Arbitri italian turpëron Partizanin
“We are the champions”. Kolona zanore e që shoqëroi dorëzimin e trofeut nga ana e Presidentit të Republikës, kapitenit të Dinamos, Arjan Pisha, ishte edhe momenti kur “armata e kuqe” e Partizanit largohej me turp pas “tragjikomedisë” së shfaqur në 90 minutëshin më të rëndësishëm të sezonit. Shampanja e porositur nga Partizani ndoshta duhet të vjetrohet ende për të bërë “shatërvanin” me të cilën kanë qejf të qullen kampionët. Edhe pse kanë kaluar 15 vjet, që kur shishja e fundit është zbrazur, të kuqve u duhet të presin ende për të hapur të radhës.
Nëse Partizani kishte kaluar pengesa të mëdha gjatë gjithë sezonit -skuadra e kuqe nuk pati asnjë aleat – u rrëzua pikërisht në finish të tij, duke shfaqur sëmundjen tipike të futbollit shqiptar. Turp. Partizani e meritoi disfatën në ndeshjen që mund t’i jepte edhe titullin e munguar prej 15 vjetësh, kur përballë 9 lojtarëve të Dinamos, formacioni i Likës u shfaq i zbehtë dhe pa forcë realizuese.
Sulmuesit e kuq shpërdoruan raste të arta në tridhjetë minutat e fundit përballë portierit më të mirë të kampionatit dhe mbrojtjes më të mirë të 33-javëve të këtij sezoni. As “ndihma” e dhënë nga gjyqtari italian Taljavento me ndëshkimin e dy lojtarëve më të mirë të Dinamos: maqedonasin Pollozhanin (61’) dhe Bekim Kulit (63’), e as zëvendësimet e teknikut Hasan Lika nuk mundën të ndryshonin “look-un e shëmtuar të skuadrës që për 32 javë ishte rivalja më e madhe e kampiones së re të Shqipërisë, Dinamos. Por, nëse entuziazmi në shtëpinë e kuqe para ndeshjes ishte në kulm, shfaqja në fushë ishte në kontrast të plotë, në pikën më të ulët. Performancë e varfër. Shfaqje pa grintë. Lojë pa forcë.
Partizani u ndëshkua Dinamo pa kaluar ende katër minuta nga një penallti e realizuar nga kavajasi Bekim Kuli, duke sjellë panik në radhët e formacionit të Likës. Gjyqtari italian Taljavento akordoi pa më të voglin hezitim 11-metërshin, kur mbrojtësi Luan Pinari frenoi në zonë sulmuesin dinamovit, kroatin Pero Pejiç. Fillim më të keq nuk mund të kishte për skuadrën e presidentit Xhani. Mbrojtësi Tefik Osmani vendosi ekuilibrat në fushë në minutën e 33-të, kur realizoi me kokë pas goditjes ga këndi të ekzekutuar nga mesfushori sulmues Gjergji Muzaka.
Dinamo edhe pse luajti për 30 minuta me nëntë lojtarë fitoi 2-1 “finalen” e madhe me Partizanin dhe u shpall për herë të 17-të kampione e Shqipërisë, falë dy golave të Bekim Kulit në minutën e 4-t nga pika e bardhë dhe zëvendësuesit Nertil Ferraj në minutën e 93-të. Për Partizanin barazimin e përkohshëm e realizoi mbrojtësi Tefik Osmani në minutën e 33-të. Ndeshja u gjykua nga një treshe gjyqtarësh italianë me kryesor Paolo Taljavento.
Në fakt, përballja Dinamo-Partizani ishte një sfidë e shkollës shqiptare të futbollit të përfaqësuar nga Partizani dhe një “shkolle mikse ndërkombëtare” të përfaqësuar nga Dinamo, ku brenda saj përziheshin ajo shqiptare, me ato kroate, nigeriane, maqedonase. Trofeun kapitenit Arjan Pisha ia dorëzoi Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Dinamo, pas triumfit të Faruk Sejdinit në sezonin 2001-2002, rikthehet te titulli pas gjashtë vjetësh, kësaj radhe me teknikun Ilir Daja, i cili nga ana e tij fitoi për herë të dytë një titull kampion si trajner pas atij me Elbasanin në sezonin 2005-2006. Në fakt, titulli i Ilir Dajës duhet ndarë edhe me ish-trajnerin Agim Canaj, i cili pati edhe meritën që konsolidoi grupin “shumëkombësh” dinamovit. Ky është edhe trofeu i dytë i presidentit Besnik Sulaj në drejtim të klubit të Dinamos, kur më parë e kishte arritur atë në sezonin 2001-2002.
Sulaj: “Blerje për Ligën e Kampioneve”
Përveç lojtarëve protagonisti kryesor i Dinamos ishte presidenti Besnik Sulaj, i cili fitoi trofeun e dytë si kreu i bluve. “Ndihem mjaft i gëzuar, pasi u arrit në ndeshjen e fundit. Kjo ndeshje morri përmasa të mëdha, aq sa në të gjitha ambientet flitej për të. Përveçse morëm titullin kampion jam i gëzuar, edhe për faktin se në Shqipëri filloi të diskutohej sërish për futboll”, - tha Sulaj. “Si do të jetë Dinamo e re? Do të ruhet ky grup lojtarësh, por do të ketë edhe disa përforcime, që do të thotë se do të bëjmë blerje më cilësore për Ligën e Kampioneve”
DAJA –
Daja: “Titullin e ndaj me Agim Canaj”
“Sinqerisht ta marrësh titullin në këtë ndeshje dramatike, kur kemi luajtur me 8 lojtarë, është e paimagjinueshme”. Trajneri Ilir Daja vendosi edhe ai një rekord me ngjyra personale. Përveç faktit se ka dalë si lojtar me Dinamon, ai tashmë hyn në statistikat historike të këtij klubi edhe si trajner kampion. Madje, dy sezone më parë ai doli kampion me Elbasanin. “Vuajtëm shumë dhe e përjetuam me emocione deri në fund të takimit. Është investimi i presidencës. Një bravo edhe për teknikun Agim Canaj”. Daja nuk harron edhe kundërshtarët: “Përshëndes edhe lojtarët e Partizanit, pasi i dhanë një bukuri kampionatit. Titullin? Ia dedikoj lojtarëve të mi, tifozëve dhe djalit tim”
Kuli: “Trofeun ja dhuroj Zotit”
“Janë emocione të mëdha”, -tha Bekim Kuli, autori i golit të parë me penallti për Dinamon, por edhe i larguar me karton të kuq. “Trofeun do t’ia dedikoja Zotit dhe familjes sime. Ia dedikoj shokëve të mi, stafit dhe trajnerit Ilir Daja
”, - shtoi ish-lojtari i Partizanit, por edhe një numri të madh ekipesh. “Ishte në ndeshje shumë e vështirë. Gjyqtari vetëm na ndëshkonte me kartona, por Zoti ishte i madh dhe fitoren na e dha ne. U irritova sesa gjyqtari nxori nga loja Pollozhanin”.
Kotori: “Titulli më i bukur”
Portieri i Dinamos, Elvis Kotori, ishte njëherësh edhe portieri më i mirë i sezonit, duke pësuar vetëm 14 gola në kampionat. “Ndeshja më e bukur e jetës sime. Të fitosh me tetë veta kundër ekipit të vendit të dytë është gjë e madhe. Dinamo është një ekip i madh. Ia dedikoj të gjithë shokëve, stafit e presidentit”, - tha portieri, që është shpallur kampion dy sezone më parë me Elbasanin.
Duka: “Dinamo e meritoi titullin”
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, “autori” edhe i projektit të dizenjimit të “kupës gjigante” tha pas ndeshjes: “U kënaqëm para së gjithash pasi gara ishte e bukur. Ishte një ndeshje me emocione. Dëshira ime ishte që ky kampionat të mbyllej në “Qemal Stafa”, pasi është një stadium me kushte më të mira dhe do të kishte më shumë entuziazëm dhe më shumë spektatorë. Po ky ishte vendimi i klubit organizator. Kush e meritonte kampionatin? Dinamo ka kryesuar për 23 javë, Partizani në ndeshjet e fundit ka luajtur shumë mirë dhe ka dhuruar shumë në fushë. Cilido nga ekipet të dilte kampion do ta meritonte atë. Dinamo fitoi dhe jo pa meritë”.
Shulku: “Atmosferë e rrallë, kampionat i bukur”
“Është një atmosferë që rrallë e kemi parë, pasi dhe kampionati u nda midis dy ekipeve rivale. E kemi përsëritur shpesh se kushdo që ta merrte kampionatin do ta meritonte. Loja ishte e ekuilibruar, por Dinamo e meritoi. Parë faktin se titulli u nda në javën e fundit, dhe për më tepër në minutën e fundit, duhet të themi se ky kampionat ka një bukuri të veçantë”, - tha pas takimit shefi i Sektorit të Garave, Ilir Shulku. Një dekor për t’u pasur zili në “Selman Stërmasi”. Një atmosferë e ndezur. E denjë për një “finale”, për më tepër kur bëhej fjalë për dy legjenda të futbollit. Mijëra fansa ishin të pranishëm në stadiumin e dytë të kryeqytetit, por akoma më shumë e ndoqën në afërsi të “Selman Stërmasit”. Në fillim të 90 minutave mbizotëruan ngjyrat e kuqe, por në fund triumfi u takoi atyre blu. Ishte titulli i 17-të i Dinamos dhe “lumi” i shiritave nuk kishte të sosur. Tribuna “VIP” ishte e mbipopulluar nga një numër i madh personalitesh të jetës politike, përfshirë presidentin e Republikës, Bamir Topi e pa dyshim ato sportive, ku spikat kreu i FSHF-së, Armand Duka. Në tribunë ishin të pranishëm edhe dy presidentët e klubeve, ai Dinamos, Besnik Sulaj dhe ai i Partizanit, Albert Xhani.
Besa “saldon” Kupën Intertoto
Besa “saldoi” vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Kupën Intertoto, falë fitores tenistike 5-3 me Teutën të arritur në “Niko Dovana”. Në një takim me ngjyra të forta fqinjësh pjesa e parë u mbyll 3-2 për kavajasit. Kështu skuadra e Bizhdilit, pas pjesëmarrjes sezonin e kaluar në Kupën UEFA tani do të marrë pjesë në Kupën Intertoto. Elbasani, rivali tjetër për një vend në kompeticionet europiane barazoi 2-2 në Vlorë më Flamurtarin. Tirana pas katër humbjeve rresht gjeti fitoren, kur bardheblutë mposhtën Kastriotin 2-1 në “Tofik Jashari” të qytetit të Shijakut. Shkumbini bëri detyrën me Skënderbeun, teksa fitoi 3-1 me skuadrën korçare në ndeshjen e zhvilluar në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Për Skënderbeun kjo ishte humbja e 26-të, duke pësuar në 33 ndeshje 80 gola. Besëlidhja i bëri një mbyllje me nder kampionatit, teksa fitoi 4-2 më Vllazninë, që u paraqit me një ekip të dorës së dytë.
KATEGORIA SUPERIORE
Java 33
Dinamo-Partizani 1-1
Kastrioti-Tirana 1-2
Teuta-Besa 3-5
Besëlidhja-Vllaznia 4-2
Skënderbeu-Shkumbini 1-3
Flamurtari-Elbasani 2-2
RENDITJA
1.Dinamo 70 Liga e Kampioneve
2.Partizani 65 Kupa UEFA
3.Besa 56 Kupa Intertoto
4.Elbasani 52
5.Shkumbini 50
6.Tirana 49
7.Vllaznia 45 Kupa UEFA
8.Flamurtari 44
9.Teuta 35 Play out
10.Kastrioti 35 Play out
11.Besëlidhja 34 Kategoria e Parë
12.Skënderbeu 11 Kategoria e Parë
Verdiktet e sezonit, Dinamo në Ligën e Kampioneve
Me përfundimin e ndeshjeve të javës së 33-të Kampionati i 69-të Kombëtar i Kategorisë Superiore prodhoi edhe verdiktet e sezonit.
Dinamo, kampionia e re e Shqipërisë do të marrë pjesë në eliminatoret e Ligës së Kampioneve. Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë do të luajë së bashku me Partizanin e vendit të dytë në kualifikueset e Kupës UEFA. Besa, që fitoi 5-3 në Durrës me Teutën është pjesëmarrëse në Kupën Intertoto ku në turin e parë eliminator do të përballet me një skuadër qipriote. Teuta e Kastrioti janë dy skuadrat e Kategorisë Superiore që do të luajnë ndeshjet e play-out me dy skuadrat e Kategorisë së Parë, që renditen në vendet 3-4. Besëlidhja e Skënderbeu do të luajnë sezonin e ardhshëm një kategori më poshtë, në të Parën.
Verdiktet e sezonit 2007-2008
Kampion
Dinamo
Kupa e Shqipërisë
Vllaznia
Play-out
Teuta
Kastrioti
Bien nga Kategoria
Besëlidhja
Skënderbeu
Në Europë
Liga e Kampioneve
Dinamo
Kupa UEFA
Vllaznia
Partizani
Kupa Intertoto
Besa
Vioresin Sinani, “Këpuca e artë”
Sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani fitoi për herë të tretë “Këpucën e artë”, si golashënuesi më i mirë si sezonit 2007-2008. Ish-futbollisti i Tiranës realizoi në Kampionatin e 69-të Kombëtar 20 gola, dy më shumë se kroati i Dinamos, Pero Pejiç (18). Sinani më parë e kishte fituar “këpucën e artë” me Vllazninë në sezonin 2003-2004 (36 gola) dhe 2006-2007, kur mbronte fanellën e Tiranës me 23 gola.
Nigeriani Abraham vendos rekord
Mbrojtësi i Dinamos, Abraham Alchevny vendosi një rekord unikal në kampionatin shqiptar. Nigeriani shtatshkurtër fitoi për herë të tretë rresht një titull kampion në Shqipëri dhe për më tepër me tre skuadra të ndryshme: me Elbasanin në sezonin 2005-2006, me Tiranën në sezonin 2006-2007 dhe së fundi me Dinamon në sezonin 2007-2008.
19 Maj 2008