Një zarf me mizën brenda
Sulejman MATO
Ndërmarrja jonë ishte pranë lumit dhe, ngaqë dritaret i linim hapur, zyrat tona shpesh mbusheshin me miza. Por drejtori, si drejtor që ishte, zotëronte një vrasëse prej plastike, të cilën e përdorte edhe gjatë mbledhjeve të mëngjesit. Mjaft të mos i pëlqente diçka që, në shenjë nervozizmi, të kapte vrasësen e mizave dhe të na e tundte në ajër në formë kërcënimi.
Tani ai ka dalë në pension. Është njeri i lirë, pa vartës dhe pa atë: “Mirëmnëgjes, drejtor!”, apo “Si urdhëron, drejtor!” Dikur, ky njeri më prishi specializimin për jashtë shtetit dhe ma hodhi poshtë shpikjen për prodhimin e stopave. Si përçmim, më kishte vënë nofkën “inxhinier i viteve 2020”.
“Përse t’i ndryshojmë stopat, xhanëm?! Për një kapriçio të dikujt? Dhe ta dini se ai (domethënë unë) e bën këtë vetëm për t’u dukur. Po kush dreqin vajti dhe ma psonisi në ndërmarrjen time?!” Fjalën “time” ai e përdorte njësoj, sikur të fliste për shtëpinë e vet.
Dhjetë vjet drejtor nuk ishin pak për ta përjetësuar postin me datëlindje, miqësira, vajtje-ardhje. Kishte hapur fjalë se, gjoja, unë isha një zevzek i pandreqshëm dhe mendjemadh. Në betejat tona të pashfaqura hapur, ai kënaqej me proverbin: “Shpif, shpif, se diçka mbetet.” Ndërsa unë ecja me parimin: “I duruari, i fituari.”
Vitet e fundit ai po llogariste largimin tim, ndërsa unë ëndërroja me shqetësim daljen e tij në pension. Gjashtë vjet rresht e përballova me heroizëm “zemërimin e Akilit”.
Në një nga ato ditë, mora vesh se në ndërmarrjen tonë kishte ndodhur diçka për të qeshur. Në orën e mbledhjes së mëngjesit, hyn sekretarja dhe i lë një zarf mbi tavolinë. Ai e prek, se i duket fare bosh. Ia gris anët dhe, për çudinë e të gjithëve, prej zarfit del një mizë e madhe, një mizë e madhe dhe e gjallë. Ajo rrotullohet nja dy herë nëpër zyrë, pastaj doli jashtë.
Të gjithë sa e panë, mbetën të hutuar. ǒtë ishte kjo? Një mizë? Ha-haa! Po kush ia dërgonte, vallë?! Përse vetëm një mizë? Përse e gjallë?
Qetësinë e çastit e prishi gajasja pa dashje e asaj ekonomistes së bukur, e cila s’kishte një muaj që kishte ardhur në ndërmarrje. Thoshin se ishte kushërira e gruas së drejtorit.
- ǒka këtu për të qeshur! - thirri ai.
Ndërkohë, instiktivisht rrëmbeu nga tavolina vrasësen e mizave, që e mbante mbi tavolinën e punës. Mblodhi zarfin shuk dhe e flaku në koshin poshtë këmbëve.
* * *
Pas mbledhjes, të gjithë nisën të mendonin: kush mund ta kishte dërguar këtë mizë-mesazh?
Nuk vonoi dhe drejtori na thirri të gjithëve në zyrën e tij.
Dukej tepër i nervozuar. Fillimisht, u vërtit në disa probleme të parëndësishme, për të mos dalë menjëherë te ngjarja e ditës, pastaj hapi problemin e asaj letrës së çuditshme.
- Kam 45 vjet drejtor dhe kurrë nuk kisha dëgjuar të të dërgojnë një mizë në zarf...
Pas këtyre fjalëve, e hodhi shikimin menjëherë nga unë.
Po ç’ne unë?
Unë luftoja me të në shesh të hapur, ndërsa shpikësi i mizës ishte diçka tjetër. Një shpikje e madhe, po. Sigurisht, do të ishte një mendje e ndritur që e kishte torollisur aq thellë. Po unë ç’ne...? Unë isha ai Akili në ndeshjen me drejtorin, ndërsa ai i letrës ishte si Uliksi. “Ai” po them, por mund të ishte dhe “ajo”.
- Si thoni, kush mund ta ketë bërë?
Po kush e dinte këtë gjë? Vrava edhe unë mendjen, gjoja në mbrojtje të tij, duke i shkuar para syve të gjithë punonjësit e ndërmarrjes, të gjithë njerëz të thjeshtë, ku rasha, mos u vrafsha. S’kishte dyshim, mizadërguesi s’do të ishte nga ndërmarrja jonë.
Mirëpo letra kishte kaluar dorazi, se as zarfi nuk mbante vulën e postës.
Atë mëngjes, drejtori ynë u betua se, gjallë a vdekur, do ta gjente mizadërguesin.
Ditën tjetër thirri shefen e kuadrit dhe i kërkoi të studionte shkrimin e gjithë punonjësve të ndërmarrjes, të shfletonte në dosjet e tyre shkrimet e biografive, të cilat i kishin bërë me dorën e vet.
Por shefja e kuadrit, një grua e heshtur dhe e zgjuar, e qetësoi aty për aty:
- Jo, drejtor, letërdërguesi (për pak sa nuk tha mizadërguesi) nuk duhet të jetë aq leshko, sa të shkruajë përsipër zarfit emrin tuaj me shkrimin e tij. Sigurisht është një njeri mendjehollë, gjersa...
- Gjersa çfarë?! Çfarë do të thuash me këtë, - u nxeh keq ai.
Në fillim ajo hezitoi të përgjigjej, pastaj tha:
- Po ja, t’i dërgosh drejtorit një mizë në zarf. Ky është një guxim i madh, shoku drejtor. Aq më tepër që gëzoni respektin e të gjithë punëtorëve të ndërmarrjes. Ma thotë mendja se ky do të jetë njeri i jashtëm.
* * *
Ja që miza në zarf duhet të ishte një shpikje e një njeriu të brendshëm. Vetëm punëtorët e ndërmarrjes dhe punonjësit e administratës e dinin që drejtori ynë, gjatë gjithë ditës, vriste miza me atë vrasësen që mbante në tavolinë. Dhe meqë ky drejtor shquhej për vrasjen e shumë e shumë mizave, mizadërguesi i kishte çuar një mizë për ta ekzekutuar.
Lajmi u përhap me shpejtësi edhe në ndërmarrjet përreth. Pastaj u mor vesh dhe në ministri, me gjithë përpekjet e drejtorit për ta mbyllur, duke e quajtur si një shaka miqësore.
Ja dhe miza tani! Tani kur në ministri kishin shkuar shumë letra (ankoheshin për hatëre) për ndarjen e pallatit të ri, tani kur kontrolli i shtetit kishte relatuar për abuzime me pagat e punëtorëve. Me sa më kanë thënë, ata që rrinin pranë tij e që më donin dhe mua, gjersa doli në pension, zarfi me mizë iu bë fiksasion: “Po kush të ma ketë bërë? Kush të ma ketë bërë një mënxyrë të tillë, xhanëm?!”
Dhe përsëri, herë pas here, e hidhte dyshimin tek unë, tek inxhinieri i vitit 2020.
Vërtet, kush t’ia ketë dërguar drejtorit mizën në letër?
Kohët e fundit, kjo gjë më është bërë edhe mua fiksasion. Jo thjesht për shpikjen e ndritur, por edhe sepse, pas kaq e kaq vitesh, ende s’ka dalë askush që të mburret me autorësinë e saj.
19 Maj 2008