E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhja e kreut të Gjykatës së Tiranës, Alibeaj sulmon KLDNga TemaMinistri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka hedhur dje akuza të rënda ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke e cilësuar atë si të kapur. Shkak për këtë është bërë zgjedhja e krye

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Zgjedhja e kreut të Gjykatës së Tiranës, Alibeaj sulmon KLDNga Tema

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka hedhur dje akuza të rënda ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke e cilësuar atë si të kapur. Shkak për këtë është bërë zgjedhja e kryetarit të Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli, i cili, sipas Alibeajt, nuk përmbush asnjë prej kritereve për t’u zgjedhur në këtë post. Vetë Alibeaj nuk ka votuar për asnjë prej kandidatëve, ndërsa kërcënoi të gjithë ata që votuan në favor të Zenelit, duke thënë se do të mbajnë përgjegjësi për këtë gjë. Nuk është hera e parë që ministri i Drejtësisë del hapur dhe sulmon KLD dhe anëtarët e saj, teksa rasti më flagrant ka qenë përplasja për tre gjyqtarët që liruan Delijorgjin nga akuzat.

Akuzat

“Procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë ishte një proces tërësisht fals, jotransparent dhe i paramenduar”. Ishin këto fjalët e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, vetëm pak minuta pas zgjedhjes në krye të Gjykatës së Tiranës të gjyqtarit Artan Zeneli. Ky i fundit u zgjodh gjatë ditës së djeshme në këtë post duke marrë shumicën e votave të pjesëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Alibeaj ka sulmuar ashpër KLD për këtë zgjedhje, duke e cilësuar atë si të kapur. Sipas tij, zgjedhja e Zenelit në krye të gjykatës së kryeqytetit është një shkelje flagrante e ligjit, pasi i zgjedhuri ishte emëruar vetëm një javë më parë si gjyqtar në këtë gjykatë, ndërkohë që, sipas tij, ai duhej të ishte pjesë e saj të paktën që prej katër vjetësh.

“Mjafton t’ju sqaroj që kandidatura, e cila u përzgjodh si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është emëruar si gjyqtar jo më pak se një javë më parë. Jo vetëm kaq, por procesi i përzgjedhjes ishte tërësisht në thyerje të ligjit. Ligji për Organizimit dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor kërkon së paku që gjyqtari, i cili do të kandidojë dhe që do të përzgjidhet duhet të jetë anëtar i kësaj gjykate dhe i kësaj trupe gjyqësore jo më pak se 4 vjet”, - tha Alibeaj gjatë një konference për shtyp. Sakaq, sipas këtij të fundit, të gjitha kandidaturat nuk janë vlerësuar as nga ana profesionale. “Do të duhet që të gjitha kandidaturat të kishin vlerësimin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vlerësim profesional, shumë mirë madje, me “notën shumë mirë”, për dy herë. Për asnjërën nga kandidaturat nuk kishte një vlerësim të tillë, kjo në thyerje tërësisht të ligjit”, - tha Alibeaj. Duke u nisur nga të gjitha këto, ministri i Drejtësisë u shpreh se procesi i zgjedhjes së kreut të Gjykatës së Tiranës ishte një proces i paramenduar dhe një rast që i ka vënë njollën më të lartë sistemit gjyqësor. “Ky ishte një proces i paramenduar dhe ky është rasti më flagrant i kapjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është rasti më flagrant dhe mesazhi më i keq që i çohet sistemit gjyqësor. Mesazhi më i keq që i çohet zbatimit të reformave ligjore, të reformave të sistemit gjyqësor. Është rasti më energjik i nëpërkëmbjes së ligjit, i nëpërkëmbjes së shtetit. Është rasti, i cili ka caktuar sot njollën më të errët të sistemit gjyqësor dhe të institucioneve”, - tha Alibeaj. Ndërkohë, pyetjes së gazetarëve se si do të veprojë në këtë rast, Alibeaj i është përgjigjur se, të gjithë ata që votuan në favor të Zenelit, do të mbajnë përgjegjësi.

“Ata që kanë votuar për të thyer ligjin, ata do të mbajnë përgjegjësi”, - mbylli fjalën e tij ministri i Drejtësisë.

Reagimi i KLD

Pas akuzave të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ky i fundit ka reaguar, duke i cilësuar ato si të pabaza. Sipas KLD, Zeneli u zgjodh në krye të Gjykatës së Tiranës në transparencë të plotë dhe me shumicën e votave. Ndërkohë, KLD bëri me dije se, “Artan Zeneli u riemërua në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe dekret Nr. 6207, datë 12.06.2009, të Presidentit të Republikës. Gjyqtari Zeneli ri-përfshihet në sistemin gjyqësor pas një periudhe shkëputjeje prej ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, detyrë të cilën ai e ka ushtruar për 8 (tetë) vjet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Krujë dhe Tiranë, ndërsa në gjykatën e kryeqytetit ai ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryetarit për periudhën 1993-1995”. Edhe pse ministri i Drejtësisë akuzoi KLD se ka favorizuar zgjedhjen e Zenelit në krye të kryeqytetit, sipas kësaj të fundit, vetë drejtuesit kryesorë të këtij institucioni kanë votuar kundër tij. Kështu, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, që është njëkohësisht edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka votuar në favor të kandidatit Kastriot Selita, i cili aktualisht është në krye të Gjykatës së Dibrës. Ndërkohë, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, votoi për gjyqtaren Manjola Bejleri. I vetmi që nuk ka votuar në këtë proces ka qenë pikërisht ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, që sipas KLD, e ka paragjykuar që pa nisur këtë garë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›