E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vrasje e drejtë

U bë gati një muaj nga dita që bota mori vesh një vrasje prej kohësh të paralajmëruar, atë të Osama Bin Ladenit. Me 440 miliardë dollarë të shpenzuara për ndjekjen dhe kapjen e Osama Bin Ladenit, mbetet ndjekja më e shtrenjtë e njeriut në histori. Të harxhuara për përgjime, pagesa informatorësh, shpenzime të operativëve të CIA-s, aparatura, satelitë, skuadra speciale në ndjekje të ‘Princit’ të Terrorit, shpenzimet u kurorëzuan me aksionin e reparteve SEAL të marinës së Shteteve të Bashkuara në vilën e Abbotabadit, dhe me dy plumba me vlerë gjysmë dollari secili të zbrazura në kokën dhe gjoksin e njeriut, që prej 11 shtatorit të vitit 2001 ishte objektivi kryesor i kombit më të fuqishëm të botës. Betejat që morën shkas nga kjo ngjarje, ende janë në zhvillim e sipër, ku plaga e Irakut vazhdon të kullojë gjak, ndërsa në Afganistan njëqindmijë ushtarakë të SHBA-së dhe tridhjetë mijë të NATO-s, vazhdojnë betejën me talebanët, ish- strehuesit e Osamës, dhe paqtimin e vendit. Së bashku me këto luftëra, shpenzimet kanë kapur vlerën e dymijë miliard dollarëve, llogari e cila ende nuk është mbyllur. E megjithatë fjalët “Drejtësia u krye”, që deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, në veshët e banorëve të tokës së re u dëgjuan si “Hakmarrja u bë”, dhe kanë qenë një melodi.
Asnjëherë çiraku nuk mund të bëhet më i zoti se mjeshtri, thotë një fjalë e urtë, dhe si çdo urtësi, vërtetohet nga praktika. Osama Bin Laden, sauditi miliarder që u ndihmua nga CIA për të luftuar sovjetikët në Afganistan, tashmë është veçse një histori e tmerrit, i çuar në ferr pikërisht nga të vetmit që mund ta hiqnin nga qarkullimi.
Që nga data 2 maj, preferohet të thuhet se bota është më e sigurt, dhe kjo është e vërtetë, pasi me sauditin që nuk e donte as vendi i tij, nuk u hoq nga qarkullimi një sponsor i thjeshtë, por vetë krijuesi, drejtuesi dhe simboli i njërës nga organizatat terroriste më të frikshme të historisë së botës. Sigurisht që jeta e tij do mbetet një shembull për dishepujt e terrorit, por fati i tij nuk do nxisë ata që zotërojnë vërtet talentin, për t’i hyrë kësaj rruge.
Nëse thënia “Të humbtë varri” është ndër mallkimet më të rënda, atëherë duhet besuar se mallkimet të zënë, dhe të cilat nëma, Osama i kishte bërë hak dhe marrë prej kohësh si nga familjet e viktimave, ashtu edhe nga miliona myslimanë, që shembulli i tij dhe paragjykimi që kishte mbjellë në mentalitetin perëndimor, iu shkaktonte margjinalizimin dhe paragjykimin këtyre besimtarëve, prezent në shoqëritë e krishtera, pavarësisht kontributeve dhe personalitetit të tyre. Fatmirësisht mbas datës së dytë të majit, emri i tij, do jetë i njëjtë me atë të monstrave që ka prodhuar historia botërore, dhe që si mbështetëse të akteve të tyre, kanë përdorur fenë ose ideologjitë utopike. Po pas kësaj date, një shembull më shumë është shënuar në historinë e banorëve të Botës së Re, se përveç të qenit toka ku lundërthyerit, të shtypurit e të përndjekurit gjenin shpresën; vendi që ka qendrat e mendimit dhe të dijes, dhe ku ka lindur mirëkuptimi për njerëzit që janë ndryshe nga masa e madhe në mënyrën e të menduarit dhe në zakonet e jetës; trualli ku njerëzit pavarësisht nga raca, feja apo kombi, ka të gjitha shanset të jetë i barabartë; shteti, ku njerëz në pjesën tjetër të botës, gjithmonë e ruajnë si një shpresë a ngushëllim në zemrën e tyre, se nëse do kishin mundësinë të ishin aty, do kishin shansin të ecnin përpara në jetë; e pra ky vend, tregoi edhe një herë se është edhe vendi i themeluar nga etërit shtegtarë të kishës anglikane dhe emigrantëve të zbarkuar me anijen “Mayflower”, të cilët ende e ruajnë shpirtin e pamposhtur dhe pionier të paraardhësve të tyre. Janë vendi që e urrejnë padrejtësinë, dhe ndaj saj kanë kurajën dhe forcën të reagojnë dhe të hakmerren. Bashkë me këtë tharm, ruajnë shtysën misionare të përçimit të vlerave që i quajnë të drejta, ku Shqipëria dhe Kosova janë dëshmitarë të zbatimit të drejtësisë.
Shpesh konsiderohen nga europianët si gjiganti me tru fëmije, por dy herë i kanë thirrur të shuajnë zjarrin e mbjellë në kontinentin e vjetër nga banorët e tij, dhe pa bijtë e Daj Samit, kontinenti plak nuk do ishte ky që është sot. Me siguri me Hitlerin, Stalinin, Frankon, Musolinin, do ishte më i shëmtuar. Ndodh që i kritikojnë, siç ishte edhe rasti i Osamës, duke rekomanduar që më mirë se ta vrisnin, do ishte nxjerrja në gjyq, por në të shkuarën pak kanë bërë për mbajtjen nën ‘zap’ të të ngjashmëve të tij, për mos thënë që disa nga këto shtete në të shkuarën kanë bërë marrëveshje të fshehta ose kanë mbyllur njërin sy ndaj terroristëve, mjaft që këta mos godisnin në territorin e tyre.
Marinsat që hynë në shtëpinë e Abotabadit, kishin të vendosura në krah, simbolet e zjarrfikësve dhe policëve të Nju Jorkut, njerëzve që pas goditjes së kullave binjake, shkuan me vetëdije drejt vdekjes për të shpëtuar jetët e të zënëve në grackën e flakëve dhe rrënojave. Ishte një simbol që drejtësia po vendosej. Ja që nganjëherë ajo vendoset edhe pa kaluar në sallat e gjyqit. Aq më mirë e dinë këtë bijtë e nipat e sherifëve të perëndimit të largët, ku shpejtësia në nxjerrjen e pistoletës nga brezi, ndante jetën nga vdekja, ndërsa lënia e sheikut të tmerreve gjallë, qoftë edhe në sallën e gjyqit, do ishte një burim frymëzimi për dishepujt e tij nëpër botë, dhe tmerri për njerëzit e thjeshtë, sa herë që këta do hipnin në metro, trena apo avionë.
Me ngjarjen e fundit, Barak Obama shtoi aksionet e tij politike për zgjedhjet e ardhshme; dëshmoi se ka vendosmërinë e duhur të marrë vendime të rëndësishme; të jetë i fokusuar në politikën e brendshme, rritjen e ekonomisë dhe zvogëlimin e papunësisë, por edhe të ruajë shkëlqimin si pistoleri ende i pamposhtur i kësaj bote.
Millosheviçi i vdekur në burg në pritje të gjykimit; Sadami në litar; Osama me plumb në ballë; një tufë diktatorësh në Lindjen e Mesme në arrati apo me karrige të thyera; dhe së fundmi Mlladiçi pas hekurave të burgut, që të gjithë këta janë shembuj se vendi me flamurin me yje e shirita, pavarësisht se realpolitika shpesh e detyron të bëjë kompromise, por sa herë ka mundësi, është partizan i vendosjes së drejtësisë. Për sa i takon rendit global, sigurisht që bota është më e mirë pa këta personazhe, ndërsa atyre që nisen të marrin këtë rrugë, duhet të mendohen dy herë. Pasi, ndryshe nga çfarë shkruajnë gazetarë, snobë, lobistë, apo shokë ideologjikë të Kinës, mbi degradimin e Amerikës dhe lulëzimin e Perandorisë së Mesit, botës ende do t’i duhet të dëgjojë mendimin dhe vendimin e Uashingtonit për çështjet e rëndësishme, dhe ti shkojë mbrapa në rrugën e tij, përfshirë Pekinin. Për ata që ëndërrojnë një botë ku shembull dhe sundimtar do jetë rasti kinez, do duhet të presin ende, pasi sherifi i shekullit të 20-të, edhe këtë shekull është ende i ri, dhe me sa duket, me reflekse të mprehta.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›