Haziri i LDK-së. Ky i fundit tha se në tri periudha mund të ndahet zhvillimi dhe funksionimi i Qeverisë Thaçi.
“Faza e konsolidimit të qeverisë dhe ndërtimi i trasesë për shpalljen e pavarësisë; shpallja e pavarësisë dhe menaxhimi i saj, si dhe; ndërtimi i infrastrukturës për zhvillim të shtetit”, tha Haziri.

Mirëpo këtij mendimi nuk iu bashkuan përfaqësuesit e opozitës parlamentare, të cilët, thanë se më këtë raport janë “ekzaltuar” anëtarët e qeverisë duke e shpallë vetën të vetëkënaqur. Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, tha se padyshim viti 2008 ishte vit i realizmit të ëndrrave të gjithë atyre që u flijuan për realitetin që sot po e shijojmë, mirëpo pavarësia është shpallur dhe menaxhuar bashkërisht.

Ai tha se përkundur premtimeve të mëdha të kryeministrit, gjendja është ndryshe dhe duhet përmendur një sërë dështimesh të qeverisë që e kanë rënduar jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Ka vonesa të shumta në ndërtimin e institucioneve, si të shërbimeve diplomatike, Gjykatës Kushtetuese, inteligjencës dhe kjo qeveri mund të quhet qeveri e vonesave”, u shpreh Makolli.

U deshën, sipas tij, muaj të tërë, për emërime në FSK dhe kjo vetëm pas presioneve ndërkombëtare. Kur kjo qeveri, siç tha Makolli, pas pavarësisë së vendit deklaroi se brenda 3 muajve do të njohin Kosovën 100 shtete, deri tani këtë e kanë bërë vetëm 54 shtete, shumica e tyre sponsorizuese të pavarësisë. “Për një vit Kosovën nuk e kanë vizituar asnjë president, përveç atij të Shqipërisë. A nuk flet kjo për një krizë të thellë të politikës së jashtme të Kosovës”, pyet Makolli.

Dështimet tjera të qeverisë, ndërkaq sipas tij, i atribuohet luftës kundër korrupsionit. Siç tha shefi i GP të AKR-së, qeveria Thaçi pat deklaruar zero tolerancë ndaj korrupsionit, mirëpo organizata të ndryshme theksojnë se ka rritje të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dështim tjetër u pohua të jetë mungesa e investimeve të huaja për shkak të klimës jo të përshtatshme investuese.

“Skandalet në kohën e kësaj qeverie janë arrestime ndaj tre gjermanëve, mjekëve. Dështimet ka të shumta, por me përmasa alarmante si në shëndetësi nuk ka pasur që pas Luftës së Dytë Botërore”, tha ndërkaq Makolli. Qeveria, siç tha ai në vazhdim, po largon edhe ata pak investitorë në fushën e energjisë.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ardian Gjini, tha se ky raport i Qeverisë është edhe një mashtrim tjetër i radhës që u servohet qytetarëve, mirëpo, sipas tij, qeveria nuk mundet ta mashtrojë askënd përveç vetes.
Ai tha se secila qeveri lë gjurmë gjatë rrugës së saj qeverisëse, mirëpo rruga e Qeverisë Thaçi, siç tha ai, po lë gjurmë të dëmshme që do t’iu kushtojnë shtrenjtë qytetarëve.

Ai tha se lufta kundër korrupsionit po shndërrohet në retorikë dhe qeveria nuk është e interesuar ta luftojë. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit do të tregohej me hartimin e ligjit, rritjen e buxhetit në këtë drejtim etj.

Sipas tij, 90 për qind e bordeve të ndërmarrjeve publike janë me njerëz që kanë marrë pjesë në zgjedhje, por që nuk kanë arritur të jenë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se kompanitë e mëdha investuese në energjetikë, të cilat kanë ikur nga Kosova do të thotë se do të investojnë në vende tjera, dhe në vend që Kosova të shesë energji, ajo detyrohet të blejë prej Serbisë.

Gjini kritikoi qeverinë edhe për rritjen e pagesës së qerasë për objektet që i shfrytëzon, ndërsa theksoi se kanë premtuar se nuk do të jenë më në objekte me qira. Me ose pa të drejtë universitetet private janë mbyll. Qeveria duhet t’i analizojë efektet përpara e jo pasi merr vendime “ad hoc” me pa çka po ndodh.

“E dinë edhe këta që siguria është ma keq se që ka qenë, por ata thonë se kanë ndaluar katastrofën. Krejt këto janë reflektime të një kulture qeverisëse me qëllim që t’i paraqesin gjërat që nuk janë’, u shpreh deputeti opozitar Gjini.

Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, tha se raporti del se është “copy paste” i informatave të çdo ministrie. Ai tha se në raport nuk shihen cilat janë ngecjet a kanë vizion për mënjanimin e tyre. Viti 2008 ka qenë vit i zhdukjes së shpresës dhe vizionit për shtet funksional demokratik, ndërsa duke iu referuar raporit, sipas Dacit, Kosova është vend i ëndrrave ku duhet kërkuar azil për jetë të rehatshme.

“Atje ku policia e gjyqësia, TMK e FSK kërcënojnë me protesta të vazhdueshme, pyes a mund të jetë e qetë dhe e rehatshme jeta në Kosovë. Atje ku shëndetësia është në kollaps a mund të ketë shëndet për aktivitetet tjera në arsim, ekonomi etj”, pyet Daci.

Kur tërë bota e zhvilluar dhe demokratike, sipas Dacit, dalin me analiza të thella shkencore për recension të ekonomive të tyre, se nuk do të ketë rritje të zhvillimit por rënie, ne siç saktësoi ai, sillemi sikur jetojmë në planet tjerët. “Mbi këtë bazë, çfarë ironie dhe fyerje për Kosovën”, tha kreu i LDD-së, Nexhat Daci. Kuvendi i Kosovës vazhdon punimet me debatin për raportin e Qeverisë.

Për start Veton Rugova

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›