Dyshimi i PS: Në qendrat e votimit të vendosura në lokalet e demokratëve kemi humbur shumë më thellëNga TemaSocialistët thanë dje se, rezultati zgjedhor në qendrat e votimit të vendosura në lokalet në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, ës
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Dyshimi i PS: Në qendrat e votimit të vendosura në lokalet e demokratëve kemi humbur shumë më thellëNga TemaSocialistët thanë dje se, rezultati zgjedhor në qendrat e votimit të vendosura në lokalet në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, është shumë i thellë në favor të kësaj force në krahasim me qendrat e votimit të vendosura në ambiente publike.
Kandidati i PS për Tiranën, Namik Dokle, tha se për të njëjtën zonë shihen diferenca të thella. Ai u shpreh se socialistët kanë kërkuar që të ndryshohen këto qendra votimi, ashtu siç e kërkon Kodi, por KQZ nuk ka pranuar. Dokle tha se me këto shkelje janë njohur dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe shtoi se do të kërkohet rishikim dhe transparencë për këto qendra.
“Kodi Elektoral e përcaktonte qartë, se “qendrat e votimit, selitë e KZAZ dhe VNV, nuk mund të krijohen në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi pjesërisht ose tërësisht të një partie politike, apo kandidati ose të afërmve të tij”. Nisur nga ky përcaktim i Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste ka denoncuar dhe ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit në 92 raste. Nga të gjitha këto vetëm në qarkun e Tiranës ishin 27 qendra votimi në lokale të militantëve apo drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike. Shumica e tyre ishin në zonat periferike të Tiranës dhe 19 prej të tyre ishin në ZAZ 56 të Kamzës dhe Bathores. Komisioni i kësaj ZAZ, në mbledhjen e tij më datë 14 qershor 2009, me shumicë votash kundërshtoi vendimin nr. 51, datë 8 qershor 2009, të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, për vendosjen e qendrave të votimit. Për këtë kundërshtim votoi edhe përfaqësuesi i PR në këtë KZAZ, zoti Zenel Muka, të cilit më pas iu bënë presione dhe kërcënime. Por më të keqen e bëri KQZ, më saktë pjesa e detashmentit politik të Sali Berishës, e cila nuk mori në konsideratë këtë ankesë dhe kërkesë të shumicës së komisionit të zonës administrative zgjedhore nr. 56, ashtu siç parashikohej në këto qendra votimi, votimet u bënë me presione të shumta mbi komisionarët dhe votuesit, gjë që deformoi në shumë raste vullnetin real të zgjedhësve.
Në 19 prej këtyre qendrave në Kamzë, rezultati ka qenë - 3926 vota, pra plus për PD, ndërkohë që në qendrat e votimit të vendosura në lokale publike, ka qenë një rezultat i ekuilibruar ose në favor të PS. Për shembull, në qendrat e votimit të qytetit të Kamzës, në 6 qendra votimi të vendosura në lokale private diferenca ishte 1156 vota në favor të PD, ndërsa në 6 qendra votimi të vendosura në mjedise publike, rezultati ishte 134 vota në favor të PS.
Në 6 qendra private, PD ka marrë më pak sesa në 11 qendra votimi publike, çka tregon se në këto qendra votimi në lokale private, me militantë të PD, janë bërë manipulime të shumta ose shembulli i Valiasit, në 3 qendra votimit të vendosura në objekte private, diferenca është 796 vota në favor të PD, ndërsa në dy qendra të tjera po të Valiasit diferenca është 52 vota. Ky fenomen është vërejtur edhe në shumë qendra të tjera në Paskuqan, Kavajë, e gjithë Shqipërinë. Më problematik ka qenë KZAZ 56 e Kamzës, çka tregon se KQZ nuk mori një vendim të duhur për këto qendra”, - tha Dokle.