Rreth 30 000 të vdekur në Kinë
Qeveria e Pekinit ka bërë të ditur se numri i viktimave nga tërmeti i javës së kaluar në Siçuan ka shkuar në 28.881. Agjencia e lajmeve “Nuova Cina” pohon se vetëm në qytetin Deyang jo larg epiqendrës së tërmetit, bilanci i viktimave është më shumë se 10.000 por ky numër mund të shkojë në 20.000. Gjatë dy ditëve të fundit banorët e Siçuanit dhe provincës Beiçuan janë arratisur në drejtim të kodrave pas shpërndarjes të lajmit se një digë e krijuar nga ditët e fundit kishte mundësi të shpërthente.
Presidenti Hu Jintao u ka kërkuar 130 000 ushtarakëve vullnetarë për të shtuar përpjekjet për shpëtimin e sa më shumë personave.
Kryeministri Uen Jiabao që nga dita e hënë ka qenë i pranishëm në vendet e prekura nga tërmeti dhe ka deklaruar se kjo ishte katastrofa më e madhe natyrore që ka ndodhur në Kinë që nga viti 1949. Ndërkohë një turist gjerman u nxorr i gjallë nga gërmadhat pas 114 orësh në Wenchuan. Ushtarakët dhe persona të tjerë vullnetarë po vazhdojnë kërkimet me shpresën për të shpëtuar sa më shumë persona pasi poshtë këtyre gërmadhave dëgjohen zëra të cilët thërrasin për ndihmë. Gjatë dy ditëve të fundit është mundur të shpëtohen 33 persona. Një 46-vjeçar ka treguar se ka mundur të mbijetojë për katër ditë dhe gjëja e vetme që mund të bënte ishte të pinte cigare.
Kuvendi i Kosovës: Deklarata e Lavrovit, jo konstruktive
Kërkesa për negociata të reja Prishtinë-Beograd për statusin e Kosovës është një pengesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet që në të ardhmen mund të jenë kandidate për të njohur shtetin e Kosovës. Ky reagim erdhi nga deputetët e Parlamentit të Kosovës të cilët theksuan se çështja e pavarësisë është punë e kryer dhe se çfarëdolloj kërkesë për rinegocimin e çështjes së statusit të vendit është kërkese jolegjitime. “Lavrov po harron se koha po ecën dhe ngjarjet po zhvillohen në drejtim të integrimeve europiane, prandaj është një qasje krejtësisht jo e natyrshme dhe është jo konstruktive në kuptimin e realitetit që është krijuar në Kosovë”, - u shpreh deputeti Ahmet Isufi. Shefat e diplomacisë së Rusisë, Kinës dhe Indisë deklaruan tre ditë më parë se pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt, është në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe me të drejtën ndërkombëtare. Ndërkaq, edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi e ka quajtur irracionale kërkesën e Rusisë që vendet të cilat e kanë njohur Kosovën ta rishqyrtojnë vendimin e tyre. Kuçi tha se njohja e pavarësisë së Kosovës po vazhdon me intensitetin e duhur, ndërsa Prishtina pret që këtë ta bëjë edhe Rusia.
Rusi, Kasparovi krijon parlament paralel
Lideri i opozitës në Rusi, Gerri Kasparov, ka hapur parlamentin alternativ, që ka për qëllim “rivendosjen e demokracisë dhe qeverisë popullore në Rusi”. Agjencia e lajmeve AFP njoftoi se rreth 500 aktivistë iu bashkuan Kasparovit në Moskë në hapjen e asaj që e quajtën “asamble kombëtare”. Kasparov i akuzoi autoritetet ruse për krijimin e “çifligut feudal”, dhe gjithashtu i akuzoi partitë kryesore opozitare për mospjesëmarrje në tubim.
Karta e asamblesë thekson se qytetarët e Rusisë nuk i kanë “të drejtat themelore civile dhe politike”.
Ndërkombëtarët akuzojnë regjimin ushtarak të Birmanisë
Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Zhan -Mauris Ripert, ka akuzuar regjimin ushtarak të Birmanisë se është në prag të kryerjes së një krimi kundër njerëzimit, duke mos lejuar ndihmat ndërkombëtare për viktimat e ciklonit Nargis. Ai i bëri këto komente gjatë një sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Më herët, ambasadori i Birmanisë kishte akuzuar Francën se kishte dërguar një luftanije në rajon. Franca thotë se luftanija është e ngarkuar me 1500 tonë ushqime dhe ilaçe për qindra mijë persona që mbijetuan nga cikloni në Deltën Irrawady. Një anije amerikane pret, gjithashtu, lejen që të shkarkojë ndihmat, përfshirë ujë të pijshëm, por autoritetet ushtarake të Birmanisë nuk po lejojnë ndihmat që vijnë nga deti. Përfaqësuesi i OKB-së, Diedrik Deflaysha, thotë se prioritet duhet të jetë ndihma për fermerët që, në kushte normale, mbulojnë dy të tretat e nevojave të Birmanisë me oriz. Gati dy javë pasi Delta në provincën Irraëadi në Birmani u godit nga një ciklon, numri zyrtar i personave që kanë humbur jetën ka kaluar shifrën 43 mijë. Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare, Xhon Holmes, pas vizitës në Birmani shprehu zemërimin e tij për ritmet e ngadalta.
19 Maj 2008