E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një zonë-tampon për veriun e Kosovës

Prishtinë-Çështja e rindërtimit në veri, ku strukturat paralele serbe kanë paralajmëruar probleme për të penguar këtë proces, do të jetë testi i parë për EULEX-in, ka deklaruar të martën kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pas një takimi që ka zhvilluar me një delegacion të Komisionit për Siguri të Parlamentit Evropian.

Rexhepi sqaroi se ka bashkëpunim të mirë me strukturat e sigurisë në mënyrë që të parandalohen problemet dhe që rindërtimit të shkoj pa telashe. Në këtë drejtim ai përmendi mundësinë e krijimit të një tampon zone ndërmjet komuniteteve në mënyrë që të procesi i rindërtimit të mos pengohet.

“Ne jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për fillimin e rindërtimit në Kroin e Vitakut, pasi që banorët e zhvendosur janë duke jetuar në gjendje të rëndë nëpër strehimore kolektive dhe në kushte të rënda. Ne kemi obligim që të krijojmë kushte më të mira për jetë të të gjithë qytetarëve pa dallim etnik”, tha ai.

Gjatë takimit ndërkaq, Rexhepi i njoftoi mysafirët të cilët shoqëroheshin edhe nga drejtuesi i komponentës së policisë së EULEX-it në Kosovë, Rainer Kuhn, se në përgjithësi gjendja e sigurisë është e qetë, por e ndjeshme për shkak të provokimeve të vazhdueshme të strukturave paralele serbe në veri.

Në interesimin e mysafirëve për efektin e shtrirjes së EULEX-it dhe funksionalizimit të këtij misioni në gjithë vendin duke përfshirë edhe veriun, kryetari Rexhepi, shprehu besimin se gradualisht do të vërehen efektet dhe gjendja do të normalizohet.

Ai përmendi si sfidë vendosjen e rendi dhe ligjit në veri, për çka nevojitet një vendosmëri më e madhe e misionit evropian. Në këtë kontekst ai ceku problemet me gjykatat, mandej doganat etj. /Telegrafi/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›